Venat në dorën e djathtë imponuese të Davidit duken çuditërisht të gjalla, pothuajse sikur po i kapërcejnë kufizimet e mermerit nga i cili janë gdhendur me përpikëri dhe po bëhen pjesë e një pulsi të rrëmbimshëm përjetimi. Ai është i gjallë në mesin e të frymëshve që erdhën nga imagjinata dhe idealizimi. Ai është anatomikisht i përsosur, si një qasje për ta shndërruar bibliken si një motivim gjalërimi që e sheh dhe e përjeton në damarët që dalin nga shkëmbi dhe në pulsin që shkulmon në yshtjen e zotërimit të çastit si një cak përjetësie. Dhe i tillë është Davidi i Michelangelo, një shëmbëllim i të mirës që ka lavdishmërinë e triumfit mbi Goliathin, të keqen që do ta mbajë përjetësisht nën kërcënim arsyen për të populluar botën me mirësi dhe vlera.
“Kur gjithçka përfundoi, nuk mund të mohohet se kjo vepër ka hequr pëllëmbën nga të gjitha statujat e tjera, moderne apo antike, greke apo latine; asnjë vepër tjetër artistike nuk është e barabartë me të në asnjë aspekt, me një proporcion kaq të drejtë, bukuri dhe përsosmërie e përfundoi Michelangelo”. (Giorgio Vasari) Ndërlikimi i detajeve në këtë kryevepër e pushton vëzhguesin, duke i shtyrë kufijtë e realizmit në prag të mosbesimit. Madhësia e konsiderueshme e dorës së djathtë të Davidit mund t’i atribuohet planit fillestar të pozicionimit të statujës në vijën e çatisë së katedrales. Në një pozicion kaq të spikatur, disa veçori të skulpturës duhej të theksoheshin për të siguruar dukshmërinë e tyre nga poshtë, duke i shtuar një shtresë shtesë rëndësie artit dhe synimit pas kësaj kryevepre ikonike. Vendimi i qëllimshëm i Michelangelo për të nxjerrë në pah anatominë e dorës jo vetëm që zbulon shkëlqimin e tij artistik, por gjithashtu thekson strategjinë e menduar që ai përdori për shkak të vendosjes origjinale të statujës. “Sepse në të mund të shihen konturet më të bukura të këmbëve, me ngjitje gjymtyrësh dhe skica të holla të krahëve që janë hyjnore; as nuk është parë ndonjëherë një pozë kaq e lehtë, apo ndonjë hir të barabartë që në këtë punë, apo këmbët, duart dhe koka aq mirë në përputhje, një anëtar me tjetrin, në harmoni, dizajn dhe përsosmëri artistike”. (Giorgio Vasari, nga “Jeta e piktorëve, skulptorëve dhe arkitektëve më të shkëlqyer”).
Dora e Davidit të Michelangelos është shprehja më e epërme e fuqisë së hyjnizimit të idealizimit të kulluar të arsyes shenjtëruese, që arti duke e jetësuar me një vitalitet të gjallërimshëm, rreket të dëshmojë, jo vetëm për fuqinë e përtëritjes së shpirtërores, por edhe për guximin për ta nxjerrë jetën nga guri dhe mëkuar me frymën e çdonjërit që e sheh dhe e prek këtë shembull të përsosmërisë, si një vullnet qiellor.