Nga Halil Teodori
Liri Rasha është sinonim i një tradite, i një kulturë, i një treve, e cila ka nxjerrë nga gjiri i saj, personalitete legjendare të historisë, por edhe të kulturës dhe artit. Zëri brilant i Liri Rashës ka ngritur peshë platetë e shumë vendeve të botës, kudo ku ka emigrantë shqiptarë dhe ku interesimi për artin, kulturën dhe këngën shqiptare është në fokus, në të katër anët e globit, duke dëshmuar se kë përfaqëson dhe me çfarë përgjegjësie e ofron talentin e saj si një garanci të vlerave. Liri Rasha është një këngëtare e spikatur e traditës së këngës popullore veriore, në veçanti Dibrës nga edhe e ka origjinën.
Në rrugëtimin e saj në skenën e këngës, ajo asnjëherë nuk ka deformuar visarin tonë të traditës, këngën e bukur popullore, por e ka përfaqësuar dhe promovuar atë me dinjitet dhe talent.
Liri Rasha – Jushi është një këngëtare e mirënjohur, e lindur në një familje me tradita atdhetare dhe patriotike dhe talent muzikor. Shkollën fillore e ka kryer në fshatin e saj, Lashkizë, ndërsa të mesmen në Peshkopi. Ka mbaruar specializimin për kanto dhe shkollën pedagogjike. Talentin i saj është zbuluar krejt rastësisht, kur ishte vetëm 13 vjeç, të cilën e hetoi mësuesi i saj i matematikës.
Për herë të parë, Liri Rasha, ngjitet në skenë në vitin 1973, në Festivalin e Gjirokastrës, i cili është mbajtur në Peshkopi. Në këtë festival ka kënduar këngën “Oj syzeza vetull hollë”. Pas disa vitesh karrierë në skenë, aty diku rreth viteve të ’80, ka edituar një album me titull “Këngë të zgjedhura nga Liri Rasha”, dhe një album tjetër në vitin 2001, me titull “Nusja me të bardha”. Në vitin 1988 ka marrë titullin “Artiste e Merituar” dhe një vlerësim tjetër nga ish Presidenti i Republikës, Bamir Topi: “Mjeshtër i Madh”. Liri Rasha njihet edhe për talentin e saj krijues, ndaj dhjetëra këngë të saja, tekstin e kanë të shkruar nga vetë ajo, siç mund të risjellim në kujtesë: “Nusja me të bardha”, “Oj zogo”, “Oj syzeza vetullhollë”, etj. Ka marrë pjesë me disa kolazhe në “Këngët e Shekullit”. Ajo ka dy femijë: një vajzë e një djalë. Vajza e saj, Ingrid Jushi, ka talent për të kënduar këngën popullore dhe bashkë me të Lirien kanë punuar disa kolazhe. Ajo me familje aktualisht jeton dhe vepron në Tiranë, ku mban koncerte e manifestime të ndryshme familjare.
Më datë 20 Mars 2018, Blerina Braka & Liri Rasha publikojnë videoklipin “Le Te Tundet Vendi”.
Më datë 24 Prill 2023, Liri Rasha publikon videoklipin “Ndalu Shkja Me M’shkel Ne Prag”. Muzika dhe orkestrimi i këngës janë shkruar nga Naim Gjoshi. Videoklipi u prodhua nga kompania Domi Production.
Më datë 28 Prill 2023, Hysni Hoxha & Liri Rasha publikojnë videoklipin “Labinot, Si Ti S’ka Tjetër”. Muzika e këngës është kompozuar nga vetë Hysni Hoxha, ndërsa orkestrimin e përgatiti Luan Dagistani. Videoklipi u prodhua nga kompania Domi Production.
Më datë 29 Maj 2023, Erkkani publikon videoklipin “Lujma Belin”, në bashkëpunim me Liri Rashën. Videoklipi u prodhua nga kompania Domi Production.
Më datë 7 Qershor 2023, Liri Rasha publikon videoklipin “Shqiptari Ja Sot Ja Kurrë”. Muzika dhe orkestrimi i këngës janë shkruar nga Naim Gjoshi. Videoklipi u prodhua nga kompania Domi Production.
Më datë 1 Tetor 2023, Liri Rasha publikon videoklipin “Cuc Dibrane”. Kënga u orkestrua nga Alfred Qemalja. Videoklipi u prodhua nga kompania Domi Production.
Vlen për të përmendur për interpretimet e këngëve legjendare.
“7 liqejte e Lures” është një këngë mjaft e preferuar e publikut shqiptar, një ndër këngët më të vjetra të kësaj “Top 5”. Për të vijuar me “Dëshira e nënës” që është një bashkëpunim, të cilin Liri Rasha e ka sjellë me Mondin dhe është publikuar rreth 8 vite më parë.
Gjithashtu, “Le te tundet vendi” është një tjetër këngë mjaft e suksesshme në tregun muzikor shqiptar, i cili është një bashkëpunim me Blerina Brakës dhe Liri Rashës.
Përmendim edhe “Kolazh këngësh dibrane” është një përmbledhje muzikore e disa prej këngëve më të bukura dibrane, e cila si një artiste dibrane, sigurisht që do i këndonte vendlindjes me kaq shumë dashuri.
“Kënga e Rexhës” është një interpretuar me mjaft profesionalizëm nga Liri Rasha por kënga origjinale është e Fatmira Brecanit.
Më datë 7 Shkurt 2024, Liri Rasha publikon videoklipin “Loti I Vetmisë”. Muzika dhe teksti i këngës janë punuar nga vetë Liri Rasha, teksa për arranzhimin u kujdes Alfred Qemalja. Videoklipi u prodhua nga kompania Domi Production.
Ndërsa e përcjell arkivën e interpretimeve të saj dhe bashkëpunimeve artistike, ne përshkruajmë ndoshta në mënyrë shteruese, se cila është Liri Rasha, ky personalitet i artit dhe këngës dibrane, një nga interpretueset më të spikatura të traditës të asaj treve të urtosh dhe trimash, asaj tradite të pasuruar në emra dhe vlera krijuese dhe interpretuese.
Ajo, ka qenë, është dhe do të jetë një vlerë për Dibrën, një frymëzim për brezin e ri, dhe patjetër një shtysë nxitëse për të vijuar në lëvrimin, pasurimin, përfaqësimin dhe interpretimin e këngës popullore, si shprehje e një kulture që i ka rrënjët thellë në shpirtin e atyre që e pasuruan këtë identitet që ne përfaqësojmë dhe promovojmë.