Ai ishte një prej penelatave më të pazakonta të pikturës, një prej gjenive, jeta e të cilit fatkeqësisht u moleps hera-herës me spazme therëse e dhimbje, gjurmë të cilat ai i la në pikturë, në ashpërsinë e kumtit shprehës, në terrin përpirës që përgjohet nga një dritim tinzar. Megjithatë kjo nuk e ndali hovin e tij sendërtues, nuk e vuri dot nën fre këtë pasion të hazdisur kumti. Plot 700 është numri i punëve, ndoshta shumë më shumë ishte ai zjarr përpirës i këtij shpirti që kuntoi dhe i blatoi botës të hyjshmin kurm e përjetim, por asnjëri prej këtyre shpërthimeve eterne estetike, nuk do ta shmangte fundin fatal të këtij gjeniu tragjik.
Rembrandt Harmenszoon van Rijn, konsiderohet si një ndër mjeshtrat më të mëdhenj të historisë së artit europian dhe piktori më i famshëm holandez i shekullit të 17-të. Kontributi i tij në art erdhi në atë periudhë të cilën historianët e quajnë epoka e artë holandeze, kur kultura holandeze, shkenca, tregtia, pushteti dhe ndikimi në botë arritën majat më të larta. Mes veprave kryesore të Rembrandt-it janë “Martesa e Samsonit”, “Mëngjesi martesor”, “Shën Pali në Burg”, “Leksione anatomie”, “Nusja çifute”, “Portreti i një njeriu”, “Familja”, “Portret i vetvetes” dhe “Adhurimi i Magit”.
I susksesshëm si piktor portretesh, vitet e fundit të jetës i kaloi mes tragjedish personale dhe vështirësish financiare. Autoportretet e tij formojnë një biografi intime e unike, ku artisti vëzhgoi veten sinqerisht e përulësisht.