Ajo, Ura e Bohçallëkut, është dhe nuk është më. Dukshmërinë e saj, ashtu si të një krijesë të dalë nga një trill i dhunshëm imagjinate, e shkruan kujtesa dhe e ruan e shkuara. E fillëron madhështia e Rozafatit që e kundron hirshëm, e mbështjell tafti i ujërave që vërshuan nën të, dhe e hymnizon emblematikja e qenësisë, si e para urë me konstruksion të hekurt në Shqipëri. Në më pak se një shekull ajo ka pritur dhe ka përcjellë ardhës dhe ikanakë. Mbi shpinën e saj të metaltë kanë rendur udhëtues, të llojeve dhe qëllimeve të ndryshme. Shkodra i ka pritur, kë me lule e kë me pushkë, dhe përcjellë i ka me dyzen e me dyfek, në arkmorte e arkpaje. Dhe shtati i saj i hekurt, njëjt i ka shërbyer atyre që i shkuan kaluar dhe rrëmeteve që gjarpëruan për nën të, dhe, ujërave të akullt, që pas shumë ndeshjeve dhe një qëndrese titanike të saj, arritën ta mposhtin duke e shqyer brinjësh, kohë pasi atë e braktisën hapat dhe jeta që shkoi potershëm mbi të.
E inauguruar 110 vite më para, më 4 shkurt të vitit 1914, Ura e Bahçallëkut, kjo emblemë e kryeqendrës së Veriut, lidhte qytetin e Shkodrës me pjesën tjetër të saj, që shtrihet përtej rrugëtimit të Drinit e të Kirit për në Bunë.
Koha shkroi historinë e saj derkur, ajo, Ura e Bahçallëkut mori statusin Monument Kulture Kategoria II në vitin 2010. Kjo urë rezulton të jetë e braktisur dhe jofunksionale që nga vitet 1980, kur simotra e saj prej hekur e betoni zgjatoi duke bashkuar dy brigjet, si karshillëk dhe sfidë.
Sipas autoriteteve vendore, ndërhyrja e fundit në këtë urë historike ka qenë në vitin 1975-1980. Si një ngulmim për të rikthyer asaj rininë dhe rivitalizuar funksionin për kalimin e mjeteve, si e vetmja vepër arti për ndërlidhjen e Shkodrës me Lezhën, Tiranën dhe gjithë Shqipërinë. Por preludi i fatit të saj të mbarimtë sapo ishte nënshkruar, jo me ndërtimin e një ure të re që i përgjigjej kërkesave në rritje të kohës, por me flakien në mohim të së drejtës së saj për të gëzuar ende jetë.
Që kur e reja zgjatoi kapardisjen mbi Drin, fati nuk ishte në anën e urës prej hekur, natyrisht. Jo vetëm ujërat e rrëmbyer dhe përmbytjet e kujametshmë të herahershme që e mësynë me egërsi dhe tërsëllim, ishin armiku i vetëm. Ndaj saj, në vitet 1992-1994 u ushtrua një proces shkatërrimi, duke vjedhur strukturat metalike të urës dhe elementë përbërës të saj. Dalja nga një regjim dhe hyrja në një tjetër, rriti çmimin e hekurit dhe uli në mënyrë drastike interesin e institucioneve dhe qytetarëve për ta mbrojtur atë si një monument ende të pakurorëzuar si i tillë, por që në vetvete ishte ikonik si pëikmapjen e materialit të ndërtimtarisë ashtu edhe guximin inxhinierik që barti. Në mëshirë të fatit, Ura e Bohçallëkut, u bë monument kulturë më 2010 dhe aq mjaftoi që flakia e një copëze të historisë së Shkodrës të kishte një maskë shteti. Ajo nuk mundi të ishte asgjë më shumë se një gërmadhë, një dëshmi e barbarisë dhe shkatërrimit, një harresë që i këpuste brinjët para se t’ia shqynte Drini i tërbimshëm këmbët.
Ajo nuk mundi të qëndronte siç i kishte hije, të priste e të përcillte ardhsh dhe ikanakë, t’u tregonte kureshtarëve se kush punoi për ndërtimin e saj, sa e sa mund dhe heka ruante në kujtesë dhe në kujë kapardisja e saj e hekurt, ç’moshë kishte dhe kujt i kishte shërbyer, sa e sa tërbimeve të natyrës i kishte bërë qëndresë dhe si ajo ju dorëzua 20 nëntorit të vitit 2022, kur këmbët e saj u shkulën nga ujërat e rrëmbyeshëm, duke hedhur në vërshimin e përbindshëm pjesën metalike që mbahej prej tyre.
Sot ajo që mund të thuhet dhe është e shkruar, ndoshta jo në mënyrë shteruese është se Ura e Bahçallëkut, ajo që sot dergjet as e gjallë dhe as vdekur, pati si paraardhës një ura prej guri me harqe, e cila ishte ndërtuar në vitin 1768 në kohën e Mehmet Pashë Bushatit, në vitin 1858-1859. Kjo urë që sot është vetëm në foto dhe në ndonjë dëshmim historik, u gllabërua nga përmbytja e zemërimit të natyrës në vitin 1880, për tu pasur 34 vite më vonë nga një tjetër Urë e Bahçallekut, e para me kontruksion metalik në vendin tonë, e pasuar nga dhjetëra të tjera dhe e radhës që do të ishte fatkeqe nën një lum të sertë.
Kjo urë u ndërtuar nga inxhinierë italianë dhe u përurua më 4 shkurt të vitin 1914, për të qenë një nga asetet më të çmuara të Shkodrës, një nga nyjet kruciale të jetës dhe veprimtarisë së këtij qyteti. Ajo që do të hynte në histori dhe të mbeste aty si monument kulture me pamundësinë për të qenë më shumë se si një gërmadhë që nuk ka për të ofruar as mirëseardhje as lamtumirë, vetëm sheh trishtueshëm dhe pret që pjesë të mbetura të saj të shkërmoqen nën dhunën e vërshimeve të Drinit. Gjithsesi diçka ka në të që kremton 110-vjetorin e ardhjes në jetë, si një arterie që gjallëroi të gjallët e Shkodrës, këtij qyteti urëbashkimi të kulturave dhe qytetërimeve.
Albert Vataj