Nga Albert Vataj
Sot është një ditë që nuk i përket kalendarit të zakonshëm, por atij të përjetësisë së korifenjve të artit, është dita kur lindi Vaçe Zela, zëri që nuk u fishk, por u shndërrua në jehonë të pavdekshme! Në këtë datë nuk festojmë vetëm lindjen e një artisteje, por ngritjen e një ylli, që dritën e tij nuk e shuajti as largësia, as vdekja, sepse zëri i Vaçes nuk u këndua, ai u shpall si një ardhje e shenjtëruar në misonin e magjishëm të traditës sonë të këngës.
Vaçe Zela nuk ishte thjesht një këngëtare, ajo ishte gjenia emocionale e një kombi, një shpirt që mori tingujt e kohës dhe i ktheu në lutje dhe kremtim, në lot dhe ovacione. Kur ajo ngjitej në skenë, ngrihej bashkë me të një komb i tërë, sepse ajo s’këndonte me kordat zanore, por me zemër, ajo s’mundej të interpretonte, sepse ajo vetë ishte kënga që i këndoi secilit nga ne.
Në një kohë kur arti ishte i detyruar të mbijetonte nën peshën e konformizmit, Vaçe Zela e bëri atë të mbretërojë. Ajo ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës në 1962 me “Fëmija i parë”, dhe me të vërtetë, ajo ishte fëmija i parë i një epoke të artë, që do të vinte me tinguj, me shpresë dhe me krenari shqiptare.
Zëri i saj u “peshua me flori”, sepse për të nuk mjaftonin më fjalët, ajo ishte matës i së jashtëzakonshmes, busull e artit, që e udhëhoqi një brez të tërë drejt emocioneve të pastra dhe shpirtërore. Me repertorin e saj të pasur, me këngët që frymëzuan dashurinë, sakrificën, gjallërinë dhe krenarinë kombëtare, ajo u bë arka e madhe e shpirtit shqiptar.
***
Vaçe Zela lindi më 7 prill 1939, në Lushnjë, dhe mbetet një nga figurat më të ndritura dhe më emblematike të historisë së muzikës shqiptare. Një yll që ndriçoi skenën për më shumë se katër dekada, një zë që u shndërrua në simbolin e shpirtit shqiptar dhe një artiste që nuk mund të përmendet pa u përulur përpara madhështisë së saj.
Edhe pse e lindur në Lushnjë, Vaçe Zela u rrit në një familje me origjinë nga Skrapari. Që në moshë të vogël tregoi një prirje të jashtëzakonshme për muzikën. Fillimisht nisi të këndonte në aktivitete shkollore dhe kulturore lokale, duke mahnitur me zërin e saj të fuqishëm dhe të veçantë.
Pas përfundimit të shkollës fillore, studioi në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku filloi të ndërtonte themelet e një karriere brilante, duke u dalluar jo vetëm për aftësitë vokale, por edhe për interpretimin emocional dhe skenik.
Vaçe Zela hodhi hapat e parë seriozë në skenën kombëtare në fillim të viteve ’60. Në vitin 1962, ajo hyri në histori si fituesja e parë e Festivalit të Këngës në RTSH, me këngën “Fëmija i parë”. Ky ishte vetëm fillimi i një rrugëtimi triumfal.
Ajo do të bëhej më pas simboli i muzikës shqiptare, duke fituar gjithsej 11 çmime të para në Festivalin e Këngës – një rekord që mbetet i paarritshëm deri më sot. Ndër këngët më të njohura të saj janë, “Lemza”, “Valsi i lumturisë”, “Djaloshi dhe shiu”, “Buka e duarve tona”, “Trëndafil i çelur në shkurt”, “Këngë për motin”, “Mallëngjimi”, “Ç’u bë kjo zemër”, etj.
Repertori i saj është i gjerë dhe i larmishëm, duke përfshirë këngë të lehta, popullore të përpunuara, balada, kantata dhe madje edhe këngë filmash. Ajo ishte e vetmja këngëtare shqiptare që me një zë të vetëm mund të përshkruante gjithë paletën e ndjesive njerëzore – nga mallëngjimi te gëzimi, nga dashuria te heroizmi. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.
***
Vaçe Zela, ishte nga më të mirët e traditës sonë të këngës, më e mira. Zëri i saj e ngriti fuqinë volkale në drithërimë të shpirtit. Talenti dhe përkushtimi me pasion për të shndërruar në magji minutat e këngës, i bënë skenat ku u ngjit Vaçe, në gjënë më të mrekullueshme të jetës dhe komunikimit artistik. Edhe pse vitet e shkuara e kthyen këtë emër në një shënjim në kujtesë, në nostalgji që thërret mallshëm.
Ndoshta për ëndjen e kësokohëshme të këngës dhe festivaleve, Vaçe Zela dhe shumë e shumë yje të tjerë të muzikës shqiptare, nuk do të thotë asgjë, nuk ngacmon, arti që bëri ai brez ishte dhe mbeti një art i madh dhe i vërtetë.
Ajo që mbetet pas është çfarë do të skaliste me shkronja përjetësie shkëlqimimin prej ylli të veprës, atë sublimitet të shpirtshëm që ju mëkua gjeneratës si një ambroz perëndish.
Zërit që u “peshua me flori” i’u këputën kodrat, por kumbimi që përshkoi kohën, si një jehonë eterne mbeti ashtu e pezullt në ëndjen tonë për gjithmonshmëri të të përjetuarit të intepretimit të Vaçe Zelës si këngëtare, si lartësim i atij talenti që ndezi në ovacione frenetike, salla koncertesh e tubime të këngës, brenda dhe jashtë vendit.

Ndër vite, Vaçe Zela përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet në aktivitete dhe koncerte ndërkombëtare, ku u vlerësua për zërin e saj të jashtëzakonshëm dhe mënyrën unike të interpretimit. Ajo u bë një zë që e ndjenin afër edhe shqiptarët e mërguar, një urë e fortë lidhëse mes vendit dhe diasporës.
Për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në muzikën shqiptare, Vaçe Zela u nderua me titujt më të lartë: “Artiste e Merituar”, “Artiste e Popullit”, “Nderi i Kombit”. Këto vlerësime nuk ishin thjesht formale, ato ishin dhe mbetwn shprehje e mirënjohjes së një populli për ikonën e tij muzikore.
Pas një beteje të gjatë me sëmundjen, Vaçe Zela u shua më 6 shkurt 2014, në qytetin e Baselit në Zvicër. Ajo kishte ndaluar së kënduari shumë kohë më parë, por zëri i saj kurrë nuk u shua – ai vazhdon të jetojë në çdo tingull që ajo la pas.
Vaçe Zela nuk ishte thjesht një zë. Ajo ishte një epokë, një ndjenjë kolektive, një frymë artistike që mbeti thellë e gdhendur në memorien e shqiptarëve. E papërsëritshme në forcë, emocione dhe talent, ajo vazhdon të jetë frymëzim për artistët e rinj dhe mall i pashuar për artdashësit e çdo moshe.
Ajo nuk është më mes nesh fizikisht, por në çdo notë që dridhet, në çdo kujtim që buis, në çdo zemër që dëgjon e ndjen, Vaçe Zela mbetet e përjetshme.

Këngëtarja ikonë e skenës shqiptare, zëri befasues i forcës dhe virtuozitetit, fuqia vokale e një talenti magjepsës, mishëruan tek ajo pavdekësinë. Ishte dhe mbeti e papërsëritshme. Kumbimi dhe emocioni i këtij zëri vazhdon të magjeps jo vetëm nostalgjikët por edhe gjeneratën e re të këngëtarëve dhe artdashësve.
Forca kumbuese, thellësia dhe aftësia depërtuese, bënë që ky dëshmim i artit shqiptar të rrëmbej edhe interesin dhe vlerësimin në arenën ndërkombëtare.
Një ndërmendje e mbushur përplot nderim dhe respekt shkon për çdo copëz malli që përbashkon me kohën kur rrugëtoi ndër zemra ky zë, kjo qasje virtuoze e skenës së këngës.

