Nga Albert Vataj
Më 23 janar 1916, në ditën kur malazezët po u dorëzonin kryeqytetin pa luftë austriakëve, urdhri për vrasjen e Isa Boletinit dhe njerëzve të tij nuk mund të shtyhej më tej. Ekzekutimi i besohet një njësie ushtarake që kishte për qëllim mbajtjen e rregullit në qytet, deri në dorëzimin e tij trupave austriake. Ja rrëfimi i Tafilit, nipit të Isa Boletinit, që i mbijetoi ngjarjes, sipas librit të Skënder Luarasit: “Nja 80 xhandarë kishin zënë pritë në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës, afër kishës katolike. Unë me dy vëllezërit, sipas lajmërimit të kasnecit, po ktheheshim për në shtëpi, te axha (Isa), patrulla në krye të urës, që po priste ardhjen e axhës, na ndali. Kur oficeri urdhëron ndalimin, xhandarët me pushkët gati të qëllojnë pyesin: Kush asht Isa Boletini?! Por oficeri ndërhyn duke u thënë: Mos shtini, nuk është asnjë nga këta!”. Por që tre vëllezërit nuk kanë mundësi të lajmërojnë Boletinin për vendimin e malazezëve, pasi me përdhunë, nën kërcënimin e armëve mbyllen në një shtëpi dhe mbahen të bllokuar. Në këtë kohë Isa Boletini, vet i tetë, kishte hedhur hapat e parë në dërrasat e urës së Ribnicës pa e dalluar se edhe nga pas krahëve xhandarët e mbyllën udhën që të mos kishte asnjë mundësi daljeje. “Një oficer komandues u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton: Jo besa! S’ja kam dorëzue, as Krajlit, as Mbretit. Dhe nxjerr armën. I pari që shtie ishte njëfarë Pero Buriqi nga Vasoviçi. Menjëherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të tijtë me nga dy revolverë në duar. Brenda disa minutave, të rrethuar nga të gjitha anët nga dhjetëra xhandarë, vriten të gjithë, Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi. Nga ana tjetër mbetën të vrarë tetë xhandarë dhe plagosen dyfishi. Shfaqja u sodit nga disa ministra malazezë të strehuar në prefekturën e qytetit”, rrëfen i mbijetuari.
Mekanizmi i një dredhie vdekatare
Çmimi për kokën e Isa Boletinit, krahut të djathtë të atit të pavarësisë së shqiptarëve kishte hyrë në analet ndërkombëtare. Vrasësit e kësaj legjende popullore ishin xhandarët malazezë. Ata që e prenë në besë ishin disa diplomatë francezë. Ishte janar i vitit 1916, pikërisht koha kur trupat austriake pushtonin Malin e Zi, pothuaj pa hasur në asnjë rezistencë. Qeveritarët e Malit të Zi, pa u turpëruar nga ky pushtim, pa u turpëruar prej faktit se nuk rezistuan deri në fund, u kujdesën gjithsesi të hiqnin qafe armikun e hershëm, shqiptarin e tmerrshëm, Isa Boletinin, të cilin e mbanin prej disa kohësh të izoluar. Sipas rrëfimeve të një të afërmi të Isa Boletinit, të pasqyruara në librin e Skënder Luarasit “Isa Boletini”, botim i vitit 1971, kthesa përfundimtare e jetës së shqiptarit të madh nis me përfshirjen e Kosovës nën Jugosllavinë, sipas vendimeve të fuqive më të mëdha të Evropës në takimin e Londrës më 1913. Në vitin 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën dhe legjendës së rezistencës për bashkim kombëtar i mbetet të kërkojë ndihmën e ndërkombëtarëve. Francezët afrohen dhe konsulli i tyre në Shkodër, Bikok, i thotë Isa Boletinit dhe njerëzve të tij që të shkojnë në Ambasadën Franceze në Cetinë, asokohe kryeqytet i Malit të Zi, nga ku do të merrnin vizë për të shkuar në ndonjë vend neutral. Pikërisht këtu nis edhe plani për ekzekutimin e shqiptarit të madh. Njerëz të Boletinit kishin vënë re një lidhje të çuditshme të diplomatëve francezë me ata malazezë në Shkodër, por kjo do u vinte në mendje më pas. Gjithsesi Isa Boletini dhe shpura e tij mbërrijnë në Cetinë dhe më tej bëjnë një vizitë në ambasadën franceze, ku u tregohet një telegram i paraqitur si urdhër i ministrit të Jashtëm francez për t’i nxjerrë në një vend neutral. Ndërkohë, anglezët, më bujarë, e ftojnë Boletinin ta marrin nën mbrojtje, por nisur nga ligjet e maleve, ai preferon “mikun që i hapi derën i pari”. Pak orë më pas, në mëngjes, Isa Boletini sheh se shtëpia ku bujte ishte rrethuar me xhandarë malazezë. Shqiptarët merren dhe dërgohen në Nikshiq, duke u mbajtur gjatë gjithë kohës nën survejim.
Farsa e pabesisë
Të marrë në pyetje nga autoritetet austriake, ministrat malazezë u justifikuan se kishin pasur informata se Isa Boletini do të provokonte ngjarje për të djegur dhe plaçkitur qytetin. Sipas tyre, ai ishte vrarë duke sulmuar prefekturën në përpjekje me patrullat e ushtrisë. Organizatorë të drejtpërdrejtë të vrasjes ishin ministri i Luftës, gjenerali Veshoviq, i kunati i Krajl Nikollës, komandanti i Përgjithshëm, gjeneral Janko Vukotiqi, ministri i Punëve të Brendshme, Plamenac, prefekti i Podgoricës, Ramadanoviçi e të tjerë. Trupat e Isa Boletinit dhe njerëzve të tij u vendosën fillimisht në një dhomë të prefekturës, ku u bë edhe identifikimi. Varrimi u bë në Podgoricë dy ditë më pas me pjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve banorë të zonës. Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti një fjalim para se arkivoli i Boletinit të futej nën dhe. Gjithsesi askush nuk besonte për vrasjen e Boletinit, pasi nuk ishte hera e parë që lajmet e bënin të vrarë. Po kështu nuk u besua dhe një komunikatë zyrtare e ushtrisë austriake, që jepte lajmin e vrasjes së tij “gjatë një përpjekjeje me malazezët”.
Si e përshkruan Millovan Gjillas masakrën në urën Ribnicës, Podgoricë
Nuk ka ndodhur shpesh që sllavët të shkruajnë me respekt për shqiptarët, aq më pak ata të jugut. Por duket madhështia e Isa Boletinit i ka kaluar caqet. Millovan Gjillas, shkrimtari i njohur disident, në veprën e tij “Toka pa Drejtësi”, botuar në versionin anglisht në Nju Jork, në vitin 1958, shkruan me respekt për shqiptarin në këtë vepër të tijën, që shumë e kanë krahasuar të barasvlershme me “Donin e Qetë” të Shollohovit. Ja si e sjell ai momentin e vrasjes së Boletinit: “Beteja e Isës me ushtarët e tij vullnetarë nuk kishte vazhduar shumë, pavarësisht heroizmit të rreptë të shqiptarëve. Nga kjo goditje kishte rënë udhëheqësi i tyre dhe besnikët e tij të devotshëm. Njerëzit më të afërt të Isës ishin likuiduar dhe të tjerët ishin shpërndarë në katër anë. Isa Boletini ishte vrarë, por kishte luftuar trimërisht, madje për një kohë të gjatë, pavarësisht se kishte mbetur i vetëm në rrugë të madhe. Ashtu, i plagosur, ishte ngritur në gjunjë dhe sado që nuk kishte fuqi për të mbajtur pushkën, qëllonte me revole që të paktën të vriste ndonjë prej armiqve para se të jepte shpirt. Babai im ishte turrur me vrap drejt tij dhe shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorën e majtë, por nuk kishte pasur kohë të hapte zjarr. Një ushtar e kishte vënë në shenjë dhe Isa kishte rënë përdhe. Babai ishte afruar me vrap dhe Isa e kishte vështruar me sytë e mëdhenj dhe të përgjakur, kishte thënë çka në gjuhën e tij amtare dhe në atë çast kishte dhënë shpirt. Babai e kishte marrë mauzerin e tij të gjatë me dorezë të stolisur argjendi dhe e kishte ruajtur si kujtimin më të shtrenjtë. Për çudi edhe ne fëmijëve na vinte keq dhe ndienim hidhërim dhe kishim mbajtur zi për Isa Boletinin. Edhe babait i vinte keq, megjithëse ai ishte krenar që ishte vrarë prej grupit të tij. Ky ishte një pikëllim i veçantë, ishte më tepër një admirim për një hero sypatrembur të Shqipërisë, që kishte luftuar deri në fund në një fushë të zhveshur, në mes të rrugës së madhe, pa iu lutur kërkujt dhe pa falur askënd, ashtu drejt në këmbë, i pambrojtur. Admirimi për të bënte pjesë gjithashtu në pikëllimin tonë. Në qoftë se një njeri duhet të vdesë, do të ishte mirë të binte ashtu siç kishte rënë Isa Boletini. U kujtoftë për jetë nga ata që e panë dhe nga ata që kanë dëgjuar për të! Shumë më vonë ne i patëm treguar babait dhe e ngacmonim për këtë, se kishim lexuar që Isa Boletini kishte vdekur në Shkodër. Babai nuk e pranonte një gjë të tillë. Por për të nuk kishte aq rëndësi nëse ky kishte qenë Isa Boletini vetë, apo ndonjë nga oficerët e tij, kryesorja ishte se shqiptarët që kishin luftuar në atë betejë dhe, sidomos prijësi i tyre, që nuk mund të ishte njeri tjetër veç Isa Boletini, ishte vrarë. Babait i kishin thënë se ky ishte Isa. Dhe kjo mjaftonte për të, fakti i rënies së tij ishte provuar për jetë të jetëve me zjarrin e pushkëve”.