Tëjpërçimi pamës brenda trupit të njeriut pa kontakt fizik tashmë është një realitet shkencor. Dymbëdhjetë orë më parë Dan Robitzski ka publikuar në “Futurism” lajmin se shkencëtarët kanë zhvilluar një sistem lazeri që mund të shohë brenda trupit të njeriut, nëpërmjet ultratingujve në distancë.
Sistemi i aplikuar mund të përshkruajë me saktësi atë që po ndodh brenda trupit të një personi deri në një thellësi prej rreth gjashtë centimetra, njofton për shtypin MIT. Ndërsa kjo mund të mos duket si shumë befasuese, sepse kjo arritje është ende në hapat e para. E rëndësishme mbetet se kjo pamësi brenda trupit të njeriut arrihet pa kontakt fizik, vetëm nga skanimet me ultratinguj, pasi praktikat e derisotme mund të sjellin ndryshueshmëri në leximin nga ana e mjekut.
Sistemi i arritur është i detajuar në studimin e botuar në revistën Light: Science & Applications të Premten, në të cilin shpjegohet se zbulimi përdor dy lazera, njëri për të gjeneruar valë që kërcejnë përreth trupit të pacientit, dhe i dyti për t’i zbuluar ato ndërsa reflektojnë brenda trupit.
Rezultatet e deritashme nuk janë aq të sakta, sa ato të gjeneruara nga ultratingujt konvencional, raporton Gizmodo. Por fakti që sistemi lazer mund të shikojë brenda trupit të një personi, nga një distancë pa djegur lëkurën, ose sytë e tyre, është një hap i madh përpara për procedurat mjekësore.
“Ne jemi në fillim të asaj që mund të bënim me ultratinguj lazer,” tha inxhinieri MIT, Brian Anthony, në njoftimin për shtyp. “Imagjinoni të arrijmë në një pikë ku mund të bëjmë gjithçka që ultralazëri arrin të bëjë tani, por në distancë. Kjo ju ofron mjekëve një mënyrë krejt të re për të parë organet brenda trupit dhe për të përcaktuar vetitë e indeve të thella, pa bërë kontakt me pacientin. “
Përgatiti: Albert Vataj