Ndoshta ajo ishte puthja e parë dhe e fundit, por ishte mundësia e artë për ta mbushur veten me ty, për t’i dhënë dëshirimit një dimension etern, për të guxuar ta mbushësh veten me shpërthimin që krijoi jetën, dhe dritën e vezullimt që diellon në çdo prekje e prehje dëshirimi.
Puth ashtu pafajshëm e dlirshëm si mugëtim pranvere; etershëm puth, si një cak galaktik; po, hyjshëm puth, siç bën nëna e cila në çdo puthje ajo heq nga vetja frymë e zjarr për t’ia mëkuar foshnjës së saj përjetësi. Sepse ajo në këtë akt sublim; mund të jetë një pilives që jep shpirt kur mëkon ngjizjen e një jete, apo mjelmë që e mbush me bardhësi çdo çast të botës ku drita e shpirtit të saj vjen me bardhësi dhe sqim për të kumtuar botës sublimimin si ceremonial hiri hyjnie, që ndrit si në pend edhe në shpirt.
Ju mund të keni fatin të puthni një herë të vetme, NJË, por është ai nektar që ka fekonduar mijëra mrekulli në jetën tënde, ai kopulim që është shumuar në miliarda yje ku ti lexon fatin tënd.
Siç mund, pse jo, të jeni dehur në detet e pafund të puthjeve, dhe sërish të ndiheni të etur për një pikë tëmbëltim buzësh, dhe të shuheni mbytur në trishtim vetmimi, në natën arktike, me dëshirimin e një të vetme ngrohtësi.
Ndoshta është shkruar në diell se në sa zjarr shpirti yt shndërrohet në frymë hyjnimi.
Një, njëmijë apo një milion puthje mund të shkokrrosh nga shega e magjepsjes qiellore të buzëve. Ajo, ajo e ndezura thellë në shenjtërinë e shpirtit, ajo i vë zjarrin zemrave e mrekullon me dashuri krijimin.
Fatkeq mund të jesh, që nuk të kungoi asnjë bekim në buz asnjë puthje qiellore, yje u shuan në padurimin e pritjes tënde, pranvera erdhën e stinë dalldisjesh perënduan, dhe ti nuk çele në asnjë shpërthim.
Jo, jo, mos lëndo shpirtin me pamundësin e tokësores, as me ndëshkimin e fatit mos i trazo torturueshëm ndjenjat, pasionin që ndrydhen në burgje dimnash të acart. Sepse, askush nuk erdhi në altarin e lutjeve të dritës, për të shkuar kyçur në terr. Qielli kah erdhe do të të mbush zjarmshëm me pafundësinë e këtij çasti, dhe ti do të jesh puthje e çdo buze, magji e krejt magjepsjeve të shpirtit.
Ne nuk mund ta dim, nëse ishte kjo e vetmja puthje, apo çdo prekje buze një shkëndi në ndezjen e diellit tënd. Ne jemi vetë ky ceremonial i shpirtshëm që na shpie solemnisht te mrekullimi i pulitjes së buzëve. Atëherë nuk do të kemi fjalë për të thënë, melodi për të luajtur s’do mundim, do të jemi duke kaluar nga toka në qiell.