Si u dërgua në gusht të vitit 1959 Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë në Tiranë, rruga derisa mbërriti në Arkivin e Shteti
Më 28 nëntor 1912 janë shkruar me një tekst orgjinal dy ekzemplarë të deklaratës. Një u vendos në arkivin e Qeverisë së Vlorës dhe tjetra ju dha vëllait tim, Lef Nosi, për ta ruajtur. Pas ngritjes së flamurit në Elbasan, më 25 nëntor 1912, Lefi ka qenë një nga delegatët e zgjedhur dhe mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, në nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë.
Lef Nosi njihet si politikan, atdhetar, intelektual, dhe studiues i kohës. Ai ishte i deleguar nga Elbasani, si dhe një nga përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Vlorës, një nga firmëtarët e deklaratës së shpalljes së pavarësisë, më 28 nëntor 1912. U zgjodh ministër në Qeverinë e Përkohëshme me kryeministër Ismail Qemalin. Lef Nosi, ka qenë i ngarkuar nga vetë Qeveria e Vlorës, për ruajtjen e dokumentit te Pavarësisë së Shqipërisë. Në kushtet e asaj kohe, ai ka treguar kujdes edhe për njohjen sa më të gjerë të mundëshme të këtij dokumenti themeltar.
Në Kongresin e Lushnjes, në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit te Pavarësisë, Lefi e fotografoi dokumentin orgjinal që kishte në ruajtje, e botoi dhe u dhuroi nga një kopje familjeve të të gjithë nënshkruesve. Me këtë akt, ai u bë edhe publikuesi e shpërndarësi i dokumentit.
Fotografimi dhe shpërndarja e dokumentit të pavarësisë, kanë vlerën e tyre edhe në ndihmë të ruajtjes së orgjinalitetit të dokumentit themeltar, të krijimit të më shumë burimeve për të ruajtur përmbajtjen, si dhe moslejimit të fallsifikimit e manipulimit të mundshëm.
NJOHJA ME DOKUMENTIN ORIGJINAL TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
Në nëntor të vitit 1958, kur isha nxënës në klasën e katërt, në shkollën “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan, morëm si detyrë nga mësuesja e gjuhës shqipe, njëherësh edhe kujdestare e klasës, Veronika Santo, që të bënim një hartim për ditën e pavarësisë, më 28 nëntor, dhe do të lexohej nga secili para nxënësve të shkollës.
Pasi bëra detyrat për ditën e nesërme, përgatita tekstin e referatit. Pastaj shkova për të ndihmuar si përherë, Grigorin (Gigi i thërrisnin në shtëpi dhe shokët), djalin e Stiliano Nosit, siç njihej gjerësisht në qytet me emrin doktor Nosi. Mësuesja e klasës Veronika dhe drejtoresha, Vule Starova, më kishin caktuar për ta ndihmuar atë në mësime. Njëkohësisht kisha edhe detyrimin familjar, pasi babai kishte miqësi me doktor Nosin.
Njohja me Deklaratën e Mëvetësisë.
Duke bërë mësimet, erdhi në dhomën e ndenjies, doktor Nosi. U interesua për detyrat që kishte bërë djali i tij. I thashë, se po e ndihmoj për referatin për ditën e Pavarësisë.
Doktor Nosi na vështroi dhe qeshi.
-Përse qeshni e pyeta?
-Po ta mbani të fshehtë, do t’u tregoj një sekret! Më premtoni?!
Të dy u çuditëm. Pamë njeri-tjetrin në sy dhe natyrshëm thamë:
-Të premtojmë! Nuk do të tregojmë!
Doktor Nosi u largua për disa çaste, me një çelës në dorë.
Erdhi, na mori përdore dhe shkuam sëbashku në dhomën tjetër të miqve që përdorej si dhomë pune dhe studimi nga ai. Hapi një sirtar, në pjesën e ulët të raftit të bibliotekës. Në mur ishte një kasafortë metalike. Hapi kasafortën me çelësin që mori nga një dhomë tjetër më parë dhe nxori një kuti metalike. Pasi e hapi, nxorri një zarf dhe prej tij, nxori një dokument.
I vetmi dokument orgjinal që zbulohet është i Lef Nosit. Dokumenti tjetër nuk gjendet në arkivin e shtetit. U bëra DËSHMITAR(Qemal Lame) i njohjes me dokumentin themelor të shtetit shqiptar dhe të dorëzimit të tij tek një zyrtar i lartë, për ta dorëzuar për ruajtje në arkivin e shtetit.
PASHË DHE LEXOVA DOKUMENTIN E PAVARËSISË
Doktor Nosi ngriti dokumentin që ta shihnim dhe na tha:
-Ky është dokumenti orgjinal i Mëvetësisë së Shqipërisë! Kjo është Deklarata e Mëvetësisë së Shqipërisë!
Më bëri shumë përshtypje dhe e pyeta:
-Përse është sekrete?
-Mali (shkurtim i emrit tim Qemal që përdorej sipas traditës elbasanase), i dashur! Kjo ka një histori të veçantë. Më 28 nëntor 1912, janë shkruar me një tekst orgjinal dy ekzemplarë të deklaratës. Një u vendos në arkivin e Qeverisë së Vlorës dhe tjetra ju dha vëllait tim, Lef Nosi, për ta ruajtur. Pas ngritjes së flamurit në Elbasan, më 25 nëntor 1912, Lefi ka qenë një nga delegatët e zgjedhur dhe mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, në nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë dhe u zgjodh ministër në Qeverinë e Parë të Përkohëshme. Pas çlirimit të vendit, ai është dënuar me vdekje. Para se të arrestohej, më porositi që ta ruaj me gjithë mundësitë këtë dokument orgjinal.
-Përse është dënuar vëllai juaj, kur ka qenë edhe pjestar i Deklaratës së Pavarësisë?! Juve keni qenë partizan, ndihmoni pushtetin dhe populli ju do e ju nderon?!
-Juve jeni akoma të vegjël. Kur të rriteni do ta mësoni më mirë historinë.
-Po përse është sekret ky dokument?!
-Nuk e kam bërë akoma të ditur ekzistencën e këtij dokumenti. Më vonë do ta dorëzoj në Arkivin e Shtetit.
Lexova me kurorozitet deklaratën. Ishin shumë emra të njohur duke filluar me Ismail Qemalin, Isa Boletinin, si dhe emrin e Lef Nosit, etj.
E pyeta:
-A mund të shkruaj në hartim, se në Elbasan është ngritur flamuri tre ditë më para Vlorës, si dhe është bërë edhe një deklaratë para se të ngrihej flamuri?
-Shkruaje! Por është mirë të mos përmëndësh emra. Për emrat ka mendime të tjera. Mos u ngatërroni me politikën.
Vajta në shtëpi dhe nuk po flija. Prisja të vinte babai, doja ta pyesja edhe atë për Deklaratën e Pavarësisë. Ai ishte oficer në degën e punëve të brendshme dhe prisja të mësoja më shumë prej tij.
Babai u vonua dhe mua më zuri gjumi.
Të nesërmen, kur u zgjova, babai si zakonisht kishte ikur më herët në punë. Referati që lexova para nxënësve tërhoqi vëmëndjen e mësueses së historisë, Vule Starova. Pasi u bë pushim, ajo m’u afrua dhe më pyeti:
-Qemal! Ku i more ato të dhëna për referatin?
-Kam lexuar mësuese.
Mësuesja më pa me kuriozitet dhe më tha:
-Qemal! Referati ishte shumë i mirë. Më pëlqeu. Të përgëzoj edhe një herë. Në darkë vonë, rreth orës 20:00, erdhi babai. Biseduam për ditën e Pavarësisë. Babai më shpjegoi se Lef Nosi ishte dënuar si armik i pushtetit popullor. Ai e kishte njohur personalisht. Më tha:
-Lef Nosi ishte burrë i mirë. Nuk kisha mundësi ta ndihmoja. Mos bisedo me njerëz të tjerë, pasi është me rrezik të japësh mendime të mira publikisht për Lef Nosin.
Njohja e babait me Lef dhe Stiliano Nosin
Babai e kishte njohur Stilianon pas çlirimit, kur u emërua në degën e punëve të brendshme. Ishim fqinjë. Ne banonim me qera në shtëpinë e Aleks Budës, na ndante një mur me atë të Stilianos e Lefit.
Miqësia e vërtetë e babait me Stilanon kishte filluar në kohën kur Lef Nosi ishte i burgosur në dhomat e izolimit të degës së punëve të brendëshme Elbasan. Babai kishte qenë partizan në Batalionin “Thanas Ziko” e më pas në Brigadën XIX-të Sulmuese. Pas çlirimit shërbeu në Divizionin e Mbrojtjes, u transferua në Elbasan me detyrën e policit e më pas të oficerit të policisë. Fillimisht ishte caktuar në ruajtjen dhe zbatimin e rregullave në dhomat e izolimit, burgut të trashëguar nga para çlirimit, në Lagjen Kala. Dihej se ai burg ka funksionuar që nga koha që është ndërtuar kalaja. Burgu ishte me mure të larta, në pjesën jugore ishte fusha e druve. Burgu dhe hapësira ku ai shtrihej, ishte një ishull në mes të lagjes, i rrethuar nga shtëpitë tradicionale elbasanase. Familja jonë banonte në shtëpinë në pronësi të Aleks Budës, në anë të rrugës, në të majtë të burgut, kufizohej me shtëpitë e familjeve Kristoforidhi, Shuteriqi, Nosi, Popa, Papajani, etj. Një ditë kur ishte me shërbim në burg, Lefi i kishte kërkuar ndihmë për të takuar të vëllanë, Stilianon, mundësisht të vinte në dijeni familjen e tij për gjendjen në të cilën ndodhej si i burgosur dhe t’i dërgonin ushqime. Këto ishin veprime të ndaluara, me shumë përgjegjësi dhe rrezikohej me dënimin e rëndë penal të paktën të shpërdorimit të detyrës. Nga besimi i krijuar në sjelljet e Lefit si fqinj dhe njohjen me Stilianon, babai, tregonte më vonë, se kishte vendosur t’ia plotësonte këtë kërkesë, megjithë rrezikun kërcënues. Dhe kështu veproi.
Biseda me babain, më bëri shumë përshtypje! Si mund të dënohen këta njerëz të mirë, pyesja vazhdimisht veten?!
DOKTOR NOSI DHE BABAI E ÇOJNË DEKLARATËN E PAVARËSISË NË TIRANË
Në gusht të vitit 1959, babai më tha se do të shkonte në Tiranë. Ju luta që të më merrte edhe mua. Më tha se do të shkonte bashkë me doktor Nosin. Kisha dëshirë të njihja Tiranën dhe i kërkova babait që të shkoja bashkë me ta. Babai më tha se nuk mund më merrte: “Kam një punë me rëndësi. Nuk është rasti që të vish me neve.”
Ju luta përsëri. I thashë se motorri treçikël ‘Motogus’, ka tre vënde. Po të ishte i të njejtit mendim doktor Nosi, mund të vija edhe unë.
Babai u mendua dhe më tha do të jap përgjigje në darkë.
E prita me shumë emocion. Doja të shkoja dhe të shihja Tiranën dhe të takohesha me të afërmit tanë.
Babai erdhi, pas orës 20:00. Zakonisht vinte edhe më vonë. Kishte raste që vinte pas mesit të natës dhe ikte përsëri herët në mëngjes. Unë nuk mund ta prisja, pasi duhej të flija dhe të isha i shplodhur për të përballuar mësimet ditën e nesërme.
E pyeta menjëherë:
-Do më marrësh nesër në Tiranë?
-Po! Do të marr. Por do të më premtosh se do të sillesh mirë me doktorin.
-Si gjithmonë, i thashë.
-Mirë! Do të shkojmë sëbashku.
U nisëm rreth orës 8:00 për në Tiranë, me motorrin e babait. Shkuam dhe morëm në shtëpinë e tij doktor Nosin.
Më bëri përshtypje se doktor Nosi kishte marrë një çantë të madhe dore lëkure, elbasanasit i thonë meshini.
Ai erdhi, na përshëndeti, u përqafua me ne, vendosi çantën duke e futur thellë tek koshi i motorrit dhe u ul në ndenjësen tek koshi, duke treguar kujdes për çantën.
Ndaluam tek “Kafja e Xhafës”.
Kur do të zbrisnin nga motorri, doktor Nosi mori me vete çantën.
E pyeta:
-Përse e merr çantën. Këtu nuk ka njeri. Nuk ka ndonjë rrezik.
-Është mirë ta kem me vete, më tha duke qeshur.
Doktor Nosi dhe babai morën kafe për të pirë. Mua më dhanë një çokollatë dhe një kakao.
Rrugës dhe duke pirë kafe, doktor Nosi dhe babai bisedonin për një shokun e tyre, që ishte zëvendësministër i Financave, Aleks Verdi.
Kur mbrritën në Tiranë, ndaluam tek Ministria e Financave, e cila ishte në të njejtën ndërtesë me Bankën e Shtetit Shqiptar.
Doktor Nosi mori çantën dhe bashkë ma babain shkuan në Ministrinë e Financave të takonin shokun e tyre.
Babai më tha që të prisja dhe po të vonoheshin, të shkoja të takoja Nezir Liçin, djalin e hallës së babait, i cili kishte një dyqan fruta dhe perime, prapa bashkisë.
Ju luta të shkoja bashkë me ta.
Doktor Nosi, i tha Babait:
Hekër (shkurtim i emrit Hekuran – kështu e thërrisnin elbasanasit), e marrim edhe djalin tënd. Le të njihet edhe ai me Aleksin. Aleksi do të gëzohet.
Bashkë të tre shkuam te dera e Ministrisë, rreth orën 11:00.
Doktori u tha se do të takonim Aleks Verdin. Pas pak na larmëruan që të shkonim në zyrën e tij në aktin e tretë.
Na priti tek dera e zyrës.
-Stiliano! Më the se do të vije vetë, por po më vjen vetë i tretë, tha me të qeshur, dhe na përshëndeti duke na përqafuar.
Doktro Nosi më prezantoi mua:
-Është djali i Hekuranit. E dua shumë. Është shok me djalin tim, Grigorin. Na e bëri rrugën më të këndshme.
Pasi zumë vend tek kolltuku, doktor Nosi hapi çantën dhe nxorri kutinë metalike të hollë dhe zarfin që ishte brenda. Njoha menjëherë dokumentin e Pavarësisë.
-Aleks, i tha doktor Nosi! Po të dorëzoj amanetin për dokumentin e Pavarësisë. Ti ke mundësi më të mira për ta dorëzuar në Arkivin e Shtetit.
-Mos ki merak, Stiliano. Do ta dorëzoj në Arkivin e Shtetit, siç është dëshira juaj. Kam biseduar edhe me drejtorin e arkivit. Kanë interes ta njohin më parë udhëheqia. Është i vetmi dokument orgjinal që zbulohet. Dokumenti tjetër nuk gjendet në arkivin e shtetit. Është një shërbim i madh që i bëhet shtetit.
U bëra DËSHMITAR i njohjes me dokumentin themelor të shtetit shqiptar dhe të dorëzimit të tij tek një zyrtar i lartë, për ta dorëzuar për ruajtje në arkivin e shtetit.
Ndenjëm rreth një orë në zyrën e Aleks Verdit. Në fund, ai doli dhe na përcolli deri tek dera e ministrisë. Doktor Nosi shkoi të takojë një mikun e tij farmacist. Unë dhe babai shkuam dhe takuam Nezirin dhe dy gratë e tij, të cilat punonin bashkë me të. Rreth orës 14:00, u takuam me doktor Nosin tek sheshi para bashkisë dhe u nisëm për t’u kthyer në Elbasan.