Nga Albert Vataj
Nëse të tjerë ishin ata që nën terrorin e pengimit, kulisave dhe anishqiptarizmës, paguan me vullnes e me gjak gjuhën tonë, me të cilin ne sot shkruajmë, kjajmë e këndojmë, thurim e zhbëjmë, mbrujmë e ushqehemi, ishte ai, Aleksandër Xhuvani, ai i cili e futi gjuhën shqipe ne themele shkencore, nxori nga terri i të shkuarës dhe mjegulla e tjetërsimeve, origjinën e kësaj gjuhe, duke e mëku me aq shqiptari, aq sa kanë patur zemër e vullnet me u përpjek pa u ndal për ta beku e lan amanet ndër shqiptarë.
Aleksandër Xhuvani është një ndër personalitetet qendrore të gjuhësisë dhe pedagogjisë. Ai, pjesën më të madhe të veprimtarisë si hulumtues dhe studiues i’a dedikoi trajtimit të çështjeve themelore të mësimit dhe të shkollës, siç janë: përmbajtjet mësimore, parimet didaktike, personaliteti i mësuesit, etj. Me tekstet e tij, “Didaktikë e Edukatë”, “Didaktika” etj., u përpoq që shkollën shqipe ta nxjerrë nga prapambetja dhe kaosi i rrymave dhe ndikimeve të ndryshme pedagogjike, duke e ngritur atë mbi një bazë unike e të përparuar didaktike, gjithashtu duke e mbështetur në arritjet e didaktikës së përparuar evropiane. Në këtë plan, sipas Xhuvanit, rol fondamental në arritjen e pritshmërive që ka mësuesi, vokacioni i tij “sepse arti i edukatës, që ushtron mësuesi, asht ma i nalti e ma fisniku i arteve;…”
Xhuvani u morr gjithashtu, edhe me përpunimin e çështjeve të ndryshme nga disiplina të veçanta shkencore të pedagogjisë, ndër të cilat është edhe pedagogjia e përgjithshme. Ndër çështjet që trajtoi ai në këtë fushë është edhe ideali i edukatës kombëtare. Sipas tij, ideali themelor i “edukatës asht formimi i personalitetit, d.m.th. mësimi ka për qëllim të formojë njerëz me gjykim me vehte e të lirë, me nji sy të patrembun për çdo rast të jetës e me nji dashuni të vërtetë për çdo gja të ndershme dhe ma fort për veprimin e njeriut në shoqëri njerëzore.” Ky ideal, vazhdon Xhuvani, mund të arrihet përmes organizimit të drejtë të edukatsë (mendore, morale, religjioze, kombëtare, fizike, punuese dhe estetike).
Veprimtaria e tij, zelli dhe pasioni, me të cilat ai ju dedikua gjuhës, mesimtarisë, pedagogjisë dhe gjithë asaj larmie të pamatë dejetuese, me të cilën ai u mor dhe dha, shënohet në udhën që ai bëri. Më 1905, kur botoi artikullin e parë në revistën “Albania” të Faik Konicës e deri në fund të jetës, vijoi shkrimet publicistike, gjuhësore, pedagogjike dhe letrare. Për një farë kohe drejtoi organin e Elbasanit “Kopshti letrar”; më pas botoi shumë studime mbi veprat e letërsisë së viteve ’30. La një trashëgim të çmuar veprash gjuhësore, pedagogjike, teoriko-letrare. Përshtati “Historinë e Letërsisë Greke” për kurset e larta të liceut për vitin 1941, përpiloi Antologjinë e klasës së tretë të shkollave të mesme, më 1946 botoi biografi letrare, artikuj për vepra të autorëve arbëreshë si Rondinella, Gavril Dara i Riu. Ai kreu analiza të hollësishme, përktheu dhe përshtati krijime letrare si Jeta e Pirros etj. Dha ndihmesë për zhvillimin e arsimit (1946-1951), për organizimin e drejtimin e jetës shkencore si drejtues i seksionit të Gjuhës e të Letërsisë të Institutit të Studimeve të quajtur më vonë Instituti i Shkencave (janar 1947- shtator 1953).
Punoi për njësimin e gjuhës letrare të folur e të shkruar, për një gjuhë letrare të përbashkët për gjithë popullin shqiptar. Drejtoi hartimin e udhëzuesve të njëpasnjëshëm drejtshkrimorë (1949, 1951, 1954, 1956) që zgjëruan gjithnjë e më shumë rrethin e çështjeve që çelën rrugën për njësimin e plotë të drejtshkrimeve të gjuhës shqipe më vonë. Më 1956 botoi posaçërisht librin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”. Vetë ai kreu një punë me vlerë për pasurimin e gjuhës sonë letrare, sidomos për përpunimin e terminologjisë të mjaft degëve të dijes sidomos të gramatikës, të letërsisë dhe të shkencave pedagogjike. Ndihmoi shumë në veprimtarinë, që nisi të shtjellohet në vendin tonë pas çlirimit në fushën e terminologjisë, drejtoi punët e para që u bënë për terminologjinë shkollore. Shtjelloi dhe një veprimtari kërkimore të gjerë e të frytshme në fusha të ndryshme të gjuhës shqipe. Qe ndër studiuesit e parë të fjalëformimit, të morfologjisë e të sintaksës. Hartoi punime e studime për kategori e çështje të ndryshme të gramatikës. Mund të përmenden punimet për pjesoren e paskajoren, monografia “Parafjalët”. Hartoi, në bashkëpunim me Eqrem Çabejin dy trajtesat “Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe (1962), të cilët karakterizohen nga vështrimi i gjerë, sinkronik e diakronik, nga pasuria e madhe e të dhënave, e vëzhgimeve dhe e mendimeve që pasqyrojnë njohuritë e thella të Xhuvanit për leksikun e gjuhës shqipe e sidomos leksikun popullor.
Bëri një botim të dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të K. Kristoforidhit (1961) dhe i dha këtij fjalori një jetë të re. Një ndihmesë të mirë i ka dhënë leksikologjisë shqipe dhe teorisë e praktikës së leksikografisë sonë me shkrime e punime të ndryshme me artikuj e recensione, ndër të cilat mund të përmenden “Kritikë mbi fjalorë të shqipes” (1934) “Çështja e fjalorit të gjuhës shqipe” (1957).
Nëntëmbëdhjetë vite pas vdekjes, më 1980, u botua vëllimi i parë i “Veprave” të Aleksandër Xhuvanit me 6 vëllime, nën kujdesin e Akademisë së Shkencave. Ky libër është një nga literaturat më të vlefshme për këdo që merret me studimin e gjuhës shqipe.
Për portretin poliedrik të Xhuvanit dëshmon puna e madhe që bëri në fushën e psikologjisë. Sipas tij, puna mësimore duhet të mbështetet në njohjen e gjithanshme të tipareve psiko-fizike të nxënësit. Pikërisht, për ta ndihmuar arsimin shqiptar shkroi edhe veprën Psikologjia, të cilën albanologu i shquar Norbert Jokli e vlerësoi “vepër monumentale” për tërë literaturën shqiptare. Ky në fakt, është një tekst i psikologjisë pedagogjike, por që në të ngërthen edhe përmbajtje nga psikologjia e përgjithshme, nga ajo fëmijërore, patologjike, fiziologjike, eksperimentale etj. Mendimin e tij psikologjik e pedagogjik ai e mbështeti në rezultatet e arritjeve shkencore në Evropë dhe në Amerikë, duke përfshirë këtu veprën e Lajit, Mojmanit, Vuntit, Ribosë, Klapareidit, Shternit, Xhemsit, Frojdit, Djuit, Piazhesë etj.
Xhuvani, sikurse rilindësit tjerë, që kur gjendej në Egjipt, theksoi me forcë, domosdonë për ngritjen arsimore dhe kulturore të femrës shqiptare, të cilën e vlerësoi faktor shumë të rëndësishëm kombëtar dhe edukativ (pedagogjik). “Shkalla arsimore e gruas shqiptare, shkruan ai, asht themeli i edukatës shoqnore, themeli i përparimit tonë si shtet e si komb.”
Aleksandër Xhuvani u lind në Elbasan, më 14 mars 1880 dhe u shua në Tiranë më 22 nëntor 1961. Gjithçka e jetës dhe veprimtarisë së pamatshme të këtij personaliteti është, më rëndësinë themelore që ka edukimi në progresin e një identiteti nacional.
Albert Vataj
Mteriale referuese
wikiwand.com/sq/Aleksand%C3%ABr_Xhuvani
Lleshi L., Aleksandër Xhuvani, arsimtari që iu përkushtua gjithë jetën gjuhës shqipe: familja Xhuvani, mes arsimit, artit, letërsisë e teologjisë, Metropol. – Nr. 1042, 12 maj, 2007, f. 18.
Foto: https://www.wikiwand.com/en/Aleksand%C3%ABr_Xhuvani