Emocionet janë një tjetër gjë. Sepse trupi mund të mendojë edhe më vete. Me anë të hormoneve. Ja ç’duhet të dish për të kuptuar gjuhën e padukshme të dëshirës
Kemi dëgjuar të thuhet, kur bëhet fjalë për një lidhje, “kjo është çështje kimie”. Në të vërtetë është si një nga ato thesaret nënujore, të cilat detit të thellë e misterioz të shpirtit njerëzor është vështirë t’ia zbulosh. Por, shkenca ca pika mbi i, i ka vendosur edhe në fushën më pak shkencore të mundshme: ndjenjat. Abstraksioni i emocioneve të fuqishme duket se ka dhe materie nga pas. Hormonet, ca të njohur e ca më pak, kanë rolin e tyre në shumë sjellje që spikasin në marrëdhënien erotike. Kimia e dëshirës përjashtohet nga çdo skemë dhe përkufizim, sepse përfaqëson dimensionin ndoshta më të pakapshëm dhe subjektiv të seksualitetit, por specialistët nuk dorëzohen: të dëshiruarit është një mister shumë joshës, aq sa është e pamundur të mos provosh ta shfaqësh. Këtë e tregon boom-i i studimeve mbi faktorët psikologjikë të lidhjes, që kanë ndryshuar fytyrën e seksologjisë tradicionale.
Nuk flitet vetëm për anën mendore, por këtu hyn edhe trupi. Dhe kurrë, në asnjë rast tjetër, trup dhe mendje nuk shfaqen si një entitet unik ashtu siç ndodh te dëshira.
Zbulimet e reja mbi mekanizmat neurofiziologjike, të cilat diktojnë shumë sjellje njerëzore, të shtyjnë te ky drejtim i vetëm: eksplorimi i mendjes duhet të ecë me hapa të barabartë me eksplorimin e reaksioneve neuro-kimike të lidhura me kënaqësinë, që angazhojnë gjithë organizmin.
Një kënaqësi tredimensionale
Dëshira ndizet sa hap e mbyll sytë. E megjithatë, pas atij çasti është një botë e tërë tridimensionale e përbërë nga reaksione kimike, stimuj erotikë-afektivë dhe analiza mendore, që të gjitha bashkë bëjnë të ndizet flaka e pasionit. Përplasen stimujt dhe shpërthen efekti më i fuqishëm i atij apo atyre hormoneve që udhëheqin ndjenjat dhe veprimet. Një lojë e butë stimujsh dhe kundërstimujsh, që përfshijnë tre përbërësit esencialë të qenies njerëzore: trup, mendje dhe marrëdhënie emocionale.
Stimuli biologjik instiktiv
Ajo që vë në lëvizje një seri procesesh neuro-kimike zinxhir lind nga një nevojë parësore e species: riprodhimi. Atë e ndiejnë të dyja sekset, si femrat dhe meshkujt. Ajo është e udhëhequr nga hormonet mashkullore (androgjene), mbi të gjitha nga testosteroni, parimi i dëshirës fizike dhe DHEA, aleat i madh i eksitimit.
Te femrat, hormonet estrogjene kanë një rol të madh në mirëqenien psikofizike të tyre dhe kanë një rol paraprak për një epsh të shëndetshëm, ndërkohë që prolaktina (hormoni që nxit prodhimin e qumështit) ushtron një efekt frenues. Por ka hormone të tjera që, dhe pse më pak të njohur, ndikojnë mjaft në atë mister të quajtur dëshirë:
Oksitocina jo vetëm favorizon dëshirën e përforcon lidhjet emocionale, por mendohet se ajo mund të ketë një rol kyç në orgazëm dhe në atë ndjesinë e ngopjes pas orgazmës.
Vasopresina, që do të kishte të njëjtin funksionon të oksitocinës te meshkujt; hormoni i tiroides, që nëse prodhohet me pakicë, redukton dëshirën seksuale.
Faktorë stimulues ose frenues (ilaçe, droga, sëmundje fizike dhe psikike), mund të ndryshojnë plotësisht letrat në tavolinë, duke e hedhur në erë këtë ekuilibër delikat kimik. Ekuilibër, që për sa i përket atij vetë, nuk mund të varet nga gjendja e shëndetit fizik dhe mirëqenies së përgjithshme psikike: energjia seksuale është gjithmonë shprehje e energjisë jetësore.
Stimuli emocional i motivuar
Ky stimul është i udhëhequr nga nevoja për kënaqësi dhe dashuri. Ai ushqehet nga fantazia dhe imagjinata erotike. Në këtë përmasë intime dhe emocionale futet si raporti që personi ka me veten, ashtu edhe marrëdhënia që ndërton me të tjerët. Vetëvlerësimi, besimi në vete dhe në aftësitë personale, të pëlqyerit dhe një imazh i mirë trupor janë mbështetës të mrekullueshëm të dëshirës.
Por edhe cilësitë e marrëdhënieve që vendosen jashtë “zonës” seksuale janë shumë përcaktuese, pra mënyra e të jetuarit të lidhjes emocionale të dashurisë (e sigurt, me ankth apo që do ta shmangësh), aftësia për t’i besuar tjetrit, përkundja në intimitet, harrimi në ndjenja dhe pasion e të tjera si këto. Në dukje ngjajnë me diçka krejt të ndryshme nga dëshira, por ajo nuk është vetëm produkt trupor dhe është shumë lehtë e modifikueshme prej të gjitha ndjesive.
Janë të rëndësishme edhe arsyet që, edhe pse jo rigorozisht “seksuale”, shtyjnë në sjellje seksuale: ankth, trishtim, ndjenjë vetmie, afeksion, nevojë për intimitet emocional, nevojë për të shkarkuar tensionin ose për të pasur avantazhe. Në fund, theksojmë faktin se nuk mund të shkëputesh lehtë nga e kaluara: lidhjet e vjetra, pozitive ose negative, ndërtojnë një bagazh pak a shumë të rëndë, që merret nga pas gjatë gjithë jetës.
Stimuli mendor njohës
Është në realitet një mekanizëm mbrojtës, që çon në analizën e faktorëve që e bëjnë një sjellje seksuale të këshillueshme, ose të atillë që duhet shmangur me çdo kusht. Por duke qenë se kjo hallkë është hallka e fundit e zinxhirit të gjatë të dëshirës, shpesh ajo tronditet nga ndërhyrja e faktorëve instiktivë dhe emocionalë.
Rasti shumë i rrezikshëm i sëmundjeve seksuale të transmetueshme është emblematik: instikti zbeh sjelljen vetëmbrojtëse. Kështu, njeriu, edhe pse i ndërgjegjshëm për rrezikun, lëshohet, dhe bëhet i paaftë për të bërë rezistencë.