Albert Vataj
Françesko Krispi (Francesco Crispi) ishte krenar për origjinën e tij shqiptare dhe e donte Shqipërinë. Mbiemri Crispi në Siçili dhe Kalabri është në fakt një mbiemër tipik arbëresh, fillimisht Kryeshpi (Capocasa), i italianizuar më vonë. Për Shqipërinë, Krispi kishte mbajtur qëndrim në kauzën e saj të pavarësisë nga Perandoria Osmane. Krahas letrave të ndryshme drejtuar Jeronim De Radës, një nga poetët më të mëdhenj shqiptarë të kohës, në vitin 1887, si ministër i Punëve të Brendshme të Mbretërisë së Italisë, ai dërgoi një donacion në favor të strehës së fermerëve invalidë të Piana degli. Albanesi në Siçili, të cilit Komiteti Promovues i telegrafoi: “[…] kjo koloni është e lidhur me lidhje gjaku, tradita të shkëlqyera, një histori sa e lashtë aq edhe e lavdishme e patriotizmit të pamohuar kurrë dhe fatkeqësive të pësuar fisnikërisht”.
Në “Giornale di Sicilia” të 1 janarit 1898, përmendet një vizitë që Françesko Krispi (Francesco Crispi) që ai bëri në seminarin italo-shqiptar të Palermos, ku kishte marrë arsimin e parë, ku ndër të tjera ai tha: “Me fjalë fisnike shpreha shpresën që Shqipëria sa më shpejt të çlirohet nga e shkuara osmane dhe u rekomandoj studentëve, në mënyrë të veçantë, studimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe; duke shpresuar se qeveria më në fund dëshiron të krijojë katedrën në Institutin Mbretëror Oriental të Napolit.»
Françesko Krispi (Francesco Crispi) ishte një politikan italian i shekullit të 19-të, një nga figurat kryesore të lëvizjes për bashkimin e Italisë dhe një prej kryeministrave më me ndikim të vendit gjatë periudhës pas bashkimit. Françesko Krispi lindi më 4 tetor 1818 në Ribera, në ishullin e Siçilisë, në një familje me origjinë arbëreshe (shqiptarët e Italisë). Kjo e përfshinte atë në komunitetin e shqiptarëve të Siçilisë, të cilët ishin pasardhës të emigrantëve shqiptarë të shekullit të 15-të. Krispi u pagëzua në Kishën Bizantine Arbëreshe në Pallacë, sipas dëshirës së prindërve të tij.
Gjyshi i tij, Françesko, ishte një prift ortodoks-bizantin i kishës arbëreshe dhe xhaxhai i tij, Jozefi, ishte një peshkop i kishës arbëreshe dhe rektor i Seminarit Arbëresh në Palermo, ku Françesko Krispi shkoi për të studiuar (1828-1835). Ai ishte një potencial i jashtëzakonshëm i mendimit dhe veprimit. Jeta e tij është e stuhishme dhe arritjet gjithashtu janë të mëdha.
Nuk reshti së përmbushuri qëllimet që mbruheshin në idealet e larta dhe qëllimet e mira, pavarësisht kohës së cilës ai i përkiste dhe shtjellave të fuqishme ku ai u përfshi. Me një mendje të kthjellët, shpirt qëndrestari bëri jo pak, hyri në historinë e Italisë si ministër dhe si kryeministër. Fëmijërinë e Françesko Krispit kaloi në të parat kohë tek katundin arbëresh e t’atin, Pallaci, i cili ësh një vendbanim i vogël i krijuar nga shqiptarët të ikur prej pushtimit otoman në shekullin XV.
Ai pati një rol shumë aktiv në kryengritjen për pavarësi të sicilianëve kundër mbretit Ferdinand II në Palermo, gjatë vitit 1848. Kjo kryengritje dështoi në maj të vitit 1849 dhe ndryshe nga pjesëtarët e tjerë, Krispi nuk u përfshi në faljen e përgjithshme që ju bë kryengritësve, gjë që e detyroi të largohej për në Piemonte. Në Milano, ai u përfshi në “konspiracionin e Mazzinit” gjatë vitit 1853, dhe për këtë arsye u përzu nga Piemonte. Pas largimit nga Piemonte ai u vendos në Maltë e më pas në Paris. I përzënë edhe nga Franca vendoset në Londër duke u bashkuar për herë të parë me Giuseppe Mazzinin.
Krispi në vitin 1860, bashkë me Bertanin, Bixion, Medicin dhe Giuseppe Garibaldin udhëhoqi “ekspeditën e të njëmijëve” që arriti ne Siçili në datën 11 maj 1860. Më 13 maj 1860 Krispi mori pjesë në shpalljen e Mbretërisë së Italisë. Pas rënies së Palermos, Krispi u emërua Ministër i punëve te brendshme dhe të financave i qeverisë provizore siciliane, por iu desh të jepte dorëheqjen pas kundërshtimeve të ideve të Cavourit rreth aneksimit të Siçilisë nga Italia .
Më pas i emëruar sekretar i Garibaldit siguroi dorëheqjen e Agostino Depretisit si diktator “pro-tempore” i Siçilisë, i cili ështe emëruar në atë post me urdhër të Giuseppe Garibaldit.
Në vitin 1861 kandidoi për ekstremin e majtë në Palermo, por humbet. Megjithatë ai arrin të fitojë një vend në kuvend si përfaqësues i komunës Castelvetrano. Në këto votime u mbështet nga një mik i ngushtë sicilian, republikani Vincenzo Favara.
Krispi fitoi emërimin si anëtari më agresiv dhe më i apasionuar i partisë republikane. Por, në 1864 ai deklaroi se ishte monarkist me citatin e njohur “Monarkia na bashkoi, Republika na ndau”, të cilin e gjejmë edhe në korrespondencën që kishte me Mazzinin.
Në vitin 1866 refuzon të bëhet pjesë e qeverisë Ricasoli. Pas shpalljes së luftës franko-prusiane në vitin 1870 u vu kundër aleancës së mundshme në mes të Italisë dhe Francës.
Pas ardhjes të së majtës në pushtet në nëntor të vitit 1876, emërohet President i Dhomës. Më 1887, rikthehet si ministër i brendshëm në qeverinë e Agostino Depretisit dhe mbrenda vitit e zëvendëson si kryeministër, pas vdekjes se Depretisit. Në 1889, miraton kodin penal të ri të Giussepe Zanardellit që solli shumë ndryshime të rëndësishme, si lirinë e shoqatave dhe të grevës për herë të parë në Evropë si dhe heqjen e dënimit me vdekje. Në lëmin ekonomik adoptoi një politikë proteksioniste duke vendosur taksa mbi prodhimet komerciale në doganë. Përparime u bënë edhe në industri, sidomos në atë të rëndën si metalurgjia e cila nuk ekzistonte aspak në Itali.
Më 1891 Krispi largohet nga qeveria e Rudinit por pas rënies të qeverisë Giolitti nga skandali i Bankës Romana, emërohet sërish kryeministër. Këtë herë qeveria e tij sa vjen e bëhet më shumë konservator edhe autoritare, duke shtypur me dhunë revoltat e punëtorëve si dhe shkrirjen e Partisë Socialiste në 1894.
Në këtë kohë pati si sekretar personal shkrimtarin dhe diplomatin milanez Carlo Dosi.
U largua nga skena politike pas dështimit në Adua në 1896. Dalja e fundit publike është në Romë katër vjet më vonë, gjatë funeralit të mbretit Umberto I. Vdes në Napoli më 12 gusht 1901 gati tetëdhjetë vjeçar. Duhet sjellë kujtesë gjykimi historik që është i ndërlikuar dhe i diskutueshëm, ndoshta jo për betejat e tij të pamundura se sa për shkak të admirimit që Benito Musolini kishte për të.
Ai ra pre e anatemave, kryesisht nga republikanët liberalë dhe gjithashtu të Antonio Gramsci, i cili akuzoi Krispi për autoritarizëm, luftënxitës dhe imperializëm, si dhe si pararendës i vërtetë i regjimit fashist. Vetëm kohët e fundit disa studime kanë rivlerësuar meritat e Krispi, duke e pozicionuar figurën e tij si burrë shteti, mes shumë dritëhijeve të kohës, kryesisht si një prej protagonistëve të Risorgimento-s dhe Italisë së pasbashkimit. Historiani Giorgio Scichilone, Profesor i Asociuar në Universitetin e Palermos, e përkufizoi Krispin si një nga ata njerëz “të rrallë dhe të mrekullueshëm” (një shprehje e marrë nga Makiaveli) që një epokë nuk është gjithmonë në gjendje të shprehë: “Atij nuk do t’i mungonte në fakt. virtytet e nevojshme: pasioni patriotik dhe perspektiva politike, të kombinuara me një ambicie të pazakontë, kokëfortësi dhe cinizëm. Prandaj, duke lënë mënjanë retorikën, në fund mund të thuhet për Krispin: kontributi i tij në ndërtimin e shtetit italian ishte vendimtar dhe kjo është ajo që duhet njohur për të, pa ekzaltim apo ostracizëm bashkëkohor dhe historiografik”.