Nga Albert Vataj
Sot, zëri i atyre zërave të venitur është kushtrimi më i potërshëm që duhet të dëgjohet. Më shumë se si një thirrje, është një zgjim në ndërgjegje, është ajo lutje, duart e së cilës zgjaten drejt nesh për ndihmë. Gjithnjë e më pak ky zë po dëgjohet! Çdo ditë e më cfilitëse është e tashmja e të moshuarve, të cilët më shumë se të braktisur nga shteti që tallet me ta, ata shpesh ndihen të mënjanuar dhe harruar edhe nga fëmijët. Kjo situatë e trisht është ajo panoramë e zymtë që shpërfaqet para vështrimit indiferent dhe trajtohet me mospërfillje e përçmim nga ata, të cilët besojnë se nuk do të plaken dhe shpresojnë se nuk do të paguajnë këtë faturë, që sot ata i bën fajtor dhe nesër viktima.
“Kur dëgjojmë për të moshuar të cilëve u është hequr pavarësia, siguria, e madje edhe shtëpia, kuptojmë se dyvlershmëria ndaj të moshuarve në shoqërinë e sotme nuk është problem i emergjencave të rastit, por shprehje e kulturës së hedhurinës, që po e helmon botën, në të cilën jetojmë”, kumtoi Papa Francesku në një audiencë katekizmi.
Më shumë se zëri i shpirtit, me të cilin ata thërrasin, është ajo pëshpëritje ankimtare që ne duhet dëgjojmë dhe ti përgjigjemi, sepse ata, ne na drejtohen, dhe ne jemi ata që përmes devocionit të përkushtimit për t’iu gjendur pranë, të shprehim mirënjohjen dhe falënderimin për aktin prindëror që ata mundën të përmbushnin, aq sa mundën, aq sa ju lejua, aq sa ne të ju jemi obligues.
Ata duan të jetojnë ende edhe pse në pritje të vdekjes që përgjon dhe u shkon nga pas në çdo hap dhe në çdo frymëmarrje. Ne duhet t’u dëshmojmë atyre se meritojnë të ken një përkujdes dhe shërbim që u’a lehtëson dhimbjet, u’a paqton shpirtin, u’a gazmon kujtimet. Po, duhet të përpiqemi që ata të mos e kërkojnë vdekjen si shpëtim, por si një etapë të rrugëtimit të tyre drejt përjetësisë. Le t’i shpërblejmë ata të shuhen me shpirtin e mbushur plot dritë, të ikin me lamtumira plot dhimbje dhe të mbeten pas nëpër copëza kujtimesh shkëlqimtare. Duhet shumë pak, për të merituar bekimin e tyre.
Dora jonë e ndihmës dhe përkushtimit, ajo dorë që del nga thellësia e shërbesës së hyjshme, është një vullnet fryme i mëkuar në mijëra ngrohtësi dhe përkëdheli, që ata na dhanë, kur bota për ne ishte një mister dhe ne kishim nevojë më shumë se për dritë, për prehëra dhe prehje, për vështrime vezulluese e zëra eteri që mbushnin ditët tona në hapat fillues të sfidës së jetës.
Ata janë etërit dhe gjyshërit tanë. Ata janë trungu, pema, pragu. Ata janë paraardhësit, lajmësit, janë përkimi përnga ne udhëtojmë, janë amaneti.
Trupi i tyre i mpakur dhe i përthyer prej rëndimit të kohës, duart e eshkura e brazdat e rrudhave që i gdhendin portretin, janë kapërcyelli. Gjithçka e tyre është e jona. Gjithçka e jona është akti sublim i jetës së tyre.
Në të numëruarin e ditëve, më shumë se kurrë ata kanë nevojë për një dorë të ngrohtë që i pushon në prehrin që gatuan bukën e ngjizur me kujtime. Ata kanë nevojë për një zë t’i largojë vetminë që i gërryen. Ata kanë nevojë, sot më shumë se kurrë për njerëz, për ngrohtësi, për dashuri.
Me vitet që i rëndojnë mbi supe e shëndetin që i përndjek, ata hiqen zvarrë duke pritur dhe përcjellë çdo ditë si të fundit. Në moshën e dytë të fëmijërisë, atyre u duhet toleruar çdo gjë, ata kanë nevojë për gjithçka.
Sot, sot në kohën e braktisjes së madhe, ata janë grupmosha që më shumë se nga asgjë përndiqen nga harrimi. Shumë prej tyre dergjen brenda katër mureve duke shpresuar se dita e vdekjes është afër. Bijë dhe bija të rrëmbyer nga shtjella përpirëse të jetës, vetëm ikin, duke mos e kthyer pas, duke lënë sy të përlotur që i ndjekin, e zemra të plasura që dhembin.
Sot është Dita e të Moshuarve, por mbi të gjitha është dita e mirënjohjes, falenderimit për gjithçka ata bënë për ne.
Gjithçka që bëjmë për ta, është gjithçka që bijt tanë na detyrohen.
Albert Vataj