“Logun e Bjeshkëve”, është një manifestim më të jashtëzakonshme kulturore, tradicionale dhe historike, me veçori unike dhe karakteristikat e spikatura që e kanë trashëguar dhe e mbajnë atë si një hajmali në gjerdanin e mrekullive të Malësisë.
I rikthyer nga kohë e largët, ky event që zhvillohet çdo vit, që nga vitin 1998, të shtunën e dytë të muajit Gusht në fshatin Lepushë të Kelmendit në vendin e quajtur Qafa e Predelecit, sinjifikon shpirtin e pasur që ka begatuar këtë tokë, këtë natyrë, këtë vend me tradita dhe vlera përfaqësuese.
Këtë vit më 13 gusht 2023, kjo ngjarje bashkon malësorët nga gjithë bota në “Log”; për të kuvenduar, kërcyer, kënduar dhe për të gjetur më të bukurën zanë të e zanave të malësisë.
I parashikuar të zhvillohet më datën 6 gusht, dhe i shtyrë për arsye të paqëndrueshmërve atmosferike, ky event do ta kthejë Lëpushën dhe Kelmendin në qendrën e botës shpirtërore të malësorëve dhe shqiptarëve.
Për të gjithë ata që vetëm kanë dëgjuar dhe do të duan të bëhen pjesë e këtij kremtimi të festës së traditës, do t’i bëjnë vetes një dhuratë të paçmuar, duke marrë pjesë në “Logun e Bjeshkëve”. Atje ata do të përcjellin, jo vetëm spektaklin e ngjyrave dhe hireve malësore, të madhështisë solemne të xhubletës dhe larminë e etnokulturës, që do të shpalosët këtë ditë festive, por do t’u jepet mundësia të takohen me vajza dhe gra të bukura, njerëz të mrekullueshëm dhe bujarë. Kësisoj do të përcjellin atë magji unike të malësore, duke e shënjuar këtë përvojë si një privilegj të përjetimit dhe pasurimit të momenteve shpirtërore.
Malsia e Madhe përmes “Logut të Bjeshkëve”, u rrëfen të gjithëve atë që ka qenë dhe do të mbetet në shekuj e shtrenjtë dhe e çmuar, amanetin e ruajtur thellë në gjirin e këtyre maleve dhe në shpirtin e këtyre njerëzve të mrekullueshëm, të thesarit të traditës, të hirit hyjnor të malësores.
Historia e “Logut të Bjeshkëve”, si lindi dhe u kultivua kjo traditë e malësorëve
Është një manifestim kulturor që zhvillohet çdo vit që nga vitin 1998 në të shtunën e dytë të muajit Gusht në fshatin Lepushë të Kelmendit në vendin e quajtur Qafa e Predelecit.
Në këtë manifestim vajzat e Kelmendit konkurojnë për të qenë më e bukura e Bjeshkëve, për të fituar kurorën “Miss Bjeshka”. Ky është një rast shumë i mirë që ju të njiheni dhe me veshjet tradicionale, këngët dhe vallet e Kelmendit.
Historia e Logut të Bjeshkëve është e hershme. Dikur njerëzit në mënyrë formale e të paorganizuar e shprehnin simpatinë e tyre për një nga vajzat apo nuset e fshatit, duke e vlerësuar atë nga hiret e saj. Ajo personifikohej si e veshur mirë, e pastër dhe shëndetplotë. Ky vlerësim bëhej në momentin që ajo shihej në rrugë për tek kroi i fshatit apo ceremoni e festa si të dielave në Kishë. Ajo kthehej në simbol të bukurisë dhe të gjithë mundoheshin ta imitonin në mënyrën se si ajo , vishej, sillej, ecte, këndonte. Dikur kjo ditë logu kishte karakter fetar ajo zhvillohej diten e Shna Prendes, në Malësi njihej si festa e bjeshkatarëve, ndaj kjo festë ka marr emrin “Logu i Bjeshkeve”.
Ndër vite në zonën e Kelmendit ka ekzistuar një “log” që në ato kohëra quhej ‘Logu i Nuseve’ ,ky “log” filloi në kishat kryesore të fshatrave të Komunës Kelmend: Selcë, Vukel, Vermosh. Nuset merrnin pjesë në këto fshatrave në mungesë të kishave të tjera dhe udhëtonin disa orë për të arritur në meshë. Pas meshës të gjithë banorët e fshatrave organizonin një spektakël që në këtë zonë quhet: ”log” (një fushë ku mblidheshin të gjithë banorët e fshatrave për të parë nuset e atij viti që ishin martuar në këto fshatra dhe për të përzgjedhur më të bukurën). Në vitin 1998 nga “logu i nuseve” ky spektakël u quajt “Logu I Bjeshkëve” ku tashmë nuk janë nuset por vajzat e fshatrave që marrin pjesë në këtë konkurs jo vetëm bukurie dhe përzgjidhet më e bukura. “Logu” ka mbi të gjitha një vlerë të jashtëzakonshme artistike dhe kulturore pasi shfaqet përveç bukurisë edhe trashëgimia kulturore e trevës, veshjet karakteristike, vallet, këngët, instrumentet, lojërat popullore etj.
Në këtë konkurs bukurie tradicionale marrin pjesë nga e gjithë Shqipëria dhe nga diaspora, emigrantë po konkurrojnë edhe bukuroshe nga Vuthajt dhe Rugova kryesisht. Secila trevë përfaqësohet me veshjen e vet popullore karakteristike. Mosha e vajzave pjesëmarrëse është nga 15-25 vjeçe. Organizohet nga Komuna Kelmend në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore ‘Jehona e Kelmendit’. Çdo vit marrin pjesë ansambli artistik i Kelmendit dhe këngëtarë e humoristë të ftuar.
Albert Vataj
(Fotot i kam bërë gjatë Logut të Bjeshkëve të 8 gushtit të vitit 2021)