Nëse jeni kureshtar të njihni Marilyn Monroe, këtë grua që u shua duke shkëlqyer në qiellin e natës së mistershme të ëndrrës amerikane, më saktë se përmes asaj çfarë ajo mendon, për vete dhe jo vetëm, nuk do të mundni, sikur të përpini çfarë kanë shkruar biografë të talentuar dhe zejtarë të shpirtit krijues. Marilyn Monroe nuk i’a lejoi askujt të tregonte për vete, veç vetes së saj, një vetvete që rëndom haset me vështirësi në kohën që pasoi dhe së cilës i përkasim, ku secili VIP përpiqet të shtiret, të gënjejë, ta fshehi veten madje edhe ndaj vetes, i/e përndjekur nga një frikë për të qenë kthjelltësish të sinqertë.
Jeta e saj përrallore erdhi nga një e shkuar jo shumë vezulluese, kohë për të cilën ajo fliste pa droje. “Mbaj mend, thoshte ajo, kur isha në shkollë të mesme nuk kisha një fustan të ri për çdo rast të veçantë. Vajzat më sillnin në vëmendje faktin, jo gjithmonë me shumë delikatesë. Djemtë, megjithatë, nuk u mërzitën kurrë me këtë temë. Ata ishin miqtë e mi, jo për shkak të madhësisë së garderobës sime, por sepse më pëlqenin.”
“Unë jam egoiste, e padurueshëm dhe pak e pasigurt. Unë bëj gabime, jam shpesh jashtë kontrollit dhe në momente të vështira për t’u trajtuar. Por nëse nuk mund të më përballosh në situatën time më të keqe, atëherë sigurisht që nuk më meriton në gjendjen time më të mirë” thoshte Marilyn Monroe.
“Unë nuk e konsideroj veten intelektual. Dhe ky nuk është një nga qëllimet e mia. Por unë i admiroj njerëzit intelektualë” shtonte modestisht ajo.
“Papërsosmëria është bukuri, çmenduria është gjeniale dhe është më mirë të jesh absolutisht qesharak sesa absolutisht i mërzitshëm”, ironizonte ajo. “Unë nuk e shikoj veten si një mall, por jam i sigurt se shumë njerëz e shohin” dhe kjo ndoshta nuk ka të bëjë tamam me sistemin se sa me karakterin.
Edhe pse ishte dhe mbeti një yll, ajo dinte edhe të goxonte duke përkufizuar se: “Nëse do të kisha respektuar të gjitha rregullat, nuk do të kisha arritur askund.”
OLIVER!, Jack Wild, Mark Lester, 1968
“Unë jam e mirë, por jo një engjëll. Unë bëj mëkate, por nuk jam djalli. Unë jam thjesht një vajzë e vogël në një botë të madhe, duke u përpjekur të gjej dikë që ta dojë”, këtu kemi të bëjmë me rrëfim me zemër në dorë.
“Suksesi bën që shumë njerëz të të urrejnë. Uroj që të mos ishte kështu. Do të ishte e mrekullueshme të shijonit suksesin pa parë zili në sytë e atyre që ju rrethojnë”… por kjo nuk ka gjasë të ndodhë.
“Mendoj se seksualiteti është tërheqës vetëm kur është i natyrshëm dhe spontan”, kështu mendonte Marilyn Monroe, një nga gratë më seksi të kohës
Edhe unë kam ndjenja. Unë jam ende njeri. Gjithçka që dua është të më duan, për veten dhe për talentin tim.
Duke folur hapur dhe bukur për gruan dhe bukurinë, shansin që ajo të ndihet seksi dhe e vlerësuar, ajo ishte e prerë: “Një nga gjërat më të mira që më ka ndodhur është se jam grua. Kështu duhet të ndihen të gjitha femrat.”
Nuk e di kush i shpiku takat e larta, por të gjitha femrat i detyrohen shumë.
Natyrisht se në jetën e saj të stuhishme, Marilyn Monroe, kishte edhe momente reflektimi pas ulje-ngjitjeve. Kësisoj ai mësohet të jetë shprehur: “Po mundohem të gjej veten. Ndonjëherë kjo nuk është edhe aq e lehtë.”
“Një grua e di me intuitë ose instinkt se çfarë është më e mira për veten e saj.”
Duke folur për atë çfarë ajo ishte dhe si ne e njohim atë, theksonte: “E dija që i përkisja publikut dhe botës, jo sepse isha e talentuar apo edhe e bukur, por sepse nuk i përkisja kurrë asgjëje e askujt tjetër.”
Megjithatë, “Hollivudi është një vend ku ata do t’ju paguajnë një mijë dollarë për një puthje dhe pesëdhjetë cent për shpirtin tuaj,”, e trisht por e vërtetë.
“Një aktore nuk është një makinë, por ata të trajtojnë si një makinë, një makinë parash”… të mbetet ta pranosh nëse nuk je e përgatitur t’i japësh fund ëndrrave tua, të përfundosh në një gjendje që më shumë se të trishton dhe bën të vuash, të akuzon si fajtore.
Kjo është bota ku jetoi dhe kur jetoi, Marilyn Monroe…, por që mbeti e tillë edhe sot.
Albert Vataj