Për Gustav Klimt dihet shumë pak. Për personalitetin e tij është e mundur të përftohet vetëm përmes një leximi të kujdesshëm të veprave të tij, asaj galerie të jashtëzakonshme simbolizmi, ngjyrash dhe trajtash, fuqish shpërthyese të shprehis së shpirtit dhe thellësisë së mendimit. Vetëm kësisoj, mund të arrijmë ndoshta të kuptojmë disa veçori të shpirtit të tij. Ai kurrë nuk meri pjesë në jetën shoqërore vjeneze, së cilës i përkiste si një artist kalibri. Ai tregon mosinteresim për politikën dhe shpërthimi i Luftës së Parë Botërore nuk ka asnjë efekt në atë botë në të cilën ai vendos të refuzojë.
Megjithatë… “Ata që duan të dinë më shumë për mua, pra për artistin, të vetmin që ia vlen të dihet, shikojnë me kujdes pikturat e mia për të zbuluar se kush jam dhe çfarë dua”, nënvizoi ai.
Duke vijuar se çfarë thotë për veten ne përcjellim kësodore: Unë jam i mirë në pikturë dhe vizatim. Unë e besoj vetë dhe e thonë edhe të tjerët, por nuk jam i sigurt nëse është e vërtetë. Unë di vetëm dy gjëra me siguri:
1. Nuk ka autoportret timin. Nuk më intereson personi im si “objekt pikture”, më interesojnë të tjerët, sidomos nëse janë femra, por edhe më shumë për forma të tjera. Jam i bindur se personi im nuk ka asgjë të veçantë. Unë jam një piktor që pikturoj çdo ditë nga mëngjesi në mbrëmje. Figura dhe peizazhe, portrete pak më pak.
2. Nuk ia vlen shumë të flas apo të shkruaj, aq më pak nëse më duhet të shpreh veten apo punën time. Thjesht nga ideja që duhet të shkruaj një letër të thjeshtë, ankthi më pushton si sëmundje deti. Kam frikë se do të na duhet të bëjmë pa një autoportret timin artistik apo letrar, por nuk është një humbje e madhe. Kushdo që dëshiron të dijë më shumë për mua, pra për artistin, i vetmi që ia vlen të dihet, shikojë me kujdes pikturat e mia për të gjurmuar se kush jam dhe çfarë dua.
Sipas Klimt, Asnjë fushë e jetës nuk është aq e vogël dhe e parëndësishme sa të mos ofrojë hapësirë për aspiratat artistike. Ata që dinë të shohin gjëra të bukura janë të tillë, sepse kanë bukurinë brenda vetes së tyre.
Shkrimtari dhe poeti vjenez, Peter Altenberg mendonte se [Gratë në portretet e Gustav Klimt ] … janë të gjitha krijesa që i shpëtojnë rëndimit të tokës, pavarësisht nga pozicioni i tyre në jetën reale, dita dhe koha. Ato janë të gjitha princesha për botë më të mira dhe më delikate. Piktori i pa kështu, nuk e la veten të mashtrohej. Me të drejtë i ngriti në idealet që këndonin e rënkonin në to.
Ndërsa për historianin e artit, Federiko Zeri “Universi i Klimt-it përqendrohet te gruaja si një idhull jo i shëndetshëm dhe obsesiv dhe merr sfidën e moralizmit të nisur tashmë nga Schnitzler dhe Hofmannsthal, nga mizogjinia e Weininger-it ose nga motori erotik i Frojdit. Ja, pra, trupat e dekompozuar ose të ripërthithur në një dekoratorizëm shumë aludues, por në shndërrimin e përjetshëm të qenies njerëzore, edhe fuqia e paqartë erotike e femme fatale i nënshtrohet spektrit të vdekjes.
Sipas tij, Gustav Klimt është i magjepsur nga joshja femërore, të cilën ai e rrit me vlerën e rrobave dhe mjediseve në një himn për bukurinë. Si interpretues i shkëlqimit vjenez, ai është një artist i vlerësuar dhe e sheh vlerën e pikturës së tij të njohur.
Gjithëpoaq, Gustav Klimt mishëron në mënyrë elegante atë lëvizje të quajtur “shkëputja vjeneze”. Kjo rrymë artistike u lind nga nevoja për të thyer traditën, për t’iu afruar botës së natyrës dhe aspekteve më të fshehura të shpirtit njerëzor.
Albert Vataj