Asht nadje korriku, dilli lan me dritë tan’ ç’ka sheh. N’mu asht prush malli, qi përpushet në çdo hap qi çapit nëpër rrugica dhe kujtime. T’pakt janë ata qi pahen me dritën e vezullimtë t’agut n’kyt orë t’ditës kur avllit djersin, e xhamave duken t’drojshme gjurmët e nji dëshirimi t’flakun. Hala ka gjum n’syt qi puliten tamëlcimit t’nji paqeje t’hyjt qi pikon nan rrezet qi u bien kambanave. Ka dëshirim, n’andrra kridhen e n’petka pshtillen, e drujn me ju dhan zgjimit me kaq përngut.
Qepenat janë çue, e tarabat përgjys janë çil. Lulet janë ujitë tekaty ku kanga shkodrane ndigjohet e përkund me tamëlcim andjen qi nepet, e buzën qi puthet, synin qi lan me ujë pusi, e dehjen qi merr n’erë drandofillesh.
Jam çue heret, jo si tue dasht me kujtu përngutin me xan radhën e tamlit apo djathit, si dikur motit, por me i kap gafil rrugicat dhe udhët, zbrazun prej hapave qi turravrapin, e shkujdesjes qi rrok ditën zedhshëm. Kam nji Panasonic dhe zemrën, qi shkon kah nji ndijim i përmallëshmë prin, e njashtu unshëm don me fokusu çdo gja, qi syni sheh e shpirtin përflak.
Asht nadje… heret!
Nëpër Shkodrën e hireve t’hyjshme, e nurit qi t’këndellun n’amëcim, turrem, si në krahët e njati pasioni qi mundet me m’njit njaq nalt, sa gjaset vetëm nji dëshirim shpirtnor me t’çu, tue dasht me m’përkund n’prehnin e t’tashmes e me m’kredh n’krahnorin e t’shkumes, përmallshëm e pikëllushëm.
Shkoj me hapat t’ngadaltë, drojshëm si ai fmija i xanun n’faj, tuj shëtit nëpër tisin e hollë t’kujtimeve qi shpaloj n’andje. Tash s’kam se ku me u struk, si dikur, nan nji bohçe, a poshtë nji prehni, veç mbas t’shkumes, qi përtrihet mirazheve e përfytyrimeve qi rreken me i riba vitet e shkume, e me i rikthy n’jet ata qi shkuen qiellit t’lamtumirave e detit t’lotëve. Jam i prekun prej mallit dhe melankolisë, bash si ti qi don me u ndi vedja në këto fjalë e përjetime, si ti qi ndalon te ky përjetim, te k’to foto, tekkëtu ku due edhe pse druj me riardh, mbas ikjesh qi m’çunen larg, e pritjesh qi mu shndrrun n’plagë.
Asht nadje… me dillin qi dritt!
Hova e u lshova n’krahët e njatij përjetimi, qi m’pret andshëm, si tuj dasht me u përkund ndër t’voglat gjana e gjendje, që t’majn lidhun me ç’ka ka shkue, për mos me u thye kurrë ma. Çastet qi m’kthejnë n’Shkodër, meten hajmali t’varuna degve, qi nuk u thyen dimnave t’ndarjes, e pemve qi nuk i thau vera e mungimeve. M’rrokin me tan dëshirim e am, njaç sa me mujt me i’a ndi shpirtin qytetit, t’rrahmen e asaj zemre mijëvjeçare, si tik-takun e nji zogu mitik, qi ka xan vend n’at krahnor ku ladrojnë lumej e kapërdijen maja, e shkrihen n’galdimi e hoka, si n’gzime njashtu edhe n’morte.
Asht nadje… ma heret se zgjimi!
Kishte kohë që më ngucte një vullnesë me u turr’ në Shkodër e më u lëshu përplot me pasion një sipërmarrjeje fotografike, me fokusu çdo copë të këtij hiri hyjnie, që kjo nahi ka marrë, me i’a dhan’ veten pa droje kësaj prekjeje magjike e kjartësie, që kjo bukuri rrezaton sot gjithkah, ku më ngucatin kujtime.
Kohëshumë kishin mbetur përmbas’, qi nuk kjesh përfshi n’nji shëtitjeje nadjes s’Shkodrës, në atë vakth qi qyteti duket si një nuse nën duvak, si nji hir qi dron me u pa. Rrezet e para t’dillit lshohen mbi përpiqet e shpive t’vjetra, mbi qiparitet hijeranda n’Rrmaj, me njaq hare e urdhnim, si mbi kumbanjela e mbi minare.
Si nji cohë e hollë e endun mrazit të pritjes së Penelopave, shtrihet ajo lpe drite krejtkah syni rrok me vështrim e padurimin me ju kthye asaj qi ka shku, me prek e drithrue ato epje qi i ka thye copash harrimi.
Kqyr krejtkah kjo dritë qi bjen nji ditë, tuj e kërsit tinzash nëpër porta t’drunjta, e tuj gjujt guraleca nëpër dritare. Kësodore mundet me nguc fminin, e trazimet që na ngjyjn edhe tash me bojën e fajit.
Asht nadje… e un’ ndihem plot!
Si nëpër andrra i përshkova, rrugicat, krejtkah e shkumja kishte mujt me rujt brenda meje kujtime e gjasmime. Tuj ik, tuj prek e tuj shkel gjanat që ngucatin për me zgju përgjumjen që pluhuni i harrimit i asht lshu si rrobë përsipër.
Nuk muj me than se qysh’kur, po krejçka trazoj kjo shëtitje nëpër këtë nadje haret, n’pik t’sabahit, po dote me m’kthye te gjurmët qi ikja s’kish mujt me i marr me vedi, bashkë me nji grusht dhé e do fara lulesh. Po, me m’pru te t’lumet kujtime.
Dugajt e Reja e kanë shpalu kandën e kahershme që struket nëpër urdhnesa burrash t’mdhej e dashnish t’shpuzta, historish tragjike e tregimtarishë t’ambëlsume. Gjuhadoli, tash i asht kthy triumfalisht t’shkumes së vet, tue dasht me shndrit n’nji kohë tan hirin e vet, e t’ue çapit hapave qi shkojnë e vijnë, natave t’vona nan han, e mramjeve t’turrshme frymëmarrjeve t’ngutshme, e shikimeve t’prushuta.
Asht nadje… e unë shkoj kah m’çon zemra, e tankun takoj “Nadja e mirë!” i tham, e “Mirë se t’pruni nadja!” marr, e përlaj me sy e me shpirt çdo gja qi m’ban me u ndi mushun me dritë agu, e kallun n’diell malli.
E tash, m’duhet me kthy te ikja qi m’mban t’lidhun n’vargonj malli, tash qi dita ka xan e dritt ma shum’, e dilli m’nez n’sy nji pamje qi flaket ngjyrave. Shkoj e xa vend te çdoditshmëria jeme plot vargje e vragë, andje qi frymojnë e ngulme qi teptisen.
Albert Vataj