Van Ejku hodhi themelet dhe përcaktoi natyrën, karakterin, përmbajtjen e pikturës flamande, e të një radhe stilesh pikturore të shekullit të mëvonshëm. Kështu, format e buta dhe të prekshme, modelimi i tyre me shkallëzimet e holla të dritëhijeve, shkrirja organike me njëra-tjetrën, si dhe ndërthurja e ngjyrave transparente me ato jotransparente, që u jep tablove të tij një tonalitet të ëmbël e pasqyrues, e tregojnë Van Ejkun si pararendës të pikturës realiste dhe asaj paraimpresioniste të shekullit të 19-të.
Jan van Ejk (Jan van Eyck) vlerësohet si piktori më aktiv i Bruges, dhe një nga novatorët e hershëm të asaj që u bë e njohur si piktura e hershme holandeze. Gjithashtu ai mbamendet si një nga përfaqësuesit më domethënës të artit të Rilindjes së Hershme Veriore. Të dhënat e mbijetuara tregojnë se ai ka lindur rreth viteve 1380-1390, ka shumë të ngjarë në Maaseik (atëherë Maaseyck, pra emri i tij), në Belgjikën e sotme. Ai u punësua në Hagë rreth vitit 1422 kur ai ishte tashmë një piktor mjeshtër me asistentë në punishte dhe u punësua si piktor dhe shërbëtor i dhomës me Gjon III të Pamëshirshmit, sundimtarin e Holandës dhe Hainaut. Pas vdekjes së Gjonit më 1425, ai u emërua më vonë si piktor oborri te Filipi i Mirë, Duka i Burgundisë, duke punuar në Lille derisa u transferua në Bruges më 1429, ku jetoi deri në vdekjen e tij. Ai u vlerësua shumë nga Filipi dhe ndërmori një numër vizitash diplomatike jashtë vendit, duke përfshirë në Lisbonë në vitin 1428 për të eksploruar mundësinë e një kontrate martese midis dukës dhe Isabelës së Portugalisë.
Rreth 20 piktura të mbijetuara i atribuohen me siguri atij, si dhe altartari i Gentit dhe miniaturat e ndriçuara të Orëve Torino-Milano, të gjitha të datuara midis 1432 dhe 1439. Dhjetë janë të datuara dhe të nënshkruara me një variant të motos së tij ALS ICH KAN, një lojë fjalësh me emrin e tij, të cilën ai e pikturonte në mënyrë tipike me karaktere greke.
Van Eyck pikturoi lëndë laike dhe fetare, duke përfshirë altare, figura fetare me një panel dhe portrete të porositura. Puna e tij përfshin panele të vetme, diptik, triptik dhe panele poliptike. Ai u pagua mirë nga Filipi, i cili kërkonte që piktori të ishte i sigurt financiarisht dhe të kishte liri artistike, në mënyrë që të mund të pikturonte “kur të donte”. Vepra e Van Ejk vjen nga stili gotik ndërkombëtar, por ai shpejt e eklipsoi atë, pjesërisht përmes një theksimi më të madh mbi natyralizmin dhe realizmin. Ai arriti një nivel të ri virtuoziteti përmes zhvillimeve të tij në përdorimin e bojës së vajit.
Ndonëse jetuan e punuan në perëndimin e artit mesjetar, vëllezërit Hibreht dhe Jan van Ejk nga pikëpamja teknike meritojnë të quhen pionierë të artit rilindës, më tej, dhe të atij bashkëkohor, sepse teknika e pikturimit me ngjyra vaji që shpikën i zuri vendin asaj me tempera që përdornin piktorët mesjetarë dhe u vu në bazë të të gjithë pikturës së mëvonshme deri në ditët tona. Me këtë shpikje vëllezërit Van Ejk kurorëzuan përpjekjet e artistëve që prej Greqisë së Lashtë, për të gjetur përzierjen e përshtatshme, që ngjyrat, duke u vendosur mbi një material tjetër, me kohë të mos e humbisnin shkëlqimin fillestar, të lejonin korrigjimin e të metave të ndryshme gjatë punës dhe, së fundi, të mund të krijonin efektet e dëshiruara.
Hubert dhe Jan van Eyck, Gent Altarpiece , përfunduar 1432. Katedralja Saint Bavo , Gent
Për hir të së vërtetës duhet të themi se dukuria e shpikjes së pikturës me ngjyra vaji është ende e paqartë. Dëshmi të pjesshme të asaj kohe dhe kërkimet e viteve të fundit flasin për një përdorim më të hershëm se ai i Van Ejkëve, sidomos në pikturën murale. Ne do të mbahemi te thënia e Vasarit: «Van Ejkët kishin shpikur një procedurë…, e cila i bënte aq të shkëlqyeshme ngjyrat, sa lyerja me vernik nuk ishte më e nevojshme…».
Dimë, gjithashtu, që shpikja e Van Ejkëve zgjoi interesimin e madh të piktorëve italianë, spanjollë e gjermanë, dhe u solli vëllezërve, veçanërisht Janit, emër të madh që kur ishte gjallë.
Jan van Eyck , Dutch painter (1390 – 1441) Annunciation c. 1420, oil on board, 77.5 × 66.5 cm Metropolitan Museum of Art
Së bashku me teknikën e re dhe efektet e shkëlqyera që ajo siguronte, emrin e Jan van Ejkut e bënë të njohur edhe përmbajtja humane, mprehtësia e vëzhgimit, paraqitja e hollësishme, disi miniaturiste, e sendeve dhe e figurave, si dhe larmia e gjinive që ai lëvroi.
Tablotë fetare në hapat e parë si dhe portretet, natyrat e qeta e peizazhet, më pas, mbi të gjitha dallohen për frymën e lartë humane. Ndryshe nga pasardhësit rilindas, Jan van Ejku nuk e idealizonte figurën, por me motive të zgjedhura midis sendeve krejt të zakonshme i afronte hyjnoren me tokësoren dhe të përkryerën me të përditshmen. Këto motive ai i vëzhgoi dhe i pikturoi me durimin e miniaturistit, duke i dhënë kësisoj stilit të tij një aromë krejt të veçantë. Me këtë stil Van Ejku hodhi bazat figurative të pikturës flamande. Konceptimit strukturor, gjeometrik dhe dinamik të pikturës bashkëkohore italiane, kjo e fundit i vuri përballë konceptimin analitik, meditativ, me forma të qeta e të palëvizshme në hapësirë si nga ana figurative, ashtu dhe nga ajo psikologjike.
Jan van Eyck , Dutch painter (1390 – 1441) The Madonna of Canon van der Paele 1436, oil on panel, 124.5 x 160 cm Jan van Eyck , Dutch painter (1390 – 1441) Madonna of Chancellor Rolin ca.1435, oil on board, 66 × 62 cm Louvre Museum
Te “Njeriu me turban të kuq”, ndoshta autoportret i piktorit, shohim qartë gjithë ç’thamë më lart. Format dhe materia të punuara me hollësi, trajtat mjaft karakteristike dhe vendosja paksa në profil, shprehja plot mirësi dhe ndjenja e qetësisë që rrezaton e ngrenë figurën nga paraqitja e zakonshme në lartësinë e një karakteri human e fisnik. Drita e ëmbël që lan portretin, kalimet e buta tonale të së kuqes, së gjelbrës e vishnjave, më tej, shkrijnë në një ngarkesën vizuale me atë psikologjike.
Mund të themi se fuqia tërheqëse e këtij portreti, po aq dhe e një radhe veprash të kësaj gjinie, si ai i së shoqes së piktorit, i “Çifti Arnolfini”, i Jan de Leuvit etj., qëndron sa në teknikën e përkryer pikturore e në materien plot shkëlqim, aq edhe në dashurinë e thellë me të cilën Van Ejku hodhi në tablo figurat e sendet e ndryshme. Vështrimi i qetë, qëndrimi dinjitoz i personazheve, trajtimi poetik, sikur të ishin të gjalla, i një njeriu, i një tavoline, pasqyre apo sendi krejt të zakonshëm, peizazhet në sfond të ngarkuara plot poezi kanë mjaft nga karakteri i Van Ejkut. Ai është ndër piktorët e rrallë që ka arritur t’u japë shpirt tablove të tij, të shkrihet me personazhet e, njëherësh, të qëndrojë para tyre.
Nga mjetet shprehëse të gjuhës pikturore të Van Ejkut dallohet trajtimi i veçantë i dritës natyrore, Pikërisht me lojën saj ai mundi që për herë të parë, në mënyrë të plotë, të organizojë hapësirën e tablosë sipas asaj që në pikturë njihet me emrin “perspektiva ajrore. Ndryshe nga piktorët e Rilindjes së Hershme italiane, ata spanjollë e gjermanë, që ndiqnin rregullat e perspektivës lineare dhe i drejtonin vijëzat e tablosë në një pikë, Van Ejku i bashkonte këto të fundit jo në një, por në disa të tilla. Kjo lloj perspektive është më e plotë dhe më shprehëse se ajo lineare, ngaqë nuk i ndërvar përmasat e objekteve prej largësisë, nga e cila ato shihen. Njëkohësisht, duke e afruar perceptimin e sendeve në tablo me atë në atmosferë ku ato shquhen përmes një tisi të hollë mjegullor, ajo u jep planeve të ndryshme të tablosë më shumë vijueshmëri dhe harmoni.
Jan van Eyck, Dutch painter (1390 – 1441) Annunciation between around 1434 and around 1436 oil on canvas, 902 x 341 National Gallery of Art in Washington, DC
Në të vërtetë, artistët më të spikatur të të gjitha epokave, duke trupëzuar në tablo raportet intuitive të njeriut me hapësirën dhe duke krijuar hapësira me një strukturë më të fortë se ajo që perceptohet në natyrë e në jetën e përditshme, janë përpjekur të shpjegojnë lidhjet e njeriut me botën dhe, më tej, me krejt universin. Ndryshimet politike, shoqërore dhe ekonomike të shoqërisë, botëkuptimi fetar, filozofik, estetik dhe mitologjik i saj janë shoqëruar me këto raporte, ndaj përpjekjet e Van Ejkut për të shprehur në një mënyrë të re lidhjet e njeriut me botën zënë fill në lindjen dhe fuqizimin e botë kuptimit të ri të shtresës së mesme tregtare flamande. Pasqyrë e shpirtit praktik të kësaj shtrese, gjuha figurative e Van Ejkut kërkoi të futë hapësirën e jetuar në atë plastike, universin e jetës së përditshme në atë të legjendës, botën e ndjenjave në atë të njohjes. Prej këtej buron konceptimi i ri hapësinor i tij, ndoshta edhe mprehtësia e thellë e vëzhgimit, fryma realiste e paletës që hedh në tablo figurat e sendet, pa lënë pas dore paraqitjen e hollësishme të tyre. Hollë-hollë këto cilësi, me sensin e zhvilluar të ngjyrës dhe materien e shkëlqyer si një sipërfaqe e emaluar, formojnë stilin e veçantë pikturor të Van Ejkut. Së bashku me Mjeshtrin e Femalles dhe Masaçon në Itali, sidomos me konceptimin e ri hapësinor që solli, ai priu pikturën e krejt kontinentit që lulëzoi në fillim të viteve ’20 të shekullit të 15-të.
Me këto stile Van Ejkun e lidh edhe tërheqja e madhe nga skenat familjare e sendet e zakonshme. Në veprën më të mirë të tij, të mbajtur edhe si tabloja më e shquar e epokës, “Xhovani Arnolfini dhe gruaja e tij”, fryma realiste, ngarkesa psikologjike, e ngrohtë, njerëzore, e shprehur nga figurat e qeta, qëndrimi meditativ, gjestet dinjitoze, si dhe pikturimi plot dashuri i mobileve, qirinjve, pasqyrës, nallaneve etj., do të arriheshin veçse dy shekuj më pas po prej mjeshtërve të shkollës flamande: Brygelit, Van Dikut dhe Rembrandtit.
Jan van Eyck , Dutch painter (1390 – 1441) Madonna in the Church, c. 14381440, oil on board 31 x 14 cm Gemäldegalerie, Berlin Jan van Eyck , Dutch painter (1390 – 1441) Madonna at the Fountain 1439, oil on board, 19 x 22.2 cm Royal Museum of Fine Arts, Antwerp, Belgium
Vjen e del kështu në pah një tjetër anë e botës së artit: ndikimi i klimës politike në mbrothësinë e punës së artistit. Ndryshe nga shumica e artistëve italianë, që ishin të shtrënguar të punonin nën diktatin e kërkesave, të shijeve dhe të porosive të pushtetit autoritar politik dhe të zotërve të fuqishëm të kishës, Van Ejku dhe artistët e tjerë të Vendeve të Ulëta krijuan në kushtet e një shoqërie më demokratike, për rrjedhim, me një pavarësi më të madhe ekonomike e shoqërore. Kjo u dha mundësi që, krahas subjekteve fetare dhe portreteve të porositura, të lëvronin edhe tablo me skena nga jeta e përditshme, portrete familjare, natyra të qeta dhe peizazhe. Tri veprat më të njohura të Van Ejkut, si «Burri me turban të kuq, “Xhovani Arnolfini dhe gruaja e tij”, si dhe portreti që piktori i bëri së shoqes tre vjet para se të vdiste e të cilin e kanë vlerësuar …po aq imponues sa ata të Holbainit, po aq të lumtur sa ata të Rafaelit, i përkasin pikërisht kësaj pjese të artit të tij.
Në lulëzimin e veprës së Jan van Ejkut ndikuan edhe lehtësitë e shumta që pati në jetë. Në cilësinë e ambasadorit ai udhëtoi në vende të ndryshme dhe pati mundësi të njohë drejtpërdrejt artin italian, spanjoll e gjerman. Po kaq u interesua për zbulimet shkencore. Sipas dëshmive të kohës, Van Ejku njihte mirë anatominë, gjeometrinë dhe perspektivën, dije këto që padyshim kanë lënë gjurmë në frymën analitike, palëvizshmërinë e pamjeve dhe në qëndrimet disi të ngrira të personazheve që vihen re në tablotë e tij e në krejt artin e vendeve të Ve- riut.
Jan van Eyck , Dutch painter (1390 – 1441) Diptych: Crucifixion and the Last Judgment around 1430, and the canvas (transferred from the panel), r 55.5 × 19.7 cm Fletcher Foundation Museum
Kur mbylli sytë më 1441, Jan van Ejku njihej në të gjithë qendrat kryesore artistike evropiane. Në Gjermani veprat e tij ringjallën entuziazmin për pikturën, e cila kishte rënë në letargji pas shkëlqimit gotik. Në Spanjë e vlerësonin aq shumë sa, sikundër Van Luni, “ia paguanin tablotë me aq kilogram flori, sa peshonin”. Me frymën realiste vepra e Van Ejkut solli një rifreskim të vetë pikturës italiane, ndërsa në Flandër ajo përcaktoi karakterin, natyrën dhe përmbajtjen e artit. Një shekull më vonë, po këtu, këtë gjë do të bënte Pitër Brygeli, ndërsa dy shekuj më pas, Piter Paul Rubensi. Të tre së bashku, këta artistë të mëdhenj i dhanë Belgjikës së sotme vendin e nderuar që mban në botën e artit.
Në burimin më të hershëm të rëndësishëm për van Eyck, një biografi e vitit 1454 në De viris illustribus të humanistit gjenovez Bartolomeo Facio , Jan van Eyck quhet “piktori kryesor” i kohës së tij. Facio e vendos atë në mesin e artistëve më të mirë të fillimit të shekullit të 15-të, së bashku me Rogier van der Weyden , Gentile da Fabriano dhe Pisanello . Është veçanërisht interesante që Facio tregon po aq entuziazëm për piktorët holandezë sa për piktorët italianë.
Ky ishte Jan van Ejk, mjeshtri flamand i pikturës, ai që solli risi dhe përcaktoi caqe dhe rregulla, sanksionoi vlera të shprehis artistike përmes ngjyrës dhe dritës.
Përgatiti: Albert Vataj