Ditët që kalojnë dhe nuk ta dëgjoj zërin, janë ditë të shurdhra, nëpër të cilat kalon një heshtje e ftohtë, një heshtje e pazëshme që drithëron e të ngërthen nëpër kulmime mendimesh dhe përjetimesh, si në një botë imagjinare që del nga limfa e shpirtjeve.
Koha që ikën dhe pranin tënde e përpin harrimi, është zbrazëti që më flak tej në asgjënë e përjetimeve, në atë boshllëk që i shpërbën të gjithë gjendjet dhe lë pas një hapësirë pa skaje, një çdogjëshmëri që vjen dhe shkon, duket dhe zhduket, për të krijuar një pështjellim dhe një ndjenjë që të cyt e të ngas. Është një mungim, të cilin e ndjen që nuk është pranë teje, pikërisht prej dëshirimit për të gjetur një prehër për pak prehje dhe një sup ku të mbështetësh kokën.
Një vetmim trazimtar më kujis si një zë vajtimtar, të cilin nuk dua ta dëgjoj, e megjithatë ai është aty te gjërat dhje gjendjet që më rrethvijnë. Ti je atje në një largësi që e shumëfishon heshtja, në një ikje që të çon gjithnjë e më larg, në një mall që kafshon si një dhimbje e hershme mungimi.
Ndoshta koha që kalon dhe ne jemi larg njëri-tjetrit, është sprova për zemrat që drithërojnë, e shpirtrat që shndërrohen në frymë, në frymën që na ngre gjoksin përpjetë dhe në ngërthen në përjetime të gjithfarshme, duke na thirrur në fluturime si zogj të hutuar që kërkojnë pemët ku kanë lënë foletë.
Mos u frikëso nga heshtja e shtrenjta ime, sepse ajo në një përpjekje të të flasë me zë shpirti, preferon të hesht, si një solemnitet që të merr në krahë të bardhë resh dhe të zbret në altare magjepsëse, aty ku flet veç shpirti dhe dëgjon pafundësia.
Nga mungimi të mos ndihesh e vetmuar. Nga prania e përfytyruar të jesh si në një përkundje andjesh që të shpien ku vetëm shpirti dhe ndijimi mund të shkojnë, dhe ti. Dhe ti të jesh aty, si në një botë përrallash që të kthejnë pas në vitet e fëmijërisë, atje ku sa herë ke dëshiruar të shkosh, jo dhe aq për të ribërë gjërat, se sa për t’i përjetuar deri në pikën e fundit çdo curril të këtij burimi, ku ti shuan etjen dhe ndez përjetimet.
Thellë brenda teje është një botë që rreket të krijojë një realitet imagjinar, një tashmëri çastesh të mbushura me vështrime zjarrvënëse e prekje prushëse. Ndoshta këtë e ke të vështirë ta kuptosh, nën rrëmbimin e rutinores së çdoditshmërisë, por diçka si prej drite nis të shpërfaqesh, ndërsa bie në ajrin e qetësisë dhe kërkon frymëmarrjen të të përpushi gjendjet brenda teje.
Mbylli sytë dhe përpiqu të kapërcesh murin që vetja jote të mban të rrethuar dhe hidhu në prehrin e një idilike dehëse, të cilën e mëkojnë ndjenjat dhe e ledhaton një drithërimë e drojshme. Jeto qoftë edhe një moment të vetëm dhe mjaftohu me aq, se fundja, e shtrenjta ime, prej një shpërthimi erdhi gjithësia dhe kaq mundet që të na sjellë te njëri-tjetri, për t’u parë dhe përjetuar. Një, vetëm një çast, sa një Bing-Beng.
Ti je aty me mendime, me zemër dhe përjetim, te çdo çast ku përfytyrimi përpiqet të ribëjë figurshmëritë e asaj që ne jemi, e asaj që ne mëkojmë përmes syve që shohin, prekjeve që shkujdesen dhe përjetimeve që na fusin në trazim.
Ne jemi në botë të ndarë, sepse ndarja i mban bashkuar shpirtrat, ndezur zemrat, dritur vështrimesh.
Lexoje këtë letër, me nevojën për ta rilexuar, ndoshta si me dëshirën për ta përjetur thellë dhe fuqishëm atë që na mban të ndarë dhe dëshirimin për të qenë pranë.
Bëje nëse e ndjen!
Albert Vataj
9 korrik 2023