Nga Albert Vataj
Grupi i gjakut mund të tregojë shumë për të fshehtat e karakterit tuaj. Vetëm nëpërmjet një analize të thjeshtë të gjakut do të mund të kuptoni se çfarë tregon ai për anën e ndritur dhe të errët të personalitetit të dikujt. Dhe jo vetëm kaq, përmes grupit të gjakut ju mund të përcaktoni me saktësi se cilat ushqime janë të papërshtatshëm për organizmin tuaj dhe cilat janë ato që favorizojnë shëndetin. Në një farë mënyre grupi i gjakut është një kod që deshifron komunikimin dhe kuptimsinë e sekreteve që struk brenda nesh ky gjenerim energjie, kjo lëndë që vë në lëvizje këtë mekanizëm perfek të trupit tonë.
Çfarë është grupi i gjakut?
Në The World Book Multimedia Encyclopedia shpjegohet: «Membrana e rruazave të kuqe të gjakut përmban proteina që quhen antigjene. Janë zbuluar më shumë se 300 antigjene të rruazave të kuqe.» Ndërkohë që disa njerëz kanë antigjene të caktuara, njerëz të tjerë kanë antigjene të tjera dhe disa antigjene nuk mund të bashkekzistojnë. Prandaj, siç shton enciklopedia, «duke u bazuar në praninë ose mungesën e antigjeneve të caktuara, shkencëtarët e kanë klasifikuar gjakun e njeriut në grupe të ndryshme».
Sistemi më i përdorur i grupeve të gjakut është sistemi AB0, sipas të cilit gjaku i njeriut ndahet në katër grupe: A, B, AB dhe 0. Gjithashtu përdoret gjerësisht edhe sistemi rezus. Aktualisht ka afro 20 sisteme të njohura të grupimit të gjakut. Pra duket qartë se gjaku është shumë i ndërlikuar. Në Encyclopædia Britannica thuhet: «Për shkak të numrit të madh të antigjeneve të ndryshme të rruazave të kuqe, është pothuajse e pamundur që dy njerëz, përveç binjakëve identikë, të kenë të njëjtin kombinim të lëndëve që përcaktojnë grupin e gjakut.»
Sipas kësaj, po të flitnim saktë fare, «grupi i gjakut» që ka secili është unik. Prandaj duket e pabazuar të thuash se njerëzit që i përkasin një grupi të caktuar gjaku kanë të njëjtat tipare personaliteti. Ka një sërë faktorësh që përcaktojnë personalitetin tonë.
Çfarë e përcakton personalitetin tonë?
«Personaliteti përmbledh ato karakteristika të sjelljes, si të trashëguara, ashtu edhe të fituara, që dallojnë çdo individ»,—shpjegon Encyclopedia Britannica. Po, përveç asaj që trashëgojmë, ka edhe faktorë të tjerë siç janë, mjedisi familjar, arsimimi, shoqëria dhe përvojat e mira a të këqija të jetës, që ndikojnë në formimin e personalitetit tonë. Prandaj, nuk është vetëm përbërja gjenetike ajo që përcakton personalitetin tonë. Edhe binjakët identikë, të cilët kanë të njëjtën përbërje gjenetike, shpesh kanë personalitete të ndryshme.
Diçka tjetër me rëndësi është se personaliteti mund të ndryshojë ose të ndryshohet. Apostulli Pavël theksoi fuqinë që kanë mësimet e krishtere të ndryshojnë njerëzit. Ai shkroi: «Zhvishni personalitetin e vjetër me praktikat e tij dhe vishuni me personalitetin e ri, i cili nëpërmjet njohurisë së saktë po rinohet sipas shëmbëlltyrës së Atij që e krijoi.»
Grupi i gjakut 0
Personat që kanë grupin 0 janë shumë të përgjegjshëm dhe shoqërorë. Atyre u pëlqen të ndërmarrin nisma, ndonëse jo gjithnjë i çojnë deri në fund. Krijues dhe të njohur nga të tjerët, personat me grupin e gjakut 0 pëlqejnë të jenë në qendër të vëmendjes dhe shfaqin më tepër besim te vetja. Personat me grupin e gjakut 0 priren të jenë ose vetmitarë, ose udhëheqës. Ata janë zakonisht intuitivë, të përqendruar, të pavarur dhe guximtarë. Nëse kërkoni dikë që të përballojë mirë stresin, këtë e bëjnë më së miri ata që kanë grupin e gjakut 0. Gjithashtu ata kanë imunitet më të fortë dhe fizik të shkëlqyer.
Të mirat:
Janë ambiciozë, të fuqishëm dhe kanë besim tek vetja. Me pak fjalë, liderë të lindur.
Të këqijat:
Janë arrogantë, të pandjeshëm, mendjemëdhenj dhe të pamëshirshëm.
Grupi i gjakut A
Edhe pse në dukje janë të qetë, këta njerëz kanë standarde të larta dhe i mbajnë nervat përbrenda. I pëlqen shumë perfeksionimi, ose të paktën përpiqen t’i afrohen. Grupi i gjakut A është më artistiku nga të gjitha grupet e tjera. Personat me këtë grup mund të jenë të turpshëm, të ndërgjegjshëm, të besueshëm dhe të ndjeshëm.
Personat me grup gjaku A janë bashkëpunues, të zgjuar, pasionantë dhe inteligjentë. Ndonjëherë ziejnë nga ankthi në mënyrë që të dalin mbi të tjerët dhe kanë prirjen t’i mbajnë përbrenda emocionet derisa vjen një moment që shpërthejnë. Ata janë të tensionuar, të paduruar dhe nuk flenë mirë. Edhe pse janë të aftë për pozicione lideri, kjo mund t’i rraskapitë, sepse stresohen shpejt. Shumë persona me grupin e gjakut A janë kërkues në fusha të ndryshme si shkenca, ekonomia dhe arti. Për nga shëndeti këta persona kanë aciditet të ulët në stomak, ndaj duhet të tregojnë shumë kujdes kur ushqehen me proteina të ardhura nga kafshët.
Të mirat:
Janë konservativë, introvertë, të rezervuar dhe të përpiktë. Me pak fjalë, perfeksionistë.
Të këqijat:
Janë obsesivë, kokëfortë, të vetëdijshëm dhe nevrikë.
Grupi i gjakut B
Të orientuar për nga qëllime të përcaktuara mirë dhe kokëfortë, ata që kanë grupin e gjakut B e fillojnë një detyrë dhe e çojnë deri në fund atë, pavarësisht gjithçkaje. Personat me këtë grup gjaku janë më individualistë nga të gjithë dhe zakonisht e gjejnë vetë rrugën në jetë.
Personat e grupit B priren të jenë të drejtpeshuar, ata janë mendimtarë si grupi A dhe ambiciozë si grupi 0. Këta njerëz janë të ndjeshëm dhe i kuptojnë shpejt këndvështrimet e të tjerëve, por megjithatë hezitojnë të ndërmarrin sfida ose të përballen. Grupi i gjakut B mund të jetë sekreti i atyre që përbëjnë miq të mirë.
Të mirat:
Janë krijues, pasionantë, optimistë, elastikë, individualistë dhe i duan kafshët.
Të këqijat:
Kanë kujtesë të dobët, janë të papërgjegjshëm dhe përqendrohen vetëm te vetja.
Grupi i gjakut AB
Personat me grup AB kanë personalitet të ndarë. Ata janë edhe të shoqërueshëm edhe të turpshëm, edhe të sigurt edhe të ndrojtur. Ndonëse janë të përgjegjshëm, ndonjëherë shumë përgjegjësi mund të shkaktojë një problem. Këta njerëz me grupin e gjakut AB janë të besueshëm dhe pëlqejnë të ndihmojnë të tjerët.
Shumë simpatikë dhe të njohur, personat me grupin AB, nuk merren me çikërrima dhe shihen më shumë si shpirtërorë, por ndonjëherë edhe pak të krisur. Vetëm 2-5 për qind e popullsisë botërore ka grupin e gjakut AB. Nuk ka asnjë moment të mërzitshëm në jetën e këtyre personave. Ata janë gjithnjë duke e shijuar kohën. Ashtu sikurse edhe grupi A, këta njerëz nuk e durojnë dot stresin. Për AB, është e vështirë të përshtaten me të tjerët, ndaj ata krijojnë stilin e tyre të gjërave.
Të mirat:
Janë qetë, të kontrolluar, racionalë, introvertë dhe të ndjeshëm.
Të këqijat:
Janë indiferentë, të pavendosur, kritikues dhe nuk falin.
Grupi i gjakut, përcaktues i dashurisë!
Studimet kanë vërtetuar se grupi i gjakut ka rëndësi në përjetimin dhe shprehjen e ndjenjave dhe emocioneve. Cilat janë karakteristikat përkatëse për secilin grup, sipas gjinive mashkull-femër?
Grupi i gjakut O
Femrat
Me këtë grup gjaku, nga mashkulli i tyre kërkojnë lumturi, kënaqësi dhe butësi. Femra ndjenë nevojë të madhe për martesë, e cila del nga nevoja që të dëshmohet me anë të martesës dhe krijimit të familjes. Si bashkëshorte, femrat me këtë grup të gjakut sundojnë nga prapavija dhe shpesh marrin pjesë në ndërtimin e karrierës së burrit të tyre.
Meshkujt
Me këtë grup gjaku janë shumë të interesuar për femra, janë aktivë në këtë drejtim dhe për këtë shkak femrat i vërejnë shumë lehtë. E meta e këtyre meshkujve është se nuk janë edhe aq besnikë, meqë gjërat u mërziten shpejt, gjë që do të thotë se në martesë nuk dinë të jenë besnikë. Ata shpeshherë pendohen për zgjedhjet që kanë bërë lidhur me zgjedhjen e partneres, por ky pendim nuk zgjat për shumë kohë, pasi sytë do t’i hedhin tek një femër tjetër.
Grupi i gjakut A
Femrat
Me këtë grup gjaku, femrat janë mjaft demokratike në lidhje, e respektojnë partnerin dhe kualitetet e tij. Por, për shkak të natyrës emotive dhe të ndjeshme, i zbulojnë ndjenjat e tyre vetëm kur të jenë plotësisht të sigurt se nuk do të refuzohen. Femra me këtë grup gjaku bëhet një nënë, e cila përkrah fëmijët e saj, por edhe kërkon shumë nga ata.
Meshkujt
Ata që bartin grupin e gjakut “A” shpesh nuk janë interesantë për femrat në shikim të parë, vlerat e tyre ato i zbulojnë vetëm pasi që të jenë në lidhje për një kohë të gjatë. Kualiteti më i madh i meshkujve me këtë grup të gjakut është se janë të përkushtuar ndaj familjes në tërësi. Atyre u pëlqejnë kualitetet e gruas së tyre, të cilat edhe i theksojnë dhe ndihen krenarë.
Grupi i gjakut B
Femrat
Femrat me këtë grup gjaku, në dashuri presin kënaqësi, lumturi dhe që të duhen pa kufi, duan vëmendjen e vazhdueshme të burrit të tyre. Në lidhjet e dashurisë kanë kërkesa të tepërta, prandaj më vështirë vendosin për martesë. Përndryshe, janë tepër të përkushtuara ndaj familjes. Shpeshherë bezdisen nga personat që u qëndrojnë më pranë, duke krijuar barriera penguese.
Meshkujt
Ata meshkuj që kanë këtë grup gjaku i respektojnë femrat në një mënyrë të veçantë. Femrës së tyre të zgjedhur ata i rezervojnë një trajtim mbretëror. Por, e meta e tyre është se më shumë janë të prirur që të imagjinojnë, sesa që të ballafaqohen me probleme të jetës së përditshme. Ky lloj tipi mund të konsiderohet një tip imagjinar perfekt, por aspak praktik.
Grupi i gjakut AB
Femrat
Të gjitha femrat që bartin grupin e gjakut AB i adhurojnë meshkujt me shpirt aventurist, por kënaqen në dashuri vetëm derisa u lejohet që të jenë mistike. Si nëna, përshtaten shumë me nevojat e fëmijëve, janë të buta dhe nuk kanë shumë kërkesa. Çdokush do të dëshironte një nënë të tillë, pa komplekse dhe që përshtatet shumë lehtë.
Meshkujt
Janë miq të fëmijëve të tyre, por pa e tepruar. Specialiteti i meshkujve me këtë grup të gjakut është joshja, vardisja. Janë mjeshtër të mëdhenj për vardisje, por këtë gjë e bëjnë mirë dhe pa e tepruar. Në marrëdhënie në çift ata fillimisht janë perfektë, por më vonë asnjë gjë nuk u bën përshtypje dhe t’u lërë mbresa pozitive.
Ushqimet, stili i jetesës dhe grupi i gjakut ndikojnë shumë në organizimin tonë
Siç e dimë, ka 4 grupe gjaku: 0, AB, A dhe B. Secili prej tyre ka karakteristikat e veta dhe mund të ndikojë në humbjen e peshës, tek disa sëmundje, madje edhe te vetë temperamenti. Mbi bazën e njohjes së grupit të gjakut mund të ndjekim një dietë të posaçme ushqimi që përshtatet më shumë për një shëndet të mirë. Grupi i gjakut është i lidhur ngushtë me tretjen e ushqimit, me kapacitetin për të reaguar ndaj stresit, me gjendjen mendore dhe me efikasitetin e metabolizmit dhe të sistemit imunitar.
Grupi i gjakut dhe mënyra e të ushqyerit
Disa ushqime përmbajnë proteinën lektinë. Lektina shkakton inflamacion në trup, megjithatë, ka disa tipa grupesh gjaku që kanë një reaksion të fortë ndaj kësaj proteine. P.sh., mund të ndiheni të lodhur, të keni probleme me tretjen dhe të shtoni tepër në peshë. Grupi 0 nuk ka probleme me ushqimet proteinike, si mishi apo peshku. Personat që kanë grup gjaku A duhet ta shmangin ngrënien e mishit ose ta përdorin fare pak, ndërkohë që duhet të hanë shumë perime, ata të tipit B duhet të konsumojnë mish të kuq dhe të shmangin mishin e pulës, ndërkohë që të grupit AB duhet të hanë prodhime deti dhe mish pa dhjam.
Ushqime që këshillohen për njerëz me grupin e gjakut A
Zarzavatet, frutat dhe barishtet e freskëta janë jetike për stomakun delikat të personave që i përkasin grupit të gjakut A, pasi jo vetëm ndihmojnë procesin e tretjes, por mbajnë të shëndetshme zemrën. Këto grupe ushqimesh klasifikohen si nga grupet me vlerat më të larta për njerëzit me këtë grup gjaku, pasi në përbërje të tyre kanë elementët e duhur për penguar formimin e qelizave jonormale, të cilat mund të jenë përgjegjëse për sëmundje të ndryshme kanceroze. Në vijim të shkrimit do të detajojmë 8 grupet e tjera ushqimore, që janë të shëndetshme për njerëzit që kanë këtë grup gjaku.
Ndërkohë që në botimin e dy ditëve më parë treguam se mishrat, produktet e qumështit, brumërat, etj duhet të konsumohen sa më pak, për shkak të sistemit të tretjes dhe stomakut, që tek personat me grup gjaku A është shumë delikat. Sipas krijuesit të studimit: “Të ushqehemi drejt sipas grupeve të gjakut”, Peter J. Dadamo, një ndër ushqimet më të mira i konsideruar për njerëzit që kanë këtë grup gjaku është hudhra, e cila ndihmon zemrën, nëpërmjet qarkullimit më të mirë të gjakut. Një ndër këshillat e rekomanduara Dadamos, sa i takon përzgjedhjes së duhur ka të bëjë me faktin se : Përfundimi është se çdo herë që shikoni një dietë të re, që pretendon se u bën të gjithëve, duhet ta prisni me dyshim. Më parë duhet të dëgjoni se ç’thotë grupi juaj i gjakut. Vlerësoni dhe respektoni individualizmin tuaj”.
Një dietë jetëgjatë, që ka të bëjë me konsumin e ushqimeve si perimet, orizi, drithërat, frutat dhe soja, mund t’i shkojë shumë më mirë grupit A, me kusht që të përfshijë drithërat e përshtatshëm dhe bishtajat e duhura. Duhet të dini se rënia në peshë nuk duhet të synojë dobësimin e tepërt, pasi në këtë formë do të shkojmë drejt një niveli të ulët të ushqyerjes, çka do të dobësojë sistemin tuaj imunitar, dhe kjo është diçka që realisht duhet shmangur. Humbja e peshës lidhet me ndryshimet që bën organizmi kur ne ndjekim dietën që respekton grupin e gjakut, ku rruga më e mirë është shmangia e ushqimeve që nuk treten mirë dhe që janë helmuese për organizmin, si dhe me shtimin e konsumit të produkteve që konsiderohen si më të shëndetshme.
1 Bishtajat
Grupi i gjakut A i përvetëson shumë mirë proteinat bimore që gjenden në fasulet dhe bishtajat. Në kombinim me sojën dhe me të gjitha prodhimet e saj, shumë bishtaja përbëjnë një burim të rëndësishëm ushqimi për grupin A. Por, edhe në këtë rast duhet bërë kujdes, pasi nuk bëjnë mirë të gjitha bishtajat. Disa, sidomos fasulet e kuqërremta dhe ato të voglat të bardha, kanë një lektinë e cila mund të shkaktojë uljen e prodhimit të insulinës, e cila përbën faktorë të shfaqjes së diabetit dhe të dhjamosjes.
Shumë të dobishme -Fasule me kokrra të vogla të kuqe e të ëmbla, fasule syzezë, thjerrëza kafe, jeshile dhe të kuqe, fasule të kuqe soje, etj.
Neutralë – Fasule jeshile, bizele jeshile dhe fasule të bardha.
Të dëmshme– Fasule të vogla të kuqërremta, fasule lima, fasule të kuqe, fasule të bardha të zakonshme, etj.
2 Zarzavate dhe barishte të freskëta
Zarzavatet janë jetike për dietën e grupit A. Përmbajnë kripëra minerale, enzima dhe antioksidantë. Është mirë që t’i hani të gjalla ose të ziera në avull, pasi vetëm në këtë formë nuk humbasin vlerat e tyre ushqyese. Shumica e prodhimeve janë të pranueshme për grupin A, por ka edhe nga ato, me të cilat duhet bërë kujdes. Specat krijojnë shqetësime në stomakun delikat të njerëzve që kanë grupin A të gjakut. Njerëzit me këtë grup gjaku, janë gjithashtu shumë të ndjeshëm ndaj lektinave që gjenden në shumicën e patateve të ëmbla dhe lakrave. Duhet t’i shmangeni domateve, sepse lektina e tyre i bëjnë dem sistemit tretës. Domatet janë një ushqim i rrallë që quhen kudongjitës. Lulelakra rekomandohet veçanërisht për vetitë antioksidante, të cilat forcojnë sistemin imunitar të organizmit, dhe ndalojnë shumëzimin e qelizave jonormale. Perime të tjera që bëjnë mirë janë karota, kungulli dhe spinaqi. Hani hudhra me bollëk. Cilësohen si një antibiotik natyral dhe përforcues i sistemit imunitar, teksa bëjnë mirë dhe për gjakun. Të gjithë grupet e gjakut kanë dobi nga hudhrat, por më tepër ata të grupit A, sepse sistemi i tyre, imunitar është i zbuluar ndaj disa lloje infeksionesh, të cilat mund të luftohen nëpërmjet hudhrave. Qepa e verdhë është gjithashtu fuqizues shumë i mirë i sistemit imunitar. Barishtet e freskëta që janë të pranueshme për grupin A mund të hahen në sasi të mëdha.
Shumë të dobishme– Sallata jeshile, gjethe panxhari, kungulli angjinare, preshi, qepë të kuqe e të verdha, lulelakër, majdanoz, hudhër, lakra, bamje, majdanoz.
Neutralë– Kërcell bambuje, karota, kërpudha, radhiqe, ullinj jeshilë, kastravecë, qepë të vogla, rrënjë panxhari, selino, avokado,
Të dëmshme– Patëllxhanë, lakër kineze e kuqe ose e bardhë, kërpudha të përpunuara, specat jeshilë dhe të kuq, patate të ëmbla, speca djegës, domate, ullinj të zinj mesdhetarë, patate të kuqe.
3 Fruta
Njerëzit e grupit A duhet që të hanë fruta minimalisht 3 herë në ditë. Shumica e frutave lejohen, por ju duhet të kujdeseni që të konsumoni sa më shumë fruta alkaline si manat, kumbullat, të cilat do të ekuilibrojnë ambientet acide që drithërat krijojnë në muskuj. Pjeprat janë gjithashtu alkaline, por ato kanë në përmbajte të tyre shumë fibra të cilat vështirësojnë tretjen. Grupi A nuk i pranon mirë frutat tropikalë siç është mangoja dhe papaja. Këto fruta kanë një enzimë që bën mirë për grupet e tjera të gjakut, por nuk funksionojnë për grupin A. Portokallet duhet gjithashtu të hiqen nga dieta e grupit A, edhe pse mund të jenë nga frutat më të dashura për ju. Shkaku është se ato ngacmojnë stomakun e ndjeshëm të grupit A, dhe pengojnë përvetësimin e kripërave minerale që janë nga më të rëndësishmet. Grejpfruti, është gjithashtu acid, por ka veprim pozitiv për grupin A sepse ndihmon tretjen. Limonët janë gjithashtu të dobishëm sepse krahas ndihmës që japin në tretje, pastrojnë organizmin nga mukusi. Përderisa vitamina C, është një antioksidant i rëndësishëm, veçanërisht për parandalimin e kancerit të stomakut, mund të hani fruta të tjera të pasura me këtë vitaminë si kivi, apo grejpfruti. Lektina e bananes pengon tretjen e grupit A. Rekomandohet që të zëvendësohet me kajsi, shegë dhe disa pjepra.
Shumë të dobishme -Kajsi, shega, limon, qershi, kumbulla jeshile, kumbulla të thata, ananas, gejpfrut.
Neutralë– Rrush, manaferra, luleshtrydhe, pjepra, dardhë, mollë, hurma, kivi, pjeshkë, shalqi.
Të dëmshëm– Banane, mango mandarina, portokalle, arra indie.
4 Lëngje frutash
Njerëzit e grupit A duhet t’a nisin ditën me një gotë uji të ngrohtë, në të cilën të kenë shtrydhur një gjysmë limoni. Ajo do ta ulë mukusin, i cili është mbledhur gjatë natës në sistemin tretës të njerëzve që e kanë grupin e gjakut A, duke ndihmuar njëkohësisht edhe jashtëqitjen. Lëngjet e frutave alkalinë, si ato të qershive të zeza, të holluar me ujë duhet të preferohen më shumë, se sa lëngjet që kanë shumë sheqer e që krijojnë aciditet. Më mirë t’i bëni vetë lëngjet e frutave.
Shumë të dobishëm – Lëng kajsie, lëng karote, lëng gejpfruti, kumbulle, lëng qershie e zezë, lëng selinoje, lëng ananasi, ujë me limon.
Neutralë– Lëng molle, lëng kastraveci, lëng lakre.
Të dëmshëm– Lëng rrushi, lëng portokalli, lëng papaje, lëng domateje.
5 Bimë mjekësore, erëza dhe bimë të thara
Grupi A duhet t’i shohë këta përbërës më shumë se sa rregullues të shijes. Një kombinim i përshtatshëm i tyre mund të fuqizojë në mënyrë të rëndësishme sistemi e tyre imunitar. Për shembull prodhimet që kanë si bazë sojën mund të jenë shumë të rëndësishme për grupin A. Sheqeri dhe çokollata janë të lejueshme për grupin A, por në sasi të kufizuara. Përdorni sa më pak sheqerin e bardhë të përpunuar. Studimet e fundit kanë treguar se sistemi imunitar bëhet më i plogësht për disa orë pas konsumit të tij. erëzat, bimët e thara, dhe përpunimet e tjera që janë të dobishme mund të përdoren në sasi të mëdha.
Shumë të dobishme – Hudhra, xhinxer, salcë soje, tamari.
Neutralë– Gjethe dafine, shurup nga oriz i pazhveshur, mendër, majdanoz, çokollata, kripë, sheqer kafe, kripë, borzilok, miell misri, mjaltë, mustarda e thatë, kanella, fiq, vanilje.
Të dëmshëm – Xhelatinë, piper pluhur i bardhë, uthulla
6 Përpunime frutash e perimesh
Këto nuk janë të rekomandueshme për asnjë grup gjaku. Grupi A veçanërisht duhet të shmangë prodhimet si turshitë apo uthullën, për shkak të nivelit të ulët të acideve të stomakut që shfaqen në këtë rast. Në këtë grup nuk ka ushqime të dobishme. Në grupin neutralë përfshihen marmelata. Ndërsa në grupin e të dëmshmeve, keçapi, majoneza, turshitë. Sa më pak të konsumohen, aq më mirë do jetë për organizmin tuaj tretës, pasi nuk vihet përballë gjendjeve të vështira.
7 Çajrat nga bimë mjekësore
Reagimi i grupit A ndaj disa çajrave të bimëve është krejt i kundërt me atë të grupit zero. Ndërsa grupi zero, ka nevojë për qetësim, grupi A ka nevojë për të theksuar funksionin e sistemit imunitar. Shumica e rreziqeve të shëndetit tek njerëzit e këtij grupi kanë të bëjnë me sistemin imunitar të ndjeshëm. Disa bimë mjekësore kanë efekt të rëndësishëm në këtë sektor, pasi fuqizojnë sistemin imunitar dhe disa të tjera siç është çaji jeshil, kanë efekt qetësues dhe antioksidant, për njerëzit e këtij grupi, duke i mbrojtur nga kanceri i stomakut. Gjithashtu është e rëndësishme për grupin A që të fuqizojë prodhimin e acideve të stomakut, që është zakonisht i ulët. Bimë si xhinxheri e kanë aftësi. Grupi A, duhet të mënjanojë disa bimë si tërfili dhe qimet e misrit. Bimët qetësuese si kamomili dhe rrënja e valerianës janë ilaçe të përsosura për grupin A. Sa herë që ndiheni të stresuar bëni një çaj të tillë.
Shumë të dobishëm– Kamomili, xhinxheri, çaj jeshil, xhinseng, valeriana.
Neutralë– Majdanoz, gjethe luleshtrydhesh, mendër.
Të dëmshëme –Qime misri, tërfili
8 Pije të ndryshme
Vera e kuqe bën shumë mirë për grupin A, sepse ka efekt pozitiv për zemrën. Besohet se një gotë vere e kuqe çdo ditë ul mundësinë e problemeve të zemrës për burrat dhe gratë. Kafeja mund të jetë e dobishme për grupin A, rrit aciditetin e stomakut, në vlera të lejuara, dhe ka po të njëjtat enzima që ka edhe soja. Kombinojeni atë me çajin jeshil për të pasur më tepër përfitime. Pijet e tjera duhet të mos përdoren. Nuk i shkojnë sistemit tuaj tretës, e as nuk ndihmojnë sistemin tuaj imunitar. Natyrisht që ujë të freskët mund të përdorni sa të doni.
Shumë të dobishëm– Kafe pa kafeinë, të zakonshme, çaj jeshil, verë e kuqe
Neutrale – Verë e bardhë
Të dëmshme– Birrë, pije të tjera me ngjyrë, çaj i zi i zakonshëm, pije freskuese si koka-kola, etj
2. Grupi i gjakut dhe sëmundjet
Çdo grup gjaku është i ndryshëm dhe ka aftësi të ndryshme të luftimit të sëmundjeve. Nëse njihni grupin tuaj të gjakut mund të parandaloni disa sëmundje.
GRUPI 0 Rrezik për ulçera të stomakut
Personat me këtë grup gjaku kanë një superprodhim të lëngjeve gastrike dhe nivele të larta enzimatike të fosfatit alkalin të zorrëve. Shmangni kafeinën dhe alkoolin, pasi kafeina mund të jetë e rrezikshme, sepse rrit adrenalinën dhe noradrenalinën, që tek individët e grupit 0 janë të larta.
GRUPI AB Kufizoni mishin për shkak të aciditetit të ulët të stomakut
Konsumoni sa më shumë ushqime që përmbajnë vitaminën A
Shmangni lëngjet me gaz.
Vezët ndihmojnë në shtimin e masës muskulare, si pasojë e përmbajtjes së lartë të proteinave.
Perimet e furnizojnë trupin me fibra dhe antioksidues.
Boronica dhe qershia favorizojnë rritjen në peshë
Ananasi rivendos ekuilibrin e ujit të pranishëm në organizëm.
GRUPI A— Vuani nga stresi dhe ankthi
Kufizoni përdorimin e sheqerit, kafeinës, alkoolit. Janë substanca që rrisin stresin dhe ngadalësojnë metabolizmin. Mund t’i lejoni vetes maksimumi një filxhan kafe çdo 6 orë.
Për ju mëngjesi duhet të jetë mbreti i vakteve.
Mos hani shumë mish, pasi keni aciditet të ulët dhe mungesë squfuri alkalin në zorrë, e kjo çon tretjen në vështirësi. Kufizoni konsumin e pulës dhe të gjelit të detit në jo më shumë se 23 herë në javë. Përdorni qumështin, prodhimet e fermentuara kanë një efekt probiologjik, pasi rrisin florën bakteriale në zorrë, duke krijuar kështu një mbrojtje imunitare shumë të fortë.
GRUPI B Kujdes me mbipeshën
Prekshmëria ndaj viruseve është e lartë.
Shmangni misrin, thekrën e grurin, pasi ju rrisin masën dhjamore; pini verë të kuqe, por jo duhan dhe birrë.
Eliminoni nga dieta pulën, misrin, kikirikun.
A e dini që personaliteti juaj lidhet me grupin e gjakut?
Grupi O – Njerëzit e këtij grupi gjaku kanë një sjellje që udhëhequr nga instiktet, kanë kapacitetin e lidershipit, janë energjikë e tepër produktive, ndërsa në kushte stresi mund të arrijnë skajet e karakterit të tyre. Motoja e tyre është “Lufto ose mbathja”, janë më të predispozuar ndaj sjelljeve të dhunshme, nervozohen shpejt, herë pas here janë depresivë e të mërzitur.
Grupi A Grupi juaj i gjakut u shfaq për herë të parë në rruzullin tokësor kur njerëzit prehistorikë e braktisën jetën e vetmuar të gjuetarit dhe filluan të mblidheshin në bashkësi të organizuara. Keni nivele të larta të kortizolit (hormon përgjegjës për stresin), jeni tip që i fshihni ankthet, u bëni gjithmonë qejfin të tjerëve, shqetësoheni shumë për probleme pa rëndësi, megjithatë jeni artistë dhe persona të besueshëm.
Grupi B — Mbart në vetvete një fuqi gjenetike, e cila lejon një fleksibilitet të jashtëzakonshëm dhe një aftësi për t’ia dalë mbanë në çdo situatë. Ata me një grup të tillë gjaku kanë personalitet të fortë dhe janë të pavarur.
Grupi AB – Nëse i përkitni këtij grupi gjaku, keni një intituitë për të parë përtej kufijve të shoqërisë. Jeni shumë të dhënë pas gjërave që besoni, por në të njëjtën kohë dëshironi të merrni edhe miratimin e të tjerëve, çka krijon shpeshherë konflikte. Karakterizoheni si persona emocionalë, pasionantë, të besueshëm, miqësorë.
4. Grupi i gjakut dhe shtatzënia
Sipas disa studimeve, gratë me disa lloje të caktuara grupi gjaku kanë më shumë mundësi për të ngelur shtatzënë. Thuhet se gratë me grupin e gjakut AB prodhojnë më pak hormone që ndihmojnë një grua të ngelë shtazënë.
Ekspertët amerikanë kanë zbuluar se gratë që kanë grupin e gjakut 0, kanë dy herë më pak mundësi të mbeten shtatzënë, në krahasim me gratë e tjera. Gratë me grupin A janë më pjellore, Statistikisht, femrat me këtë grup gjaku lindin me më shumë vezë sesa pjesa tjetër e femrave, rrjedhimisht, kanë më shumë shanse ngjizjeje. Gjithashtu, numri i vezëve të tyre pakësohet shumë ngadalë.
5. Grupi i gjakut dhe martesa
Përpara se të mbeten shtazënë, femrat duhet të njohin grupin e tyre të gjakut, pasi disa grupe nuk mund të përzihen me disa të tjera kur duam të sjellim në jetë një fëmijë. P. sh.,grupet e gjakut A dhe B nuk duhet të përzihen së bashku. Një tjetër faktor që duhet të mbajmë parasysh, kur martohemi është faktori rezus. Ata të cilët kanë grupe gjaku RH+ dhe RH nuk duhet të kenë fëmijë së bashku. Nëse këto grupe gjaku përzihen, atëherë fëmija mund të vuajë nga shumë probleme shëndetësore gjatë jetës.
Shenjat “plus” e “minus” u referohen përkatësisht pranisë ose mungesës së një substance në gjak të njohur si faktori rezus.
Pjesa më e madhe e njerëzve janë rezus pozitiv (Rh+). Nëse një njeri me rezus negativ (Rh) merr gjak me rezus pozitiv, trupi i tij reagon, duke prodhuar kimikate (antitrupa) për t’u mbrojtur kundër faktorëve rezus të huaj. Kjo është e ngjashme me mënyrën se si krijojmë antitrupat ndaj viruseve të ndryshme të tillë si rubeola (fruthi gjerman) dhe lia e dhenve.
Faktori rezus është më i rëndësishëm gjatë shtatzënisë. Përpara ose gjatë lindjes është e zakonshme përzierja e gjakut të nënës me atë të fëmijës. Nëse nëna është me rezus negativ dhe fëmija me rezus pozitiv, kjo përzierje mund t’i shkaktojë nënës prodhimin e antitrupave rezus.
Në shtatzëninë e mëvonshme këto antitrupa mund të kalojnë në qarkullimin e gjakut të fëmijës. Nëse fëmija e sapolindur është +, këto antitrupa mund të dëmtojnë gjakun e tij dhe, në rastin më të keq, mund të shkaktojnë vdekje ose sëmundje serioze. Në raste të tjera, fëmija mund të vuajë vetëm një anemi ose verdhëz të lehtë.
Megjithatë, sa herë që një grua me rezus negativ ka një fëmijë, grupi i tij i gjakut duhet të kontrollohet shpejt pas lindjes. Nëse fëmija është Rh +, nënës do t’i jepet një injeksion, i njohur si “anti D”, që ndihmon për parandalimin e formimit të antitrupave rezus. Ashtu si të gjitha vaksinat, “anti Dtë” nuk janë efikase në të gjitha rastet, megjithatë, ato mund të ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit gjatë shtatzënisë së ardhshme.