“… Kund gadi dymijë vjet, del një njeri në botë e thotë: Un jam Zoti vetë! Qe, dueni me pa? Shihni virtytet e mija qi po ushtroj, veshtroni mrekullít qi po bâj, ndiqnje vepren t’ême qi po ndertoj në botë. Doni me sprovue e me prekë me dorë? Qe mësimi i êm, venju ju e kush të mundet, po mujt me më gjetë në gabim; qe jeta e ême qi un shkoj, provoni të gjith, si miq si anmiq, po mujtët me më gjetë në faj; qe ideali që kam, morali që mësoj e ndjek, edhe pirolla i kjoftë atij bir njeri, qi mundet t’ia dalë me sajue vetem me mend nji madhní ideale e nji moral të cillin unë jo vetem e mësoj e e çfaqi, por e njipernjisoj me jeten qi shkoj e me veprën qi zhvilloj,
Atë herë e mbrapa nisi në botë nji epokë e re, epoka e vllaznimit të njerzve, e ligjës s’ Unjillit. Atëherë e mbrapa njerzimi u dá dysh: n’ata qi e besuen Krishtin-Zot, e n’ kundershtarët e tij.
Rrokull XX shekujsh, mija e miljona njerëz, burra e gra, filozofë e dijetarë, perandorë e vogjlí çdo rendi shoqnuer, çdo shkalle e naltësije mendore, e ndien ketë typ të pakurkund shoq në historín njerzore, u terhoqen prej madhnís s’diellit, u preken prej bukurisë së moralit, u harlisën prej hijeshís së virtyteve të tija edhe iu dhanë, iu kushtuen, iu truen me gjith mend e me gjith zemer, me mish e me shpirt, aq pernjimend sa, harrue vedin kryekput…, nuk paten të ngîm kurr. Deshten veç t’a mishnojshin, t’a riproduktojshin, t’a perjetsojshin në veti, mirsín morale, bukurín shpirtnore e shejtnín e jetës së Tij.
Po, zotnij! Krishti, ç’mos kurnji filozof e letrar, krijoi protagonista të gjallë. Jo si Platoni, Shakespeare, Molieri a Goethe, qi vetem i lanë me të shkrueme. Krishti nuk shkroi, po prini; me dekë të vet, nuk mbaroi, por filloi vjimin e pamort të vepres; aj sod âsht vû në shej prej miqve, per me e dashtë, me e ndjekë, edhe prej anmiqve, me plasë marazi, pse nuk u del t’a gjejnë në faj as në gabim, për t’ia tretë faren e gjurmen prej ftyrs së tokës. Jo, as njerzimi, as historia, as kultura nuk mund të bâjnë pa Krishtin e pa veprën e Atij, që leu kund dymijë vjet ma parë…