Nga Albert Vataj
Përvojat e trazuar sentimentale e gjeniut të operës italiane, që konsiderohet si një ndër më të pasurit e kohës së tij është ndoshta vetë ajo magmë që ka ndikuar në arti që ai la trashëgim gjeneratave.
Jeta personale e Xhakomo Puçinit, një prej kompozitorëve më të njohur dhe më me ndikim në kapërcyellin e dy shekujve ishte e shumëllojshme dhe e larmishme, sikurse edhe operat e tij. Vegjelia nuk ishin dhe aq të ndryshme nga bashkëkohësit e gjithë asaj plejade zelltarësh të pasionit për artin. Në vitet studentore kaloi momente shumë të vështira ekonomike. Episodet që tashmë janë të njohur, pjesë prej të cilave të publikuara, dëshmojnë për këtë. Vitet e fundit kanë dalë në shesh fakte të tjera tronditëse të jetës së kompozitorit. Bëhet fjalë për një vargan të gjatë peripecishë, historishë dashurie, tradhtish, xhelozish dhe hakmarrjesh, që ndikuan në veprimtarinë e tij krijuese, por edhe në jetën e tij personale duke u shndërruar në një terren të ashpër ku atij ju desh të jetonte dhe të krijonte.
****
(Giacomo Puccini) Xhakomo Puçini, lindi më 22 dhjetor 1858 – dhe vdiq më 29 nëntor 1924) mendohet si një nga kompozitorët më të mëdhenj operistikë të fundshekullit të 19 dhe të fillimshekullit të 20. Operat e tij më të njohura janë: “La bohème”, “Toska”, dhe “Madama Butterfly”, të cilat janë ndër më të shfaqurat në repertorin standart.
Puçini shkroi 14 opera, dhe shumë këngë, të cilat janë shumë të njohura nga publiku mbarëbotëror, veçanërisht aria “Nessun dorma”, nga Turandot e cila u këndua nga Luciano Pavarotti, në vitin 1990 me rastin e Kampionatit Botëror të Futbollit, i cili u zhvillua në Itali.
Puçini u lind në Lucca, Itali në një familje me traditë të hershme muzikore. Pas vdekjes së të atit, Mikele Puçinit kur ai ishte vetëm pesë vjeç, ai u dërgua të studionte me xhaxhain e tij Fortunato Magi, i cili e mbante atë për një student të keq e të padisiplinuar. Më vonë, ai hyri si organist në kishë dhe mjeshtër kori, por ai nuk ishte ende i frymëzuar të bëhej kompozitor operash, gjersa pa një shfaqje të Aidës së Xhuzepe Verdit. Ai dhe një shok i tij bënë gati 21 km rrugë në këmbë për të shikuar një shfaqje në Piza.
***
Xhakomo Puçini ishte kompozitori më i suksesshëm për sa u përket fitimeve të korrura nga puna e tij. Kur ndërroi jetë në vitin 1924, pasuria e tij, në standardet e sotme, do të vlerësohej në 260 milionë dollarë. Pjesa më e madhe e kësaj pasurie u krijua gjatë viteve 1895-1904, kur maestroja nga Toskana nxori në dritë tri prej operave më të luajtura në skenën botërore: “La Boheme”, “Tosca” dhe “Madama Butterfly”. Pas këtyre sukseseve, ai u tërhoq në njëfarë mënyre, duke lënë të pambaruar “Vajza e Perëndimit”. Kur e përfundoi, ajo, gjithsesi, nuk ishte në lartësinë e tri operave të tjera. Po çfarë ndodhi gjatë kësaj kohe?
Historia e një vetëvrasje “vrasëse”
Për vite me radhë u përfol se në krijimtarinë e Puçinit ndikoi shumë vetëvrasja e një punonjëseje të shtëpisë së tij. Bëhet fjalë për një histori të dokumentuar. Në 23 janar të vitit 1909, Doria Manfredi u helmua duke pirë tri tableta arsenik. Ajo u torturua në një agoni për tri ditë rresht para se të mbyllte sytë. Elvira Bonturi, gruaja 39-vjeçare e kompozitorit, thuhet se ishte shkaktarja e kësaj vdekjeje, pasi ajo e kishte akuzuar publikisht punonjësen për marrëdhënie me të shoqin. Kur gjykata urdhëroi ndërmarrjen e autopsisë ndaj së ndjerës, u zbulua se Doria ishte e virgjër dhe Elvira u akuzua për mashtrim. Pas kësaj mori një dënim prej 5 muajsh burg dhe shpëtoi nga qelia vetëm pasi i shoqi i pagoi një shumë të madhe kompensimi për vdekjen e Dorias familjes së saj. Menjëherë pas lirimit, çifti jetoi i ndarë për disa muaj, por, megjithatë, kjo tragjedi nuk ishte ndikimi kryesor që ndaloi veprimtarinë e Puçinit për 7 vjet para se të përfundonte operën e fundit.
Së fundi, kanë dalë në dritë fakte të reja në lidhje me atë që ndodhi në vilën e Puçinit mbi 100 vjet më parë. Xhakomo Puçini e kishte ndërtuar banesën në një fshat peshkatarësh, që quhej Torre del Lago. Në këtë vend, i rrethuar nga e shoqja, thjeshtra dhe i biri, kompozonte muzikë, bënte shëtitje me makina të shpejta, ose merrte motoskafin dhe i shkonte liqenit cep më cep. Por nuk kemi përmendur këtu një tjetër hobi të tij: “gjuetinë” e grave. Pikërisht ky pasion i krijoi edhe problemet më të mëdha në jetë. Jeta e tij u shndërrua në një rrëfim të gjatë skenash xhelozie, tradhtish, hakmarrjeje dhe dëshpërimi. Historia nuk nis me vetëvrasjen e Dorias, por 8 vjet para kësaj ngjarjeje tragjike, kur Puçini ishte duke punuar për “Madama Butterfly”. Për maestron nuk ishte ndonjë çudi që të binte herë pas here në dashuri me femra të ndryshme, gjatë periudhës së kompozimit. Këto lidhje dashurore ai i quante “Kopshtet e mia të vogla”. Në vitin 1900, ndërsa po punonte për operën e mësipërme, ai ra në dashuri me një vajzë të re që e kishte takuar në Torino. Ai e quante atë Korina dhe ishte aq i dhënë pas saj, saqë Elvira, e dëshpëruar nga kjo situatë, e kërcënoi se do ta linte. Puçini dhe Elvira Bonturi nuk ishin martuar në atë kohë. Ajo ishte bashkëshortja e një shoku të shkollës. Çifti u takua për herë të parë në vitin 1884, kur Puçini u pajtua për t‘i dhënë Elvirës mësime pianoje. Menjëherë pas takimit të parë, ata nisën lidhjen e tyre. Në vitin 1886, mes zhurmës së një skandali të madh, Elvira e braktisi të shoqin për Puçinin, duke marrë në bashkëjetesën e saj të re me kompozitorin edhe të bijën 6-vjeçare, Foska. Gjatë bashkëjetesës ajo i solli në jetë Puçinit një djalë, Antonion, por për shkak të pamundësisë së divorcit në Italinë e asaj kohe, çifti e kishte të pamundur që të vinte kurorë. Kjo ishte një situatë, që në fakt i shkonte shumë për shtat kompozitorit, të cilit i pëlqente herë pas here të binte në dashuri. Elvira kishte dijeni për “Kopshtet e tij të vogla” dhe shpesh nuk bënte zë, por historia e fundit me vajzën e re kishte zgjatur shumë dhe kishte dalë jashtë çdo parashikimi. Thuhet, madje, se Puçini i propozoi Korinës që të martoheshin. Megjithatë, në 25 shkurt të vitit 1903, fati mori një rrugë të çuditshme. Atë natë Puçini pësoi një aksident me motobarkën e tij, që pati shumë jehonë në shtypin italian të kohës. Puçini theu këmbën dhe u detyrua që të qëndronte në shtëpi në praninë e dikujt për kujdesje. Të nesërmen e aksidentit të tij, për një arsye që nuk u qartësua kurrë plotësisht, Elvira mbeti vejushë. I shoqi, Narcizo vdiq, duke i hapur kështu rrugën asaj dhe Puçinit që të vinin kurorë pas 17 vitesh bashkëjetesë. Botuesi dhe miku i Puçinit, Xhulio Rikordi, u përpoq që ta bindte Puçinin të hiqte dorë nga Korina dhe të bënte gjënë e duhur, pra të martohej me Elvirën. I nxitur nga motra e tij ai ndërmori disa hetime për Korinën, para se të ndërmerrte ndonjë hap të mëtejshëm me të dhe zbuloi që ajo nuk ishte vajza e pafajshme që i ishte hequr, pasi ndërkohë kishte edhe marrëdhënie të tjera. Sapo merr vesh këto lajme, Puçini e prish lidhjen me Korinën, por ajo e nxehur e kërcënon se do ta bënte publike lidhjen që kishin pasur, sikur Puçini të mos i jepte një shumë të madhe parash. Situata u rëndua shumë dhe nuk dihej se si do të kishte përfunduar sikur, sipas disa zbulimeve të fundit të një muzikologu dhe një romancieri gjerman, i ati i Korinës të mos kishte dalë në gjyq për akuzën e ngacmimit të vajzave të vogla. Çdo pretendim i bijës së tij nuk do të merrej parasysh, pasi morali i familjes ishte shkatërruar nga sjellja e të atit. Këtë herë Puçini i shpëtoi për mrekulli turpërimit e skandalit. Ajo që është e veçantë, është se gjithë letërkëmbimet e Puçinit me Korinën dhe marrëdhëniet me të ishin të ditura edhe për Elvirën, e cila ruante gjithçka me fanatizëm për ndonjë shantazh të mundshëm në të ardhmen. Një vit pas kësaj ngjarjeje çifti vuri kurorë. Puçini sapo kishte mbaruar së shkruari “Madama Butterfly”, por martesa nuk nisi aspak mirë. Sipas një studiuesi, jeta personale e Puçinit nuk ishte kurrë e qetë. Ai ishte shumë i dëshpëruar dhe i zhgënjyer nga sa i ndodhi me Korinën dhe pasojë e kësaj lidhjeje është në njëfarë mënyre suksesi i operës, e pasur me nota tragjike dhe dhimbje, që kishin të bënin me situatën shpirtërore të kompozitorit. Pas “Madama Butterfly”, kompozitori i turpëruar e zemërthyer nuk krijoi asnjë operë tjetër për një periudhë 6-vjeçare. Kur opera e ardhshme përfundoi, heroina e re e Puçinit ishte e një lloji tjetër. Nuk ishte një viktimë si Mimi, apo Butterfly, nuk ishte një grua xheloze, shkatërrimtare si Toska, por një grua e fortë dhe me emrin Minnie, e cila drejtonte një sallon në një minierë në Kaliforni. Shumëkush e pyeti Puçinin në atë kohë se ku e kishte gjetur një heroinë të tillë. Një nga personat e intriguar nga kjo pyetje ishte edhe regjisori italian Paolo Benvenuti, filmi i të cilit “Vajza e liqenit” do të shfaqet për herë të parë në Festivalin e Venecias këtë gusht. Sipas studiuesit të Puçinit, ndërsa shkruante operën, ai tentonte të binte në dashuri me një person që i ngjante heroinës. Ishin vitet kur në skenë hyri Doria, por mes saj dhe heroinës së operës nuk kishte shumë pika të përbashkëta. Ndërkohë, përgjatë bregut të liqenit ekzistonte një tjetër grua që mbartte vetitë që kërkonte Puçini. Ajo grua ishte një kushërira e Dorias me emrin Xhulia Manfredi. Si edhe Minnie, Xhulia ishte një vajzë që punonte në një lokal, i cili frekuentohej nga gjahtarët dhe peshkatarët e zonës. Ajo ishte një vajzë e pavarur dhe e zonja, por njëherazi shumë modeste dhe e dashur me të njohurit e të panjohurit. Thashethemet thonë se kompozitori pati një lidhje me këtë vajzë, edhe pse nuk ekzistojnë fakte, derisa një ditë trashëgimtari i lokalit tha se i biri i paligjshëm i Puçinit dhe Xhulias drekonte gjithmonë në restorantin e tij. Atëherë studiuesi i Puçinit vendosi të takonte dikë që thoshin se ishte e mbesa e kompozitorit të madh, Nadia Manfredi. Në dukje ajo kishte po atë vështrim të butë të personit që mund të ishte i gjyshi. Ajo i tregoi një valixhe të të atit, të cilën e mbante në qilar prej vitesh. Brenda ndodheshin 40 letra dhe disa dokumente në lidhje me të vërtetën e vetëvrasjes së stërhallës së saj, Doria. Dokumenti më i rëndësishëm ishte një letër e shkruar me dorë nga ana e Puçinit, ndërsa po qëndronte në një hotel në Milano. Pikërisht këto shënime hidhnin dritë mbi ngjarjet që çuan në vdekjen e Dorias. Historia është shumë më e komplikuar se persekutimi i një gruaje xheloze ndaj një punëtoreje të pafajshme. Tragjedia nisi aty nga fundi i shtatorit të vitit 1908, kur Puçini çoi fjalë se do të kthehej në fshat. Gjatë kësaj kohe ai kishte gjetur sërish “Kopshtin e tij të vogël” te Xhulia Manfredi dhe ndërkohë kishte nisur punën me operën e radhës. Me rastin e rikthimit, ai i kërkoi Dorias që të hapte shtëpinë. Kjo e fundit, krejt rastësisht kapi në flagrancë vajzën e gruas së Puçinit, Foskan me libretistin e operës. Në atë kohë Foska ishte 28 vjeçe dhe e martuar. Foska druhej se mos Doria do ta përhapte sekretin e saj dhe vendosi që ta diskreditonte shërbëtoren e shkretë, duke përhapur zëra se ajo kishte një marrëdhënie me të njerkun. Për këtë qëllim, gruaja e Puçinit, Elvira, e pushoi nga puna. E tronditur për sa i ndodhi, Doria i shkruan Puçinit duke i thënë se Foska komplotoi kundër saj për të mbuluar tradhtinë e vet bashkëshortore. Puçini e takoi Dorian në fshehtësi dhe e siguroi që do t‘i zgjidhte punët në njëfarë mënyre. Nuk e dimë nëse Puçini bëri ndonjë gjë, apo jo, por dimë se kur lajmi që Doria po përfliste të bijën mbërriti në veshët e Elvirës, ajo u tërbua. Elvira, duke e ditur se ç‘burrë kishte, e spiunonte shpesh dhe njëherë teksa e pa me një grua, mendoi se ajo ishte Doria. Në 1 janar të vitit 1909, Elvira e quajti Dorian një thashethemexhie dhe një krijesë të ndyrë. Në 19 janar ajo e fyeu atë edhe para dëshmitarëve, duke e quajtur “e përdalë” dhe se ishte dashnore e të shoqit, që herët a vonë do ta mbyste në liqen. Në 23 janar, Elvira akuzoi edhe Xhulia Manfredin si ndërmjetëse mes Puçinit dhe Dorias dhe i tha asaj se Doria nuk do ta shihte më dritën e diellit. Doria ishte e pafajshme, por nuk mund të mbrohej pa tradhtuar kushërirën e saj dhe marrëdhënien e Puçinit me të. Ajo i adhuronte të dy. Ndaj ndoshta për këtë zgjodhi të largohej nga jeta. Pas vetëvrasjes, gjykata urdhëroi kryerjen e autopsisë, e cila e nxori vajzën të virgjër. Familja e Dorias e çoi Elvirën para gjyqit. Ajo u dënua për shpifje dhe kërcënime ndaj së ndjerës. Ndikimi që kjo ngjarje pati në familjen e Puçinit ishte shumë i madh. Jo vetëm që maestroja u nda nga e shoqja, por edhe bashkëshorti i Foskas e mori vesh të vërtetën dhe nisi ta kërcënonte të shoqen për t‘i marrë para. E bija iu drejtua për ndihmë të ëmës dhe i tregoi të vërtetën e marrëdhënies së saj jashtëmartesore me libretistin e operës së Puçinit. Në këtë periudhë, financat e Elvirës ishin shterur dhe për t‘i marrë para të tjera Xhakomos iu desh t‘i rrëfente të vërtetën. Atëherë Puçini e nxori nga burgu, duke i dhënë familjes së Dorias së ndjerë një shumë të madhe parash për ta tërhequr akuzën. Elvira doli nga burgu, por jetët e tyre u ndanë përgjithmonë. Për sa i përket Puçinit, ai bëri një fëmijë të jashtëligjshëm me Xhulian dhe i vuri emrin e të atit, Antonio. Djali u rrit në Piza. Sigurisht, ky është një variant i historisë, pasi ka të tjerë që e hedhin atë poshtë, duke qenë ende skeptikë mbi atësinë e Antonios, i cili vdiq në varfëri në moshën 65-vjeçare në vitin 1988. Si edhe i biri i ligjshëm i Puçinit, Antonio tjetër, edhe ai vdiq nga tumori. Ngjashmëria e tij fizike me Puçinin ishte shumë e madhe, sikundër është edhe ngjashmëria e vajzës së tij dhe e nipit, pra stërnipit të Puçinit, i cili aktualisht është 10 vjeç dhe është portreti i gjallë i paraardhësit të tij të famshëm. Për këtë qëllim, e bija e Antonios, Nadia, kërkoi zbulimin e së vërtetës para Gjykatës së Milanos këtë vit për “të lënë në paqe fantazmat e së shkuarës, që ia kishin trazuar gjithë jetën”. Ajo thotë se nuk është e motivuar nga pasuria e madhe e Puçinit, por se kërkon më në fund drejtësi. Për sa i përket Puçinit, 6 vite pas ngjarjeve të dhimbshme iu rikthye frymëzimi dhe ndërroi jetë, ndërsa po punonte mbi aktin e fundit të “Turandot”. Sipas dirigjentit, kompozitori ndërroi jetë pasi arriti të sjellë të plotë personazhin e shërbëtores së perandoreshës kineze, Liu, e cila vret veten për të mos nxjerrë nga goja të fshehta që mund të dëmtonin të tjerët. Kjo shërbëtore s‘ishte kush tjetër veçse Doria Manfredi, e cila e ndoqi Puçinin deri në vdekje, e ku i dihet mbase edhe më përtej…