Nuk ka diskutim, se Shkodra, në zgjedhjet e 14 majit, ishte kryebeteja; e foltores për ta mbajtur me çdo kusht, dhe e rilindjes për ta marrë me çdo çmim. Pakkush ishte gati të vinte bast, se Edi Rama do ta humbiste këtë përballje. Por të gjithë do të ishin të mundur, nëse do të besonin, se PS, do të rrëmbente në Shkodër një fitore kaq impresionuese.
Shkodra, bastioni i demokratëve, ndoshta nuk bëri mirë që tradhtoi të djathtën. Por shumë më keq bëri lidershipi demokrat, që shkeli me këmbë të gjitha parimet, mbi të cilat antikomunistët shkodranë besuan verbërisht, aq sa lejuan të zvarritej ardhmëria e Shkodrës për vite e vite. Për hir të bindjes, pasionit dhe militantizmit, shkodranët e lanë qytetin e tyre, nën një zgjedhë që e dërrmoi deri në zhgënjim.
PD, për më shumë se tre dekada, kur ishte në opozitë, por jo më pak edhe kur ishte në pushtet, e përdori antikomunizmin shkodran, e shpërdoroi në mënyrë kriminale shpirtin demokrat, atë zell të kurajshëm dhe devocion përulësie, që u ngjiz në të parat shkëndija që ndezën zjarrin e ndryshimeve në Shqipëri. Për kauzën e demokracisë, Shkodra sakrifikoi edhe jetë njerëzish, jo vetëm zhvillimin dhe integrimin e kësaj kryeqendre, e cila qëllimisht u katandis në një provincë e interesit politik të qeverisjeve.
PS, por jo më pak PD, e lanë Shkodrën në mëshirë të fatit, duke bërë që ajo, të demotivohej dhe demoralizohej, të shpopullohej, për arsye ekonomike, pamjaftueshmërisë së zbatimit të ligjit, humbjes së shanseve, etj., etj.. Jo më pak zemërthyerje dhe shpreshumbje erdhi këtyre anëve edhe prej pushtetit që me bekim politik, morën të fortët, ata që i asistonin njërës palë, sa ç’mbështesnin tjetrën, pavarësisht se në dëm të identitetit dhe integritetit të këtij qyteti legjendar.
PD nuk e trajtoi kurrë si të nënës Shkodrën, por edhe PS-së nuk i tolerohet, se e vlerësoi gjithmonë atë si të njerkës. Shkodranët nuk ishin naivë, edhe pse luajtën këtë tragjikomedi, në dëm të fatit progresiv të qytetit, kah kishin marrë udhë të fillimtat e çdo krenim që kemi si komb. Ata pritën e duruan, për një qëllim të lartë dhe një premtim të madh, pa u shitur as pa u blerë. Edhe sot, nëse dikush mendon se Shkodra u shit aq sa për t’i dhënë socialistëve një triumf të këtyre përmasave, mendoj se, ose nuk e njeh realitetin shkodran dhe lojërat politike të qeveritarëve vendorë, të djathtë, në kurriz të demokratëve, ose kërkon të mos besojë se durimi ka një fund.
E pagjasa u bë realitet, dhe, masivisht shkodranët votëbesuan kandidatin socialist, Benet Beci, të qeverisë katër vitet e ardhshme qytetin. Kjo jo se ata pranuan Mea Culpa-n e PS, për të zezat që hoqën shkodranët nga paraardhësit e tyre komunistë, po aq sa dhe nga këta të moderuarit, por se vetëm përmes një votëbesimi të tillë, ata, ndëshkuan 32 vitet e shpërdorimit që PD i bëri Shkodrës dhe shkodranëve.
Mjaftoi ajo që dhanë, vetëm e vetëm që të mbronin lavdinë e shpirtit të qëndresës. E djathta kurrë nuk e kuptoi, për më pak ta ketë konsideruar, se e gjithë kjo që dha Shkodra për të djathtën, dhe shkodranët blatuan për të ashtuquajturën demokraci, ishte mirënjohje dhe respekt për gjithë ato viktima të komunizmit dhe jo vetëm.
Ndoshta duhet të vinte dita dhe të guxohej për të thënë mjaft dhe për të besuar dhe shpresuar për Shkodrën dhe shanset që meriton ajo. E djathta kishte kohë që meritonte një mospranim të shkodranëve, një refuzim kaq domethënës, sepse ishte ato, krerët partiakë dhe bajraktarët fanatik politik, që për një arsye apo për një tjetër, devijoi nga filozofia, duke çuar në zhgënjim gjithë demokratët, jo vetëm në Shkodër.
Pavarësisht se cilat ishin mjetet, me të cilat pushteti bëri të mundur marrjen e Shkodrës pas 32 vitesh, mbes i mendimit se shkodranët bënë gjënë e duhur. Ishalla u del për mbarë, por më keq, ka pak gjasë të shkojë.
Atëherë se çfarë flitet lart e poshtë, kjo nuk ka kurrfarë rëndësie tashmë. Marrja e Shkodrës nga socialistët është e denjë, sa ç’mbetet pësim për mësim për kokat demokrate që masakruan PD-në dhe kërkonin ende në përmbushjen e kësaj tatpjete. Beteja politike ishte e fortë dhe fitoi më i forti, ndoshta edhe duke besuar dhe pranuar se “Mjeti justifikon qëllimin”.
Sa më shpejt që të ndryshojmë edhe ne të folklorizmave, që mendojmë ndryshe, ngase si votuan shkodranët, ata që duan qytetin e tyre po kaq sa ç’janë të denjë të meritojnë shpirtin demokrat, ata që votëbesuan kandidatin e PS për drejtimin e qytetit të Shkodrës për 4 vitet e ardhshme, aq më mirë do të jetë. Nuk ka pse të ketë brengë dhe pendesë, sepse askush nuk kishte bërë një betim dhe kërkon të përmbush një amanet.
Duam s’duam, koha e idealizmave ka marrë fund dhe së bashku me të edhe bastionet kanë abdikuar nga froni. Asnjë anësi e filozofisë politike, nuk duhet të pretendojë territore, nëse nuk do të ndëshkohet si –PD-ja e Berishës, aty ku besimi për fitore të së djathtës ishte i verbër. Sot njerëzit janë bërë më individualist, natyrisht edhe më syçelë e mendjekthjellët. Jeta e tyre është e lidhur me qytetin e tyre, si me çdo gjë që vjen nga progresi dhe prosperiteti. Në darkë, askush nuk u çon fëmijëve flamuj partish apo programe politike, por frytin e një pune të ndershme dhe të mirëpaguar. Pragmatizmi ka sfiduar militantizmin tashmë. Nëse ata që drejtojnë partitë, i kanë rënë lapsit kohë më parë, për të bërë llogari dhe për të nxjerrë hesape, pse duhet që zgjedhësi të paragjykohet për zgjedhjen që zgjedh t’i japë të ardhmes së vet dhe familjes. Nëse njëra palë e bën për pushtet e pasuri, pse të mos bëjë pala tjetër për mbijetesë dhe shanse.
Shkodra nuk mor nga PS, por u dha nga PD. Kjo është e gjitha!
Albert Vataj