Plot 32 vite më parë erdhi në jetë, “Koha Jonë”, e para gazetë e pavarur, i fillimti zë i lirisë së fjalës, i të drejtës për të guxuar dhe kurajës për t’u ndeshur. Ishte kohë burrash që penën e kishin në zemër dhe zemrën e kishin në shpirt. Ata kishin ardhur për të shkruar një faqe në historinë e Shqipërisë, një faqe në kryengritjen e vullneteve për ndryshim. Guxuan më shumë se sa mundën. U ndeshën me të gjithë përbindëshat e agonisë komuniste, për të fituar fjala e lirë, për të fituar e drejta për të mënduar dhe thënë më zemër atë që vullneti e mbrun me shpirt.
Ishte 11 maji i vitit 1991 kur erdhi në jetë ai zë, ai vullnet shprehish të kurajshme ëndërrtarësh, ai kushtrim i zëshëm i atyre që besuan te idealet, tek liria dhe demokracia, te fjala dhe mendimi, te dëshirimi dhe vullneti për t’u sakrifikuar për një ideal që ishte më i lartë se çdo qeill dhe më i zjarrtë se çdo diell.
Ishte 11 maji i atij viti të garrametshëm hovesh të ndrydhura e ngulmesh të tulatura, apatisë, frikës dhe iluzionit, kur lindi ajo, mëkuesja e fjalës së lirë, “Koha Jone”.
Shqipëria dhe shqiptarët e asaj ndërkohje përpëliteshim mes dy botëve; asaj që po jepte shpirt përmes një agonie bishe dhe asaj që gatitej të lindte pas një shtatzënie të mundimshme.
Varfëria dhe mezeria, zemërplasja dhe zhgënjimi, çoroditja dhe kuturisja, mbanin në morsë të hekurta kokën e anuar nga Perëndimi.
Fjala, fjala rënkonte në mërmërimën e saj të robërisë kohëgjatë të diktaturës.
Liria lypte krahë për t’u lëshuar në atë fluturim poterisës.
Ëndrra, ëndrra për të besuar, kishte zgjuar në shpirtin e disa të rinjve krijimin, ngjizjen e një zëri që vinte të sprovonte se deri ku mund të mbërrijë pasioni, vinte të shkruante historinë, gufimin e asaj krijese lirie që do t’i jepte jetë zjarrit e do të kalitte flakën. Kishte lindur “Koha Jonë”!
Historiku i medias shqiptare, natyrisht që nuk fillon me gazetën “Koha Jonë”, por tradita e shtypit të pavarur nuk mund t’ia mohojë asaj atributet e simbolikës së mëvetësisë së lirisë së mendimit dhe shprehjes. “Koha Jonë”, erdhi për të qenë gazeta e parë e pavarur. Ajo lindi dhe u rrit me shenjtërimin e fjalës së lirë që gurroi prej zjarreve pasionuese, për të mbetur e tillë, vazhdoi mes peripecish, persekucionit, përplasjesh dhe ngadhënjimit, për të dëshmuar misionin e saj historik. Ajo është sot, jo dhe aq një madhështi që mbështet mbi supet e saj të së kaluarës, se sa një zë i zëshëm që jehon nga zëri i zemrave dhe pasioneve që besojnë se liria e shprehjes dhe misioni i informimit meritojnë atë shpirt vullnetesh të kurajshme që mbolli dhe kultivoi në median e shkruar, “Koha Jonë”.
Sot, sot kur të gjithë flasin dhe askush nuk dëgjon, “Koha Jonë” vijon të mbrojë me fanatizëm dhe me shpirt vetmohimi bedenat e fjalës së lirë. Një armatë ëndërrtarësh erdhën për të hedhur shpirtin e tyre krijues në këto themele dhe ndërtuan atë altarë ku ne ende lutemi.
“Koha Jonë”, sot mund të shkojë në smartphoni e secilit, arrin të ngre ura komunikimi duke ju binduar arsyes së algoritmit, sikundër të tregojë më zë dhe me figurë se ajo ende jeton, sepse merr frymë nga mushkëritë tona, nga zemrat që rrahën në krahararon e saj, nga shpirtrat që u lartësuan në hyjninë e fjalës së lirë tek e cila ajo besoi.
Gëzofsh pafund ditëlindje “Koha Jonë”, zemra e krisur e kambanave të mia të shpirtit. Falënderoj ata që të lindën dhe të gatitën, që unë të isha biri i jot, ëndrra e ëndërrtarëve që thurën ëndrra dhe lartësuan shpirtje në këtë altar të fjalës së lirë, në këtë sublimitet vullnetesh ngadhënjyese.
Përulësisht, Albert Vataj