Ata ishin krismat që u dëgjuan në të katër anët e botës. Më shumë se një atentat ishte një ngulm për ta futur njerëzimin në një erë të re. U nis si një ngjarje e madhe, por shpirti i epërm i kristianizmit e shndërroi atë në një gjest të hyjshëm faljeje. Doli nga thellë lartësia e qiejve të besimit ky shpirt që i blatohet çfarë Jezusi tha në Kryq: “Fali o Zot se s’dinë ç’farë bëjnë”. Dhe Zoti e vuri në sprovë besimin, siç yshti në tundim shpirtin e trazuar. Plumbat plagosën një Papë, zbritën në duart e plakura qiellin e një faljeje, duke vrarë çdo mosbesim dhe shpërblyer me paqe çdo zemër të lënduar dhe dritur çdo mendje të errët.
Sot 42 vite më parë, më 13 maj 1981, Papa Gjon Pali II qëllohet dhe plagoset rëndë nga një turk i arratisur nga burgu, i quajtur, Mehmet Ali Agça, në Sheshin e Shën Pjetrit, Vatikan. Motivet e vërteta për të vrarë kreun e Kishës Katolike Romake edhe sot vazhdojnë të mbeten enigmë. Sepse, ndoshta, pikërisht ky mister e shndërron gjithë këtë skenë në një kulmim pështjellimesh, që këtë tragjizëm trazimtar dhe këtë qëllimsi ogurzezë ta mbajë të tashëm si kërcënim në çdo kohë.
Pasi u shërua nga plagët e marra në këtë atentat, Papa e vizitoi atentatorin, Mehmet Agçan në burg dhe i ofroi falje, një gjest ky që rrëzoi çdo dashakeqësi të ngatërrese ndërfetare që u projektua. Dora e faljes së Papës ishte një bekim. Ne jemi të gjithë bijtë e Krijuesit dhe bashkëjetesa e harmonishme është një shpërblim, edhe për fajtorët, dhe Papa bëri atë që botën mbushi me shpresë.
Gjatë procesit të hetimeve, Agça çoi në arrestimin e tre bullgarëve dhe tre turqve, të cilët dolën në gjyq në vitin 1985. Agça ishte dëshmitar kyç i shtetit. Në gjyq, ai e përshkroi veten si Jezu Krisht, parashikoi fundin e shpejtë të botës dhe e shpjegoi skenarin bullgar të atentatit, si të sajuar nga zbulimet perëndimore. Agça tha se Perëndia e kishte udhëhequr për të kryer atentatin. Ai e lidhi sulmin me Sekretin e tretë të Fatimës; tre mesazhet profetike, sipas traditës katolike, që Madona, Virgjëresha Mari, ua tregoi tre fëmijëve baresha portugeze, të cilave iu shfaq në vitin 1917.
Mesazhi i parë thuhet se parashikoi Luftën e Dytë Botërore. Mesazhi i dytë lidhej me rritjen a zgjerimin e Rusisë (Bashkim Sovjetik). Dhe sekreti i tretë, i zbuluar nga këshilli i Vatikanit më 1985, parajmëronte; ‘[Rusia] do të përhapë gabimet e saj në të gjithë botën, duke shkaktuar luftëra dhe persekutime të Kishës. E mira do të martirizohet. Ati i Shenjtë do të provojë vuajtje (plagosje), dhe kombe të ndryshme do të shuhen’ (13 korrik 1917).
Ngjarjet rrodhën. Më 1986, të pandehurit bullgarë dhe turq u liruan për mungesë provash. Më 1991, Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari. Në vitin 2000, pas 19 vjetësh burg në Itali, Agça u ekstradua në Turqi, ku kreu dënimin e mbetur nga koha e arratisjes – u lirua në janar 2010.
Sot jemi 42 vite më pas, vite ku shumë gjëra kanë ndryshuar, vite kur bota ende zien nga luftrat dhe besimi vihet gjithnjë në provë.
Albert Vataj