Në nji botë lirish t’pakufijshme e mundësish t’pafundme, me ken dikush tjetër don, sfida me mbet vedja asht tue ken ma e ngadhënjimtarja prej tana ndeshjeve titane t’tashmes, qi t’mundsojn me u arratis nga e shkumja si prej vedit.
Vitet ikin, por shum’ gjana mbesin t’ngulituna thellë, njaq thellë sa dhe t’pamujtuna me ik n’nesh.
Do t’kisha dasht me tan zemër me ndryshu, por tue mos mujt, marr n’vedi nji pendim prej fajtori dhe si nji rishtar mbetem i përulun me i ken dorzan çdo shtërngimi dhe shëlbimi.
Me zotnu vedin, kjoft edhe n’çka sheh, kur tankush po don me u arratis nëpërmjet mënyrash t’ndryshme, m’bahet se asht nji mënyrë me reflektu.
Ç’ka asht diçka qi koha e lyp me ngulm me zbraz prej tejet, me ngutin me t’mbush me nji land, e cilla edhe n’se asht e huej, bahet e jotja përdhunshëm, ndoshta jo tue t’burgos, por tue t’nguju në nji burg lirish qi t’napin mundësin me e rrok realitetin, me u ba pjesë e nji tjetërsimi, anipse tue t’ba me heq dorë prej tana gjanave ma t’çmueme, me t’cillat je krenu, por edhe je turpnu.
Ama tue mos harru se krejtkta kan’ ken gjanat e tuja, dhe po duen, pa droj e pengim me mbet me ty, tash e përgjithmonë, edhe pse, ma shum’ se nevoja, koha po don me ti marr, e me ti konsideru si mbetje. Pa pyet e pa ken vramun n’shpirt e n’ndërgjegje, se tançka ke mujt me ken derimtash, asht nji rrugëtim martiri, prej mundimeve deri n’kryq.
Ngulmi me mbet vedja m’ka lan shum’ mbrapa, njaq sa m’bahet se çdo gja qi asht realitet, m’duket njaq e huaj dhe njaq përjashtuse, sa ndihem n’vedi, si i ardhur prej nji kohe tjetër qi po tenton me u ba pjesë e t’tashmes.
Gjithqysh, shoh se s’mundem me ba ma shum’ se me ken jashtë kohe, i përjashtuem prej gjithë këtij spektakli terrori tjetërsimi dhe manipulimi. Konstatoj se vedja asht tue ken maska ma e papërshkueshme dhe ndëshkimi ma i pamshirshëm. E megjithatë un’ kambngul me ken dhe me mbet vedja, në nji tashmëri që kërkon viktima, për me ngop oreksin e babzitun të tjetërsimit të gjithçkaje në emën t’tashmërisë.
Përfundimisht un’ kam vendos me vullnet të lirë, me mbet vedja jeme, i burgosun në njat qenie qi fati jem ka zgjedh me m’shpërbly, anipse n’robnim, por ama nji zgjedh qi asht e jemja, se deshta me ken njaj qi jam, e jo me pranu nji liri të tjetërkujt, e cilla lyp me m’dhan ma shum’, por qi s’asht dhe s’du me ken e jemja, ngase asht, haram se asht e huaja.
Tue marr përsipër tana barrat e randa t’nji t’harruemi e t’përjashtuemi prej krejt kësaj balte t’hyjt poshtnimi e tjetërsimi, kam zgjedh me mbet vedja, edhe pse asht tue ken një sipërmarrje fort e guximshme dhe nji sfid qi lyp haraç të çmushëm.
Anibre, e ç’ka tjetër m’duhet me ba, me ken vedja, veçse me refuzu çdo çmenduni dhe budallek, me i ra hasha çdo zotnimi t’zejeve t’shtirjes dhe falsitetit, me refuzu krejt maskat qi neper me nji mizori njaq bujare, sa e ke t’pamujtun me e refuzu. Asht kjo qi tue u shndriu në pushtet zotnimi, ka kambngul me nënshtru çdo vullnet lirie, tue ju ofru n’këmbim nji t’tashme, e cilla tue ken e huej, ka pak gjas me u ba e jotja, pa arrit me t’tjetërsu, me t’ba njaq sa mos me mujt me e njofto vedin.
Edhe pse?!
Për me ken kohanik, me u ba pjesë e realitetit dhe njiherash marionet n’duart e nji akti tragjikomedik.
Po, njimto janë tana llojet e qi po m’baka ma trendy dhe ma i pëlqyem n’syt e çjerr, t’nji t’tashme, e cila m’bahet se tue mos dit se ç’ka kërkon, nep gjithçka si çmim me ken ç’ka tjetërkush kërkon, si një formë moderne skllavnimi.
Un’ kam sos me ken dhe me mbet vedja, me tana gjanat qi m’përjashtojnë dhe m’lan jasht realitetit, tue mos m’lan me ken kohanik.
Ju rritt ndera!
S’po du, bash kurrgja qi ma jepni me njaq bujari sa s’muj me e pranu.
Gjithmonë jam dhe kam me ken, njaj i përjashtumi i të tashmes, i tana gjanave qi jan dhe mbesin t’huja për mu. S’du kurgja qi m’detyron me ken dikush tjetër.
Haram gjithçka qi m’falet me nji zemër t’përlyme dhe më m’kohet me nji shpirt t’ndym.
Du at qi kam dasht me tan zemër dhe kam besu sa tue ken vedja jeme nër vite, ka me ken tançka qi jam, krejtçka m’njohin e njëjt, në nji t’tashme, që tue na lyp me ndryshu, kërkon me ken t’robnuem.
Vedja sot e përgjithmonë, ani pse me 10 vite ndërmjet, por un’ njaj qi kam ken, kam me mbet, don s’don kush.
Kam sos me ken i lir’ n’skllavnimin tem…