Letra që nuk prisje!
Është pak pas mesnate! Shiu i përkund mallshëm mendimet e mia. Ndihem i vetmuar, por më shumë se aq, ndihem i braktisur. Kjo jo për fajin tënd, apo të dikujt tjetër, por për timin. Për fajin e njeriut brenda meje, asaj qenie që mbarset e bart, sa dritë po kaq edhe errësirë. Se mos ishte kjo zgjedhja që ne bëmë, por ama përpjekja për ta kuptuar atë dhe për të guxuar është e atyre që duan sepse duhen, dhe unë sot dua të guxoj ti hy një beteje që dua ta fitoj, të të kem ty, të të mos lejoj kurrsesi që të të humbas.
Ti erdhe në jetën time si një ngjarje dhe rrjedhimisht je dhe dëshiroj që të mbetesh, prej të shtrenjtave gjëra më e shtrenjta. Por që të mbetesh e tillë duhet të guxojmë, t’i tregojmë vetveteve tona, se sa e meritojmë njëri-tjetrin.
Kjo do të jetë letra e parë, e një serie letrash që do të këmbejmë bashkë, në këtë përpjekje sfiduese për ta shpëtuar nga rutina asgjësuese atë që është e rëndësishme për mua, shpresoj dhe besoj se është edhe për ty. Është një letër e gjatë, por më shumë se si e tillë, do të jetë tronditëse, si për mua edhe për ty. Do të jetë “Letra që nuk prisje!” Për faktin e vetëm se, në një përpjekje për të të mos humbur, unë kërkoj përulësisht mirëkuptimin tuaj, të reflektojmë, në atë që unë do ta konsideroja si sprovë e asaj që është mes nesh e shtrenjtë dhe e çmuar.
E shtrenjta ime, unë propozoj t’i japim fund zakonshmërisë së komunikimit. Fjalëve klishe dhe komunikimeve rutinore t’u japim fund.
Duke mos komunikuar intensiv dhe pa thelb, si për të treguar se ti je atje e unë jam këtu, ne mundet ta shpëtojmë ndjenjën nga degradimi. T’i japim kohe dhe mundësi asaj që ndjejmë për njëri-tjetrin të shndërrohet në potencial energjie për të lejuar atë që është brenda nesh të jetë një diell.
Kjo mungesë, duke u rritur, ndoshta duke u bërë edhe e padurueshme, të bëhet një shtysë për t’u takuar, dhe ky takim të jetë i stolisur me magjinë e vet, me atë që e vesh madhështisht ndjenja dhe e fisnikëron dlirësisht përjetimi.
Duke u shkruar e duke folur, ashtu në një nevojë për ta mbajtur njëri-tjetrin nën mbikëqyrje, nuk do ta lëmë atë gjë të bukur të rritet brenda nesh. Nevojat e përditshme për t’u shkruar apo edhe për të folur nuk janë gjëja e duhur, nuk janë ajo çfarë…, duhet të na mungojë njëri-tjetri që ne të duhemi, ta përjetojmë fuqishëm atë që ushqen ndjenja.
Rutinorja bën që të degjenerojë në diçka të zakonshme ndjenja, unë nuk e dua këtë dhe nuk do të lejoja që kjo të ndodhte, për sa kohë që ajo që ti je tek unë është shumë më shumë se sa ajo që ne përpiqemi ta themi me prezencë dhe komunikim. E ndjej se diçka po ndodh, po zbrazem, po velet, po humbet ngjyrë, po shteron shkëlqimin e vet mahnitës. Dhe është pikërisht ky panik, kjo frikë, që më ka shtyrë që të ulem e të shkruaj, patjetër duke t’u lutur të më mirëkuptosh. Nuk mundem më të lejoj që të humb ata që dua me gjithë shpirt. Ne duhet të gjejmë forcë të sfidojmë për të fituar atë që është e paimagjinueshme, të cilën zakonshmërie e bisedave dhe rutinorja e komunikimeve, e vret.
Dua, dhe për këtë më duhet të vuaj, që kur të takohemi, nëse do të mundemi dhe nëse do të duam, të na shkëndijnë sytë, të mos kemi fjalë të themi, të mos mund të ngopemi me frymë, të na çahet kraharori nga rrahjet e shpejtuara të zemrës. Ta ndjejmë praninë e njëri-tjetrit si një mrekulli, si një gjendje eterne që vërshon brenda nesh. Ato pak minuta, orë ndoshta pak, të jemi pranë njëri-tjetrit duke e pranuar njëri-tjetrin si një përjashtim i çdo gjëje që ka ndodhur në jetën tonë.
E shtrenjta ime, duhet t’i mungojmë njëri-tjetrit që të lejojmë njëri-tjetrin të jetë i shtrenjtë për njëri-tjetrin. Do të jetë shumë e vështirë, por kam bindjen se do të i’a vlejë.
Gjatë kësaj torture akumulimi, nëse do të dëshiroje, t’i shkruajmë njëri-tjetrit, kur mungimi i njëri-tjetrit ta nënshtrojë këtë robërim ndarjeje dhe fjala të bëhet rrëfyes i shpirtit.
Unë nuk dua të të humbas kurrsesi, ndaj, duke i vënë zemrës vargonj të rëndë, lejojmë që ajo të sprovohet dhe ta meritojë thellësisht atë çfarë e bën të jetë e dëshiruar mish e shpirt për njëri-tjetrin.
Ta bëjmë të shenjtë dashurinë tonë, duke i lejuar shpirtit të mbushet me dëshirim. Nuk dua as më shumë e as më pak se sa duam, pavarësisht emrit që i vëmë “xhan” apo “shpirt”.
Fjalë, fjalë, fjalë, fjalë, fjalë, pafund fjalë për të mos thënë asgjë, ndoshta për të menduar se sa më shumë që flasim, aq më pak na mbetet të mendojmë për njëri-tjetrin.
Duhet t’i kundërvihemi natyrës njerëzore për të fituar atë që duam, nëse ne vërtetë duam dhe përpiqemi që përmes kësaj nevoje për distancim dhe mungim të pranojmë deri në madhështi njëri-tjetrin.
Faji s’është i imi as i yti, është zakonshmëria që krijon marrëdhënia, e cila nuk lejon të mbijetojë apo të rritet ajo që duam, ajo hyjnorja që lartëson shpirti.
Një bimë duke e ujitur shpesh e shpesh, në një nevojë për të qenë të bindur se sa shumë e duam dhe sa i rëndësishëm është kujdesi për të, ajo do të kalbet, dhe, pendimi nuk do të mund të na e rikthejë më atë.
Albert Vataj