Dhe Profeti u gjegj:
Popull i Orfalisë,
për çka mund të flas unë
përveç për atë që, madje edhe tash,
e ndjeni tek lëviz
nëpër shpirtrat tuaj?
Atëherë Almitra i tha, na fol për Dashurinë.
Ai ngriti kryet, shikoi polemin
që e kishte pllakosur një qetësi
dhe, me një zë të madh, foli:
Atëherë kur ju shenjon dashuria,
ju ndiqnie pas,
ndonëse shtigjet e saj janë të vështira, të rrëpirëta.
E, kur krahët e saj t’ju përqafojnë, ju dorëzohuni,
aniqë ushta që fsheh ndër fletëza mund t’ju lëndojë.
Kur t’ju flasë dashuria, i besoni,
anipse zëri i saj mund t’i dërrmojë ëndrrat tuaja,
si veriu kur shkreton kopshtin,
ndaj, siç ju kurorëzon
Dashuria ashtu edhe ju ndeh.
Dhe, ashtu siç është për rritën,
e tillë është edhe për krasitjen tuaj.
Edhe kur zbret deri tek ju e ju përkëdhel
degët më të holla që drithërojnë në diell,
ashtu zbret edhe tek rrënjët tuaja
dhe i shkund nga thellësia në dhé.
Ajo ju qas ndanë vetes, si kallinjtë e grurit në duaj;
Ju bën shirje dhe ju zhvesh;
Ju shoshit derisa t’ju qërojë nga lëvozhga.
Dashuria ju bluan deri në bardhësi.
Ajo ju mbruan derisa t’ju bëjë të epur
që më pastaj t’ju përcaktojë për zjarrin e saj të shenjtë
që të bëheni bukë e shenjtë
për festat e shenjta të Hyjit.
Të gjitha jua bën dashuria,
që të dini fshehtësirat e zemrës suaj
dhe me atë dituri të bëheni
një dell i zemrës së Jetës.
Mirëpo, nëse nga frika kërkoni
vetëm qetësinë e kënaqësinë e dashurisë,
më mirë mbulojeni lakuriqësinë tuaj,
çaponie pragun e saj dhe kaloni në botën
e pa stinë, ku mund të qeshni,
por, jo me tërë gazin,
edhe të qani,
ama, jo edhe të derdhni krejt lotët.
Dashuria nuk jep, veç vetvetes,
dhe nuk merr veçse nga vetvetja.
Dashuria nuk ka pronë dhe as që lejon të jetë pronë.
Dashurisë i mjafton dashuria.
Kur dashuroni, nuk duhet thënë:
“Hyjin e kam në zemër,” por,
“Jam shi në zemrën e Hyjit.”
Mos kujtoni që mund të drejtoni krahët e dashurisë,
ndaj, dashuria, po mendoi se ia vleni,
ajo drejton udhën tuaj.
Dashuria nuk ka tjetër dëshirë
veçse të plotësojë vetveten.
Por, nëse dashuroni dhe keni dëshira,
këto le të jenë dëshirat tuaja:
Të shkriheni dhe të bëheni rrëke
që rend dhe natës i këndon këngën e saj;
Të plagoseni nga vetë të kuptuarit tuaj të dashurisë;
dhe, të gjakosni me dëshirë dhe me gëzim.
Që në ag të ngriheni zemër-fletë
dhe të njihni miradinë edhe të një dite të re
për dashuri.
Të pushoni në mesditë
dhe të mejtoheni mbi dalldinë e dashurisë.
Në mbrëmje të ktheheni në shtëpi
me ndjenjën e mirënjohjes
dhe të flini me lutjen për të dashurin e zemrës
dhe me këngë lavdie në buzë.