Kur ti ike, u kujtova qi kisha harrue me t’puth,
Me t’dhan, ç’ka m’ban me krah, çdo t’lumen ditë, e t’bekumen andje.
E tue lyp, se si e qysh, t’amlën puthje me ta çu,
Nji flutur hyn ku kjesh n’trazim shkrehun, e n’trinën e dorës kadal mu ul.
Amanet puthjen mbetun borxh i’a lash,
E ajo kah hyni, turraz iku e u fik,
N’buz më mbeti pak push, e prush shkëlqimi prej saj,
Më sy e me zemër, përmbas i’u vuna kah te ty u nis me ardh,
Don Zoti e t’gjen, kah rrezja t’sheh tuj t’shndrit, e ta prun puthjen valë,
Puthjen qi mu thye në zemër si njaj qiell n’kraht e nji zogu.
Shpirti jem, n’se flutra pshtjellon rrugë e te ty s’din me ardh,
Buzë t’paputhun ka me gjet, e borxhi s’ka me hup,
Prushi i njiksaj zemrë, zjerme ka me përpush ndër t’amlat buzë,
E di, andrra shkon me trazue, e kang t’paknume fort ka me nguc.
Deri at’her çdo luleje qi n’ty përngjason, fort kam me u and,
Çdo taft, t’amlin e shpirtit me afsh kam me e mëku,
Me buzën qi m’përvlon mbes tue t’prit i xanun n’faj,
Shpaloj pendët e diellit, me dritë e me ty, andjen teme mallshëm mbush.
Puthjeve çahen shegët e buzve t’eshkuna zjarm,
Digjet shpirti në përvëlimin e njatij padurimi qi m’kall,
E un’ ligshtun mbes, tue kafshu n’buzë, puthjen qi asht nis me ardh te ti
Puthjen e mbetun borxh, buzën qi m’djeg e shpirtin qi vuen e s’nepet.
Shko ti flutur, frym e hyjshme e amanetit t’puthjes teme,
Prehje e epje gjej, luleve flatrumun zalisjesh e afshit,
Ku petalet e drojshme hirshëm shpalojnë e dalldisin epsheve,
Njaty mëkoje shpirtjen teme, e t’lumen buzë prush
Tue ju ba krah njikti zjarmi qi m’djeg,
I bahesh flutur tana kandjeve lulue pranverave
E zjarm zemre çon në çdo buzë qi përflaket n’puthje.
Albert Vataj