Biznesmeni i njohur me origjinë nga Dukagjini, Gjergj Luca, në pamundësi për të qenë i pranishëm në protestën e 20 shkurtit, ka bërë sot një apel për rregullimin e rrugëve të Dukagjinit, e cila pritet t’i japë një hov tjetër zhvillimit të zonës. Ai iu bën thirrje të majtëve e të djathtëve, që të lënë ndasitë me përkatësi politike, për të mirën e qytetarëve, për të mirën e të gjithëve, sepse Dukagjini aq sa i përket historisë dhe traditës së vet, ai i përket Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, i përket gjithë dukagjinasve kudo që ndodhen nëpër botë.
Ai fton të gjithë, t’i bashkohemi protestës së 20 shkurtit në Shkodër, për rrugën që lidh 30 fshatra të Dukagjinit, sepse kjo është thirrja e rrënjëve tona, e gjakut të të parëve e amanetit të tyre. Sepse Dukagjini është një nga rrënjët më të forta të historisë së Shqipërisë, bijt e saj kanë qenë përfaqësues vlerash dhe arritjesh të jashtëzakonshme.
Gjergj Luca u bën thirrje për pjesëmarrje në këtë tubim, shkodranëve, atyre qytetarëve që ishin zëri dhe ndërgjegjja e hapave më të rëndësishëm të identitetit tonë kombëtar. Të jemi të gjithë bashkë për një të drejtë të ligjshme, për një obligim që na bashkon për të na dëshmuar se sa i rëndësishëm është zëri i një të drejte, ndërgjegjja e një vullneti për vlerësim dhe dinjitet.
Qeveria të mundësojë realizimin e kësaj rruge, tha mes të tjerash, Gjergj Luca, të këtij projekti social dhe ekonomik me rëndësi kombëtare.
Duke bërë një rrugë për Dukagjinin, shteti kontribuon të integrojë në hartën e turizmit malor një zonë atraktive, një zonë të pasur me histori dhe tradita, një zonë që është djepi që ka përkundur figura të ndritura të shqiptarisë.
Vetëm një rrugë, asgjë më shumë për të arritur aq sa do ta vendosi Dukagjinin në një piketë të rëndësishme të progresit ekonomik. T’u rikthejmë jetën këtyre fshatrave, ëndrrën atyre njerëzve, besimin gjeneratës së re, duke u dërguar një rrugë, duke u dhënë një mundësi, duke u hapur një shpresë, që ikja të ndalojë dhe jeta në magji alpine të vitalizohet për t’u shndërruar në një potencial zhvillimi dhe progresi.
Një rrugë, aq pak për një synim aq të madh. Gjergj Luca gjatë fjalës së tij premton se do të ndërtojë bujtinën e parë në Xhan, atje ku i kanë patur rrënjët të parët e tij, dhe jo vetëm ai do të ndërtojë një muzeun ku të promovohen figurat e kësaj treve, jeta dhe vepra e tyre.
Albert Vataj