Një penë si paktjetër, që e stolis mendimin me një shpirtje të tillë zjarrmëtare, të një këndimi të pashoq shqip, asaj shqipe që po mënjanet qëllimisht, asaj magjepsjeje që rivjen për të na mëtuar dhe mëkuar shenjtërisht fjalën, tingullin melodik që e përkund endjen tonë dhe e vendos komunikimin në një rrafsh etern.
Genta, mikja ime, pena juaj, padyshim që është një fenomen në letërsinë shqipe, rrjedhimisht, me ju, rinis një ndryshes e themelt në mënyrën se si ne e trajtojmë gjuhën, se si përmes saj si stoli, nusërojmë shpirtin krijues dhe i japim andjes së leximit një tjetër kërshëri. Duke hequr dorë nga thjeshtimi i komunikimit deri në neveri, që disa pretendues të narracionit modern përdorin, ju ktheheni pas, në barokun e ligjërimit, në tamëlcimin e fjalës dhe përdredhimin e tingullit, si tendencë për ta lëmuar trajtën dhe fisnikëruar rrëfimin.
Pena juaj na mëson se si duhet të shkruajmë, se si ta joshim leximin përmes kësaj galance, duke mëkuar bashkë me brendinë dhe fabulën, korrektësinë e fotografimit të realitetit edhe aftësinë perceptuese të situatave dhe gjendjeve ku fjala është ajo ngasje joshëse, që na thërret të pjesëmarrim në atë gosti të bujarshme përjetimi si në një procesion magjish.
Të përgëzoj mike!
Albert Vataj
Gentiana Kone përgjigjet
I nderumi të nderon, i dituni të mëson, poeti drit gjithësinë!
Mund të shkruash shumë e gjatë për magjinë e fjalës së shkruar nga Albert Vataj, por kur të mbarosh gjithshka do të duket pak e jo e plotë. Magjia që përcjell shqipja e epërme, gjuha e Orëve dhe Zanave, shkakton atë vrundullimë shpirti që veç shenjtëria e krijimit ngjall.
Me mirënjohje i falem mikut, artistit poet, Albert Vataj, për ç’ka shkruan sa më poshtë.