“Fati mizor i kishte dhënë zotit Poe fizionominë klasike të poetit të mjerimit. Uria i kishte bërë grimin e fatalitetit të zi në fytyrën e tij prej një të varfëri. Xhon Kenedi (jo Presidenti i SHBA-ve, por një ushtarak i lartë dhe letrarë amerikanë) tregon se gjeti tek ai një djalosh që privacionet e kishin dobësuar dhe e kishin bërë skelet, me një redingotë që i kishin dalë fijet e trasha dhe që e kopsiste deri në grykë për të mos iu dukur rrobat poshtë saj, me të mbathura të grisura, me çizme të grisura, brenda të cilave s’dukeshin çorapet, por megjithë këto, ai kishte një pamje krenare, sjellje të fisme dhe ca sy që i shkëlqenin nga zgjuarsia.
Shkrimtari fatkeq, Allen Poe, shkruante për gazetat, qëmtonte dhe përkthente për librashitësit, përpilonte artikuj brilantë dhe tregime për revistat. Botuesit ia publikonin shkrimet me shumë dëshirë, por e paguanin aq keq djaloshin e varfër, saqë ra në një skamje të frikshme. Askush nuk donte t’ia dinte se kjo penë e rrallë dhe ky shpirt i ngopur me dritë e me terr, kishte ardhur me një mision të madh, edhe pse fati e kishte kapur keq me të, që kur ishte fëmij.
Ra aq poshtë, pendi i penës së Korbit, saqë mund të dëgjoheshin të binin për të kambanat e vdekjes, por ai dukej se nuk do të dorëzohej aq lehtë.
Një ditë, një gazetë e Baltimorës propozoi dy çmime për poemën më të mirë dhe për tregimin më të mirë në prozë. Një juri letrarësh, ku bënte pjesë edhe zoti Xhon Kenedi, u ngarkua të vlerësonte krijimet. Megjithatë, ata s’e kishin mendjen për t’i lexuar materialet e propozuara për konkurrim; prania e emrave të tyre ishte gjithçka që u kërkonte atyre botuesi. Normal, siç ndodh rëndom edhe sot. Gjithnjë duke biseduar për gjëra të ndryshme, aspak mbi letërsinë, njërit prej tyre i tërhoqi vëmendjen një dorëshkrim që dallohej nga bukuria e pastërtia e shkrimit dhe dlirësia e karaktereve të personazheve të tij. Deri në fund të jetës, Edgar Poe pati një shkrim tej mase të bukur. Zoti Kenedi lexoi vetëm një faqe dhe, i mrekulluar nga stili, e lexoi krijimin me zë të lartë. Juria votoi marrjen e çmimit të parë për gjeniun që dinte të shkruante aq bukur. Zarfi që përmbante çmimin, u gris dhe u lexua emri i panjohur deri atëherë, Edgar Allen Poe.
Botuesi foli me zotin Kenedi për autorin e ri me fjalë, që i shtuan atij dëshirën për ta njohur.
Kenedi bisedoi me të si mik dhe i pëlqeu pa masë. Poe i hapi zemrën, i tregoi gjithë historinë e tij, ambiciet dhe projektet e mëdha. Kenedi nxitoi, e çoi në një dyqan veshjesh, te një shitës rraqesh, i quajtur Lesazhë, dhe i bleu rroba të rehatshme, pastaj e njohu me tërë rrethin e tij të miqve e të shokëve. Është koha kur një zotëri, Tomas Uajt, po blinte pronat e “Mesazherit letrar të Jugut”, një gazetë letrare mjaft e njohur. Ai zgjodhi zotin Poe për ta drejtuar dhe i dha një rrogë prej 2500 frangash në vit, jo ndonjë e ardhur e mirë, por gjithsesi e kënaqshme për djaloshin e talentuar. Shpejt Poe u martua me një vajzë të re, që s’kishte asnjë kacidhe.
Thuhet se atëherë filloi të shpenzonte me tepri dhe ky ves u bë pjesë e jetës së tij, por fakti është se ai gjeti kohën të shkruante një numër mjaft të madh artikujsh dhe pjesë të bukura me kritikë për gazetën “Mesazheri”. Pasi e drejtoi atë për një vit e gjysmë, u tërhoq në Filadelfia dhe krijoi gazetën “Xhentëlmen magazinë”. Kjo revistë periodike u themelua në “Graham magazinë” dhe Poe vazhdoi të shkruante për të. Dhe nisi kështu rrugëtimi i poetit dhe esse-istit të madh, atij që do të bëhej një nga poetët emblematik dhe sendërtuesit e trillit më të spikatur. Fati i keq nuk do të hiqte dorë së përgjuari me bvështrim trazimtarë jetën dhe shpirtin e tij.
Albert Vataj