Po, ka ende shpresë se; libri, letërsia, dija, kultura, virtytet, dinjiteti, pozitivja, mund të jetojnë ende. Ëndrra jonë e madhe që dot nuk e përmbushëm, siç në shpirt e gatuam dhe në dëshirime e mbujtëm, gjen shprehi dhe vitalitet i së mundshmes për tu bërë reale, pikërisht aty ku shanset i shuajmë por shpresa mbetet sfiduese. Unë i përkas atyre që nuk kanë hequr dorë, adhurues i asaj luleje që shpërthen nga shkëmbi dhe çel.
Mu bë bindje kjo lutje, ndërsa takova nxënësit e Gjimnazit, “Faik Konica”, të Korçës, Rrethin Letrar me Orientim Gjuhësor. Me ftesën e mësueses së këtij gjimnazi, Entela Petro, pata privilegjin të takohem, të bisedoj, të ndaj atë sinqeritet me zemër në dorë, me moshatarët e tim biri, të cilët patën mirësinë të më shpërblenin me bujarinë e vëmendjes dhe interesit për të biseduar për gazetarinë, letërsinë, poezinë, krijimin, pikturën, dashurinë, për jetën. Sy e vesh, shpirt e zemër, gjeta në këtë mundësi për të kuvenduar më atë gjeneratë, e cila sot është e keqkuptuar dhe e paragjykuar, siç mbetet më potencialja e aftësisë dhe kapaciteteve për ta çuar të tashmen e rrëmujshme dhe kaotike, në një të nesërme ku fare e shpresës që ata po hedhin, të mbijë dhe kjo bimë ardhmërie të harliset në një botë ndryshe nga e jona, në një reale që gjen të prekshme atë që është e paimagjinueshme, rrokaqiellëse në zotërimin e aftësisë për të merituar ç’farë e realizueshmja drejtohet kah nesh, me duart plot dhurata.
Faleminderit gjimnazistë të “Faik Konicës”, faleminderit mësuese, Entela Petro, për nderimin që më bëtë, duke më ftuar të jem pjesë e pelegrinazhit të dritimit të hyjshëm të At Gjergj Fishtës.
Përulësisht mirënjohës, Albert Vataj!