Lucius Annaeus Seneca, i njohur gjithashtu si Seneca i Riu, jetoi në gjysmën e parë të shekullit të parë pas Krishtit. Ai ishte mësues dhe më pas këshilltar i perandorit Neron. Ai gjithashtu shkroi në një sërë zhanresh, duke përfshirë tragjedi, ngushëllime, letra filozofike dhe traktate etike. Shkrimi dhe veprimtaria e tij politike u formësuan nga aderimi i stoicizmit, një nga disa shkollat filozofike që doli nga Greqia dhe u zhvillua dhe u praktikua në Romë. Parimi i saj qendror ishte se mënyra për t’u bërë i virtytshëm, dhe për këtë arsye i lumtur, ishte të bëhesh plotësisht racional. Stoicizmi ishte i popullarizuar në Romën perandorake, sepse, ndryshe nga shkolla e tij rivale e epikurianizmit, ai nuk i dekurajoi ithtarët e tij që të mbanin poste politike. Kështu plotësonte synimet e klasës senatoriale, e cila kishte kohën e lirë për të studiuar.Ndonëse i tërhequr nga jeta publike, ‘Sokrati Romak’ me origjinë spanjolle ishte implikuar në Komplotin Pisonian të vitit 65 pas Krishtit, kundër ish-nxënësit të tij. Ashtu siç i ka hije një figure të lartë romake, ai ishte ‘ftuar’ të merrte jetën e tij, të sakrifikohej. Venat e krahëve, kyçeve dhe këmbëve të tij i’u prenë, dhe ai hyri në ujin e ngrohtë, duke përshpejtuar gjakderdhjen, e cila i solli përfundimisht vdekjen.
Është një episod dramatik, i rrëfyer nga Taciti në Analet e tij. Megjithatë, kryevepra e imituar gjerësisht e Rubens-it, e vitit 1614 ka shumë më tepër sesa duket në sy: origjina e këtij imazhi vizual të vetëvrasjes së Senekës gjurmon një rrugë të përdredhur.
Në shekullin e 16-të një statujë klasike prej mermeri u zbulua në Romë, e cila tani është e ekspozuar në Luvër. E gdhendur nga guri i zi vezullues, dukej se tregonte një burrë të moshuar, duke u grimosur nga dhimbja, venat e gjymtyrëve të tij të fryra. U pretendua menjëherë se ky ishte një imazh i Senekës që po vdiste, emri me të cilin u bë i njohur vepra. Rubens ishte ndër të shumtët që u mahnitën nga ajo dhe kjo e frymëzoi atë të pikturonte versionin e tij të skenës.
Seneka ishte një figurë që kapërceu kalimin nga Evropa pagane në atë të krishterë. Ai u shfaq, gjithmonë disi heroikisht, në veprat e shkrimtarëve të mëdhenj të Evropës mesjetare – Dante, Chaucer, Petrarch – dhe më vonë ndikoi në shkollën e filozofëve neostoikë, ndër të cilët Justius Lipsus, ishte një figurë me ndikim. Ky filolog dhe humanist flamand, i cili ishte mik i Rubens-it, u përpoq që mësimet e lashta të stoikëve, prej të cilëve Seneka ishte më i famshmi, të përputheshin me mësimet e krishtera. De Constantia (Për qëndrueshmërinë), botuar në 1583, është ndoshta vepra e tij më me ndikim dhe më e famshme.
Ndikimi i Lipsus në përbërjen e Rubens bëhet i dukshëm. Në të majtë të Senekës, një mjek i preu arteriet stoikut me një bisturi. Taciti nuk e përshkroi kështu skenën. Në Analet, historiani romak pretendon se një mjek kishte përgatitur helm për Senekën. Por, duke qenë se në një shoqëri të krishterë në shekullin e 17-të, vetëvrasja ishte një mëkat, fati i Senekës vendoset në rrethana të tërthorta. Është një dorë tjetër që i merr jetën – dhe kështu ky hero proto-kristian mund të shpëtohet ende nga dënimi i përjetshëm. I riu në të djathtë të Senekës regjistron fjalët e tij të fundit, pasi dy ushtarë në sfond sigurojnë kryerjen e veprës.
Identiteti i skulpturës klasike që frymëzoi Vdekjen e Senekës u vu shpejt në pikëpyetje. Dyshimet u ngritën në vitet 1760 nga gjermani JJ Winckelmann, një figurë kyçe në zhvillimin e historisë së artit, i cili mendonte se skulptura mund të përshkruante një figurë komike të teatrit romak. Në ditët e sotme, shpesh përmendet si Peshkatari i Vjetër, një figurë që besohet të jetë duke ecur nëpër ujë, prandaj është e dukshme mungesa e këmbëve poshtë, ena ishte thjesht një shtesë e Rilindjes. E tillë është rrjedha e ndërlikuar e frymëzimit artistik dhe rastësia e fakteve historike.
Përgatiti: Albert Vataj