Nga Albert Vataj
E ndigjon njashtu prajshëm dekikun e kunguem gjallnimit, mes fëshfërimës urtake të gjetheve, e ndin pëshpërimën e nji zani t’ndrojtun.
Del prej harlisjes kjo bzamje, si taft, gurrumun gjithkahjes; ku rranjët pleksen gurëve dhe humusit; e ku dimnat e hapat e ndrojtur kanë lanë plag trungjeve.
N’jaty, n’Razëm!
E kundron se si shpërfaqet magjishëm idili i nji përjetimi, drithërues mes t’florinjtave rreze, qi dredhojnë degëve, e hovshëm shkrehen, ngarkuar me afshin e hireve. Prehjen mbështjell me një aureolë të shkëlqimt dehjeje.
Asht dit, shpirtje vezullimi qi drittet gjelbrimit harbueshëm, njaty n’nji prehën pylli, n’Razëm.
Pluskon n’kyt spektakël ngjyrash e shtanget n’hutim, e jemja andje, e juaja shkujdesje, e njiherash, krejt ç’ka rrok me andje, dikund, dikush e zhban n’kurrgja.
E ditshmja e këtushme asht e vezullimt z’brendshmi dhe e madhërishmja, t’naltsuem e ka shkasin.
N’jaty, n’Razëm!
E çastshmja asht natyra, pylli, pemët, heshtja.
Asht nji vend ku njeriu brenda nesh, po, ai zotnuesi i paepun i tansisë, tue dasht me lyp prehje, gjunjëzohet. Mundet me gjet njat paqe, të dishrueme ndoshta, qi e ban ate, me u ndi si brenda placentës amsore, njaty ku u ngjiz e u kriju, si trajta ma sublime e qenies, njaty ku guxoi me e thirr jetën me zanin e gjithsisë.
E njashtu, tue ken gjithçka e andrrimit dhe dëshirimeve, rrekesh me ju qas atyshmërisë së ditëpasditshme, të këtushmes së brisht e spektakolare, natyrës, çastit, si tue dasht me u ndi frymëmarrje dhe fluturim, dalldisje e mëkim.
Njaty, n’nji prehën pyll, n’Razëm!
Asht nji çast i shndërruem në adhurim. Me gjas nji altar. Drue, se nji thërrmij përjetsijet shfaq mes petaleve të idilit, njat hir, qi munden me ju dhan vetëm nji përuljeje, me ju gjegj tana trajtave që merr mrekullimi.
Njaty, nën peshën e nji madhnimi t’natyrs, ku prehja dhe prekja, përjetimi dhe dëshirimi nepen. Ti mundesh me ken puls i saj krejtkund, n’tançka lutesh e lyp. Je, ku kamba jote shkel, syni jot magjepset, shpirtjen tande ta flakëron nji andja e bukurueme dlirshëm.
Njaty, si gjithkund ku don me u ndi prej flatrash e fluturimi, mundesh me leju me t’rrok nji qetësi e heshtun krejtskrejti, nji platitje qi t’përgjon rrahjet e zemrës, hapat t’i numron, e ku tjetër veçse n’shpirtin e shëlbyem t’natyrës, n’magjinë e harlisjes së pemëve, përmendje beh, me gjithmendje e ëndje përfshihesh.
N’jaty, n’nji pyll, n’Razëm!
Ti, saora ke privilegjin me ju dhan nji ngulmi, me e pranu mrekullimin qi kremton adhurimeve dhuratën e hyjshme, me t’cillën shpërblehesh.
Po, shkon i përulun te prehni i natyrës, e lyp mallin qi t’kthej mbas n’koh, si tue dasht me t’përkund në nji andje t’amël, qi t’mylmen begatshëm kujtimi, siç din veç njaj krahnor ku ndin limfën tue vërshie si prru, e qiellin qi naltohet n’shkreptinën e njatij hiri t’hyjtun n’ne përgjërues.
Ij vedja jeme, juaja gjithqysh, çlirumun prej krejt pengimeve.
Shko te trajta jote e krijimit. Beh njaty ku natyra vetmin tande e kthen n’altar.
Ndije n’vedi nji përjetim t’lam krojeve e stolisun drite, njaty, ku frymëmarrjen tande ta përpush e ta shpejton pulsi i vërshimt paqtor të pyllit.
Shko ku të çon zemra, e ndihu i dashtunuem me tançka t’mëkon, t’andshmin burim t’përjetsimit.
Ti s’mundet me ken prej gjethesh, as degë, e as trung, rranj e prush yjesh, qi derdhet natën kreshtës qi ther qiellin, s’mundesh me ken edhe n’se don. Ti je gjithçka qi i mëkon hyjnim këtij dekiku, qi t’ban me u ndi prej fryme.
N’jaty, n’nji pyll, n’Razëm!
Albert Vataj