Nga Albert Vataj
Fjalë, n’se shkon me dritën n’vendlindjen teme, ma ndez nji diell atje ku dita beh e tamëlt n’syt e mallit. N’vezullimin e njatyne syve qi koha ka strukun thellë njejt si kujtimet qi n’ty më mbajnë robnue.
N’se merr krahë zogjsh e pend resh, mi shpalo ato kthjellime qi derdhen rrjedhava qi i’a njomin buzën e vërshimeve qi ia nezin shpirtjen e dehjes e bukurimit.
N’se shkon me mallin merrmë edhe mue me vedi, edhe kujtimin e atyne pragjeve e parmakëve, mëtimin e atyne andjeve e kandjeve t’prushuna dëshirimesh.
Shko e gjej n’çdo pritje qi t’pret me prehën t’ngroht e krah qi t’rrokin me afsh e yshtje, sy t’përlotun e buzë t’kafshueme.
Shko, se po vi edhe unë, edhe ti, ti qi t’mundon e t’sëmbon nji shtërngim në shpirt e nji mall, t’i ven zjarmin e dëshirimit gjithçkaje qi t’sheh, tançkaje qi n’ty prushet.
Thuaje me za e me heshtje: Shkodër m’ke mungu bash fort, e un po drue se tan ky mall m’ven përfundi, e nis me gjimu barret qi lshoka dëshirimi me ken tekatje ku m’thrrasin zashëm kujtimet.
Ndoshta ma shum’ se ti, ajo vetvedi qi më mban t’lidhun me ty Shkodra jeme e shtrenjt n’zemër, e shenjt n’besim, nëpërmjet njatyne fijeve malli, me ty qi tue u tendos ndijimet e trazimet e largsive dhe ndarjeve, lëshojnë tinguj e më mëkojnë amëlcime, t’cillat, veç prej dorës tande i kam provu e prej gjinit tand prej legjende i kam mëku.
Ti nuk je fort larg, e un nuk mbes pa ardh e me t’pa, deng i mushun n’mall, por m’bahet se diçka prej tamëlcimit tand më mungon gjithmonë, edhe atëherë kur m’rrok me dashnimin tand.
Gjini jot Rozafë ma njom buzën e eshkun mungimeve e vetmimit, mi turit puthjet qi m’dhembin e m’ligshton shpirtin qi dorzan, i lshohet nji ndijimi qi vendlindja ta mylmen me mall dhe me plagë. Un’ e njiherash me mu, tankush e ndin vedin t’epun prej taftit të amësimit, e ndijmë se si largimi qi na mban t’robnumm e përpush n’gjithçka, qi na thërret në ndijim; prehnin e nanës, ledhën e pragut, vështrimin e vjedhun t’hanës e vashës.
Sod qi jeta rreket me na i zhba tana idilet, tue na lan picak n’dimnin e acartë të përmallimeve e dashmimit të kujtimeve, provojmë se si kjo zbrazje na dhemb ma shumë se çdo tjetër varrë, që hap ikja, dbimi qi na thirri me braktis djepin tue lyp nëpër botë dërrasat e qivurit. Se mos patëm tjetër shteg qi mujte me na nxjerr n’udhë.
Gjithsi koha mundet me pru turlilloj gjanash, por mallin për vendlindjen veç ta ndez ma keq. E ti s’din se për ç’ka t’ka marrë malli ma fort, për fmininë, kujtimet, trazimet, gazmimet apo dhimbjet, n’vorbën e t’cillave u mbrue njaj shpirt, qi t’ban me vuejt ngase asnji lumnim nuk ka fajde diku njeti, vendit ku mbeti e skalitun e kjamja dhe e qeshuna e parë, rrëzimi dhe idhnimi fillues, dashtunimi e zemërthyemja sëmbuse.
Tana ndijimet qi t’mbajn t’lidhun me ç’ka t’ban me përjetu, i kanë rranjët dhe degët njatje ku ke mallin, sythat e gjethet i pret e përcjell stinëve të dhenave t’marruna borxh.
Ti, un, e tankush, lumnue i përcjell këto rallë tamëlcimi vendlindjeje, provon me e ndi zanin e mbetun diku në heshtjen, qi koha ka kredhun n’harrim.
Ti, un’ edhe e gzuemja zemër qi t’mbush me kyt zjarm ndijimi.
Ngase nuk mundet me ravijëzu trajtat e gjendjes s’përmallshme, ku melankolia të këndon ninulla t’largta. Por mundesh me pa n’syt e ma t’shtrenjtve tuej, se si harbon fluturimesh qielli i njasaj hareje që t’vërshon në gjak ende.
Shkodër, t’paça zemër e gazmimeve e mirësimit, nadje kur lan ftyrën në Drin, e mbramejeve qi mbështet kryet n’Liqen, ku s’kuqet qielli e njiherash me te, mollëzat e vashave qi xehen gafil, tue pa, ku kqyr zemra e tyne e prushun dashnimit.
T’pata e t’kam mall dhe dhimbje, Shkodra jeme, Shkodra e njerëzve t’mir’, e shpirtjeve t’kalluna n’dehjen e nji mylmimi, qi vet Zoti t’ka mëkue.
Ishe, ç’ka deshte ma fort se ç’ka mujte.
Pate zemër për çdo flakë e zjarr.
Prehën ju bane çdo andje e andrre.
Buza t’puthi e t’prushi ku gjaku t’nezi e loti t’nguci.
M’deshte, pa drasht se s’kam me pas dashni me t’dhan, e… t’duem për gjithçka qi ishe, je e ke me ken, ngase e meriton, ti e çdo vendlindje. Pernjimend, ngase n’zemra e ndijm dhe e përpushim, në nji diell t’gjallë, atë qi bjen dritën n’çdo ditë, qi zbardh, tue m’mbush me kujtime e lëndumun n’mall.
Mall pata e shpirtje kam për kyt zjarm, diellin e dritimit të tan dëshirave qi m’ndezin, sod e sa sy e qiell t’kem me pa e me fluturu.
Nga Albert Vataj!