Rrugëtimi i të vërtetës është epik. Varësisht rrethanave, atributi i saj i shenjtëruar prej kanuneve morale të kohëpaskohëshme edhe pse është veshur me një mantel të dritshëm virtyti, ajo, sa është e pamundur aq dhe e pamerituar. As djalli nga temjani nuk ka frikë sa ka njeriu nga e vërteta. Ka qenë dhe mbetet së paku prej kur Demokriti, filozofi i lashtë grek, i konsideruar gjerësisht si babai i shkencës moderne, që pohoi: “Për të vërtetën ne nuk dimë asgjë, sepse e vërteta është në një pus”. Rreth njëzet e katër shekuj më vonë, në vitin 1895, piktori francez Jean Léon Gerome na dha alegorinë e fundit tragjik të së vërtetës përmes disa punëve dhe një trajtimi të themeltë.
“E vërteta që del nga pusi”, një vepër alegorike e Jean-Léon Gérôme (1896), është piktura më e njohur, edhe pse për këtë legjendë janë disa të njohura dhe gjithëpranuara si trajtime shteruese të mjeshtrit.
Duke i dhënë një deshifrim të saktë kësaj beteje të artit për të denoncuar gënjeshtrën dhe për t’i bërë homazh të vërtetës, mëtojmë se
“Sipas një legjende të shekullit të 19-të, e vërteta dhe gënjeshtra takohen një ditë.
Gënjeshtra i thotë të Vërtetës: “Është një ditë e mrekullueshme sot”!
E vërteta vështron drejt qiellit dhe psherëtin me pohim, vërtetë ditë e bukur sot.
Ata kalojnë shumë kohë së bashku, duke arritur më në fund pranë një pusi. Gënjeshtra i thotë të vërtetën: “Edhe uji është shumë i mirë, le të lahemi së bashku!”
E vërteta është sërish dyshuese, provon ujin dhe pohon se është shumë i mirë. Zhvishen dhe futen të lahen. Papritur, Gënjeshtra del nga uji, vesh rrobat e së Vërtetës dhe largohet. E vërteta e tradhtuar del nga pusi, por është shumë vonë. Gënjeshtra ka veshur rrobat e saja dhe është larguar duke lënë të Vërtetën lakuriq. E Vërteta tashmë lakuriq, pritet me mospranim dhe përbuzje nga bota bota, duke u kthyer te pusi dhe zhdukur brenda tij, pikërisht aty ku e pranon edhe filozofi grek Demokriti.
Kjo legjendë morali, e denjë ndoshta për fëmijët e vegjël, aq sa edhe për të rriturit, na mëson se që atëherë, Gënjeshtra udhëton nëpër botë, e veshur me petkat e së Vërtetës, duke arritur të shtiret si e Vërteta, nga rrobat që mban, kjo nga ai pranim fatkeq që pranojmë atë ditë e përgjithnjë, që ne lejojmë të gënjehemi nga e dukshmja, nga “vesha kopilesh”. Dhe… kush zotëron artin e këtij mashtrimi do të jetë dhe është patjetër, sa i “vërtetë” në gënjeshtrën e vet, aq dhe i suksesshëm. Sepse ne kemi zgjedhur vullnetlirë të jemi të mashtruar, në një papajtueshmëri për të pranuar të vërtetën, vetëm sepse ajo është lakuriq, aq sa për të na treguar se në këtë lakuriqësi ne ballafaqohemi me frikërat dhe turpet tonë që na përndjekin duke na bërë fajtorë.
Le të kthehemi te arti, alegoria e kësaj sfide të moralit
Duke filluar nga mesi i viteve 1890, në dekadën e fundit të jetës së tij, Gérôme bëri të paktën katër piktura që personifikonin të Vërtetën si një grua nudo, ose e kredhur në fund të pusit, ose duke dalë nga pusi. Aforizma e Demokritit bëhet shkas në art, ndoshta për të treguar se “Për të vërtetën ne nuk dimë asgjë, sepse e vërteta është në një pus”. Pavarësisht qasjeve të piktorit për të evidentuar të vërtetën e ndëshkuar me lakuriqësi nga gënjeshtra, kritikët pretendojnë se kjo ka lidhje çështjen Dreyfus, por historiani i artit, Bernard Tillier argumenton se imazhet e Gérôme të së Vërtetës dhe pusit, ishin pjesë e kundërshtive të tij i vazhdueshëm kundër impresionizmit.
Gérôme mbajti të paktën një nga pikturat e tij emblematike të këtij subjekti. Kur vdiq në vitin 1904, “shërbyeja e gjeti të vdekur në dhomën e vogël pranë ateliesë së tij, të rrëzuar përpara një portreti të Rembrandt dhe me këmbët drejtuar nga “E vërteta”, por burimi për këtë anekdotë, biografi Charles Moreau-Vauthier, nuk e specifikon se cila pikturë e së Vërtetës ishte.
Që nga viti 1978, kjo trajtesë e piktorit ka qenë pjesë e ekspozitës së përhershme në Musée Anne de Beaujeu në Moulins, Francë. Në vitin 2012, pasi piktura udhëtoi në Los Anxhelos, Paris dhe Madrid, muzeu shfaqi ekspozitën La vérité est au musée (“E vërteta është në Muze”), e cila mblodhi një sërë vizatimesh, skica dhe variante të bëra nga Gérôme. Interpretimet e shumta të kuptimit enigmatik të pikturës nxitën një nga kuratorët e muzeut të thoshte, “C’est notre Joconde à nous”. “Kjo është Mona Liza jonë .”
I gjithë ky rrugëtim dhe kjo përfshirje e “Të vërtetës” së Gérôme, mori shumë më shumë interesim dhe befasi publike në kohë, ngase vetë piktori kishte hamendur. Duhet pohuar se vlerësimi kaq i përzemërt i piktorit për t’u marrë kaq gjatë me këtë temë kishte një domethënie, pavarësisht hamendësimeve që pretendohen si shtysë e këtyre trajtimeve. Thelbi mbetet, Demokriti e la në pus të vërtetën, piktori gjithashtu provoj ta lërë në pus me një pasqyrë që hedh dritë nga fundi i pusit, por edhe ta nxjerrë nga pusi, lakuriq, me një trazim alarmues në fytyrë dhe me një kamxhik në dorë.
Albert Vataj