Kafka ka sy të mëdhenj gri, nën vetullat e dendura të errëta. Fytyra e tij ezmere është shumë e gjallë. Ai duket sikur flet me gjithë fytyrën, jo vetëm me gojë. Kur ka mundësi të zëvendësojë një fjalë me një lëvizje të caktuar të fytyrës, e bën. Një buzëqeshje, një kontraktim i vetullave, një rrudhje e ballit të ngushtë, një përveshje e buzëve: këto janë lëvizje që me mjeshtëri zëvendësojnë fraza të tëra tek ai. Bashkon duart njëra me tjetrën duke i mbështetur mbi skrivani me një vendosmëri të qetë, drejton kryet e njëkohësisht ngre pak supet, pastaj njërën dorë e mbështet në anën e majtë në drejtim të zemrës…”
Gustav Janouch e përshkruan kështu takimin e tij të parë me Franc Kafkën, në zyrën e thjeshtë të babait të tij. Atëherë një djalosh adoleshent që ëndërronte të bëhej shkrimtar, Janouch nuk mund ta mendonte se ato orë ishin fillimi i një miqësie që do të zgjaste gjatë. Gjithë takimet me shkrimtarin, Jonouch do t’i hidhte në letër, për t’i botuar më pas në një libër “Bisedat e mia me Kafkën”. Jaunuch ka qenë një mik i ngushtë i Kafkës, krahas miqve të njohur të tij si Maks Brodi, të cilit shkrimtari i la testament për të botuar veprën e tij pas vdekjes, apo Oskar Baum, dhe e dashura Dora Diamant. Në kujtimet e shkruara nga Janouch gjejmë detaje rreth librave dhe jetës së shkrimtarit, konceptin e tij për jetën apo detaje të tjera në dukje të parëndësishme. “Poezia është një lloj sëmundjeje”, do të shprehej Kafka për të. “Nuk ka nevojë të luftosh ethet që të shërohesh. Përkundrazi, temperatura e lartë e pastron dhe e shkëlqen organizmin”. “Njëherë e gjeta Kafkën në humor të mirë. Pa e zgjatur i thashë: Ju shoh mirë doktor sot? Ai vuri buzën në gaz: Është gëzim i marrë borxh. Në Pragë ka ardhur një shok shumë i mirë imi, Ludvig Hardi…”, shkruan Janouch.
Në një tjetër kujtim nga miqësia me shkrimtarin ai kujton: “Një artist i ri F.V., ishte vetëvrarë për shkak të një dashurie të përfunduar keq. Ndërsa flisnim rreth këtij rasti, Kafka komentoi: Ç’është dashuria? Nuk është aspak e vështirë të shpjegohet. Dashuria është një situatë që rrit, zgjeron, pasuron jetën e njeriut drejt majave e thellësive të jetës. Dashurinë mund ta krahasoj me një makinë të re. Makina e re nuk ka probleme në vetvete, nëse ajo devijon nga asfalti apo përplaset nuk është faji i saj. Problemet qëndrojnë jashtë saj dhe mund të jenë shoferi, pasagjerët apo dhe rruga me gropa. Kështu ndodh me dashurinë”.
Atëherë Janouch i tregoi Kafkës historinë e një miku të tij të shkollës, me të cilin në moshën dhjetëvjeçare kishte abuzuar mësuesja e frëngjishtes. Pas asaj përvoje ai i kishte frikë të gjitha vajzat, deri dhe motrën e tij. Kishte ca kohë që ai shkonte e kurohej te një psikanalist.
“Dashuria kur nuk është dashuri, plagos, shkakton plagë që nuk shërohen asnjëherë plotësisht. Diferencimin e dashurisë nga pjesa e zezë e kësaj ndjenje mund ta bëjë vetëm vullneti i atyre që janë vërtet të dashuruar. Një krijesë e dobët siç ishte atë kohë shoku yt, nuk mund ta zotëronte ende vullnetin e duhur në këtë drejtim dhe kështu, për fat të keq, e ka pësuar”. Njëherë tjetër, duke shëtitur, ai i thotë Kafkës për Helenën, shoqen e tij.
Pasi e dëgjoi ai i tha: “Njeriu kur bie në dashuri bëhet i përgjegjshëm jo vetëm për veten e vet, por edhe për partnerin. I dashuruar njeriu e gjen veten në një gjendje dehjeje speciale, e cila ndikon në aftësinë e tij për të gjykuar. Gjykimi i tij kthehet në paragjykim. Uni i njeriut të dashuruar zgjerohet e jo rrallë e përmbyt koshiencën. Por koshienca, nga ana e saj, megjithëse më e dobët se uni, tenton të drejtojë e orientojë njeriun andej nga gjykon ajo. Dhe në këtë mënyrë njeriu bëhet fushëbetejë keqkuptimesh nga më të rëndomtat e deri tek ato të rrezikshmet.
Njëherë ai e pyeti mikun e tij për kinemanë. A të pëlqen kinemaja doktor? “Pasi u mendua pak, Kafka iu përgjigj: “Të them të drejtën nuk kam menduar ndonjëherë për këtë gjë. Kinemaja më duket një Londër e stërmadhe, që unë nuk arrij ta duroj, ndoshta ngaqë jam karakter që më pëlqen vizualiteti. Unë jetoj sidomos me sytë e mi, dhe kinemaja sikur më pengon të shoh gjërat reale. Shpejtësia e lëvizjeve dhe ndryshimi i shpejtë i imazheve në kinema të detyrojnë vazhdimisht të shkosh andej nga kërkojnë të çojnë ata. Kështu vështrimi nuk arrin t’i zotërojë imazhet, përkundrazi janë imazhet ato që e pushtojnë shikimin e pastaj tentojnë të përmbysin dhe koshiencën e njeriut. Filmat janë perde hekuri”. Njëherë biseda e tyre ndali te shkrimtarët e rinj. “Sa zili i kam të rinjtë!”, tha Kafka. “Jam i vjetër sa populli hebraik, i lashtë sa çifuti endacak”, vazhdoi ai. “E shoh që po të fus frikën. Mos ma vër re, ishte thjesht një tentativë për ta kaluar temën me shaka. Megjithatë rininë e kam zili. Sa më tepër plaket njeriu, aq më shumë zgjerohet horizonti i tij mendor, por, nga ana tjetër, mundësitë në jetë bëhen gjithnjë e më të pakta, deri sa vjen një kohë e njeriut i mbetet vetëm vështrimi e frymëmarrja. Dhe ky është momenti kur njeriu ka mundësi që me vështrimin e tij të përqafojë jetën e vet, për herë të parë… e të fundit”. Përballë ndërtesës së zyrës së babait të Janouch, mik i Kafkës, ndodhej një hotel i vjetër, i cili kishte vetëm dy kate dhe frekuentohej nga gra që shëtisnin poshtë e lart nëpër trotuare. Teksa priste Kafkën të zbriste, djaloshi i ri kishte fokusuar vështrimin te këto femra. Kur erdhi pranë tij ai i tha: “Po të shihja nga dritarja që ishe i përqendruar duke vështruar vajzat…”. “Këto vajza nuk më interesojnë. Janë klientët e tyre ata që zgjojnë kureshtjen time”, i tha ai. Atëherë Kafka i thotë: “Gjuha çeke është shumë e thellë dhe e sinqertë. Përcaktimi i këtyre grave me fjalën ‘Bludiçika’ (diell janari), është i saktë. Sigurisht që ndihen tepër mjeranë e të braktisur meshkujt që pretendojnë të ngrohen në vatrën e këtyre grave të mjera. Meshkujt që frekuentojnë ato femra janë në një gjendje të tillë sa mjafton një vështrim kureshtar për t’i plagosur. Rruga drejt dashurisë nganjëherë kalon duke përshkruar neveri e mjerim, por, nga ana tjetër, kush përçmon këtë rrugë ka mundësi të mos arrijë aty ku dëshiron. Dhe kështu njeriu nuk ka rrugë të mesme, duhet të pranojë më përulësi situata të ndryshme që has gjatë kësaj rruge….”
Franc Kafka jetoi pak, ai vdiq pa mbushur akoma dyzet vjeç. Bëri një jetë intensive. Jeta e tij është vepra e tij. Kush e ka lexuar veprën e Kafkës nuk e ka të vështirë të shohë se jeta e njeriut është një rrezik që duhet përballuar. Në veprën e Kafkës nuk ekziston lumturia, por vetëm motive që e bëjnë njeriun të ndihet fajtor…