*** Xhakomo Rosini i kishte borxh një shumë parash një shitësi peshku, por nuk kishte t’ia shlyente dhe gjithnjë gjente mënyra për t’i bërë bisht takimit me të. Një ditë tregtari me kompozitorin takohen ballë për ballë. Rosini po gjente mënyra për t’u justifikuar për pamundësinë e shlyerjes së borxhit, por shitësi i peshkut ndërhyn duke i thënë: Do të jesh i shlyer me mua nëse një poezie që kam shkruar do t’i bësh muzikë.
– O ç’ide origjinale, – thirri Rosini, – ma jep poezinë.
Jo shumë kohë më pas, kompozitori muzikoi vargjet e tregtarit të peshkut, pjesë e cila u fut te “Laraska vjedhacake”.
*** Kur dolën në Itali ligjet e para për të drejtën e autorit, botuesi i njohur Rikordi u muar me mbrojtjen e të drejtës së veprimtarisë së tij krijuese.
Disa kohë më vonë vetë Rikordi i çoi Xhakomo Rosinit të ardhurat e para prej 45 napolonash floriri, kompozitori u shtang.
– Si? – tha mjeshtri – vlejnë ende diçka veprat e mia në Itali?
Në çast u dëgjua zhurma e këmbëve të një gruaje që po afrohem me nxitim. Rosini e fshehu shpejt qesen me para dhe i tha në vesh Rikordit:
– Hesht, është gruaja ime. Këto do t’i ruaj e do t’i prish për qejfin tim. Nesër takohemi t’ia shtrojmë në hotel së bashku.
*** Një mëngjes në Paris, poshtë dritares së Rosinit, u ndal një organist i vogël. Me të nisi të luhej një pjesë nga “Berberi i Seviljes”. Rosini u mërzit dhe i dha pesë lira instrumentistit të varfër, mjafton që të largohej menjëherë. Si u mendua mirë Rosini e thirri, e ngjiti në shtëpi dhe i tha:
– E di ku banon mjeshtri Halevi? Ai u përgjigj se e dinte.
– Epo mirë, – i tha Rosini, – po të jap dhjetë lira dhe shko të luash poshtë dritareve të tij ndonjë pjesë nga “Ebreu”.
– Mjeshtër, është e pamundur, – i tha organisti, – se është ai që më ka dërguar këtu për të luajtur Berberi i Seviljes.
*** Një mbrëmje në ballo muzikanti i shquar ishte i detyruar të duronte fjalët e shumta të zonjës së shtëpisë’. Zonja i tha mjeshtrit:
– Është e vërtetë se po të hash një lloj peshku të forcohet zgjuarsia?
– Shumë e vërtetë.
– Po mua çfarë peshku do të më këshillonit për të ngrënë?
– Një balenë, – i tha Rosini.