DITA KUR QELLUAM ZOTIN ME GURE
Nga Albert Vataj
Mund të ishim të parët në çdo qasje progresi, por zgjodhëm të ishim të parët në mohimin e Zotit. 6 shkurti i vitit 1967, Enver Hoxha mbajti fjalimin ”Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”, me të cilin filloi lufta kundër ”ideologjisë fetare” e ”zakoneve prapanike”. Nisi kështu një nga etapat më të errëta të diktaturës komuniste. Ideologjia bolshevike kërkoi dhe i’a doli të dominonte mbi shpirtin e besimit. Komunizmi do t’i lejonte vetes të degdiste vendin në një spastrim dhe barbari, persekutim dhe linçim, më i pashembullti që ky kurm i drobitur kishte patur fatin e keq të pësonte prej çdo hordhie e batërdie që e lakmuan dhe e masakruan.
Të gjithë kundër të gjithëve, për të justifikuar çdo bizantinizëm të pinjollit ndjellakeq. Zoti ishte përjashtuar. Njeriu, ai i përkushtimit dhe përuljes, devocionit dhe të dinjitetshmes, duhej të këmbehej me Njeriun e Ri, me atë krijesë amorfe, me atë identitet pa identitet, me atë gjë të gjallë që do ta lidhte me jetën vetëm instinkti dhe nënshtrimi i ligjësisë së spastrimit, denigrimit, tjetërsimit.
Shqipëria po i jepte kështu lamtumirën njeriut me vetëdije dhe motivim personal. Ai që do të quhej Njeri i Ri, nuk i duhej të mendonte, të kishte ide dhe qasje. Ai tashmë ishte një njësi, jo një integritet mental dhe anatomik. Ai do të ishte një makineri, një detal, instrument, kurrsesi një qënie me shpirt dhe ndjenja, një krijesë me ëndrra dhe aspirata, një personalitet që e përfaqëson kontributi dhe vepra e tij. Ai nuk duhet të besojë në Zot, as t’i jetë mirënjohës askujt tjetër veç partisë dhe gjithë asaj shpure analfabetësh që ishin mbledhur si në një procesin sekret dhe gatiteshin të derdhnin mbi njerëzinë e gjorë gjithë terrin e shpellave të mizorisë dhe kujën e jehonave të ferrit ogurzi.
Ishin ata, të cilëve partia u kishte besuar realizimin e një Shqipëri të tjetërsuar, të një populli pa kujtesë, pa të sotme, pa të ardhme, të një turme të urtë e të bindur deri në vetmohim për atë që nuk është besim por është gjithçka që ai duhet të besojë.
Një tjetër forcë e plotpushtetshme do t’i servirej si altar, ku i lipset t’i jepet një bindje të verbër, që është gati ta çojë atë në çdo poshtërsi dhe amoralitet si në një detyrë shëlbimi. Të spijunojë të vëllain, të afërmin, mikun, dashamirin, për të siguruar atë çfarë është e drejtë themelore. Të poshtërojë çdo vlerë të lartë dhe institucion dijeje dhe shijeje estetike, duke nxituar t’i varrosin dhe shfarosin si opium dhe dalldisës.
6 shkurti i vitit 1967 mund të ishte dita kur diktatura ndërseu njerëzit ndaj besimit, ndaj institucioneve religjoze, ndaj ”ideologjisë fetare” e ”zakoneve prapanike”, por ajo ishte dhe mbeti dita e arratisjes së njerëzores dhe së dinjitetshmes. Ajo ishte dita kur na u bë transplant i plotë i qënies, dita kur na u desh të vishnim lëkurë të huaj dhe të dorëzonim shpirtin, dita që do të ishte fillimi i një fundi fatal për gjithçka të vyer dhe krenuese që e pasum ndër gjenerata si visare të kombit.
Gjithçka me të cilën ishim rritur e na ishte mëkuar, duhej të flakej tej si një mbeturinë. Besimi, doket, zakonet, kanunet, i gjithë eposi ynë kombëtar duhej këmbehej me një trill bajat, me një përmjerrje urrejtjeje dhe barbarie. Kokat e turbullata, zemrat e etura për hakmarrje dhe shpirtrat e shterruar nga çdo humanitet, po merrnin kështu në dorë fatin tonë, duke e katandisur në një shpërbërje dhe tjetërsim deri në caqet e një gjendjeje të pakthyeshme, vragë prej të cilave lëngojmë edhe sot.
Enver Hoxha nuk i shpalli luftë vetëm besimit dhe asaj që ne patëm altar të shenjtërisë kombëtare, ai propozoi vetveten zot, atë që i rri përsipër fatit të këtij vendi, atëditë e sot si gurë varri.
I mëshirshëm ij Zot!