Alexandre Dumas ose Aleksandër Dyma – babai (Alexandre Dumas père) ishte shkrimtar i njohur franko-algjerian dhe autor i disa kryeveprave të letërsisë si "Konti i Monte Kristos" dhe "Tre Muskutjerët".
*****
Një kritik i tha një herë Dymait:
– Ju, në një nga librat tuaj, keni shkruar këto fjalë:
"Ndjente një zbrazëti plot dhimbje" Unë nuk e kuptoj si mund të ketë dhimbje një gjë e zbrazur. Dymai i gatshëm, duke qeshur me dinakëri i tha: – Po juve a nuk ju ka dhembur koka ndonjëherë?
*****
Për të treguar ndryshimin e madh midis artit të tij dhe të të birit, Dymai, thoshte:
– Unë e marr subjektin tim në ëndërr, kurse im bir në realitet. Unë punoj me sy të mbyllur, ai me sy plot dritë. Unë jam larg botës që më rrethon, kurse ai brenda saj. Unë jam larg botës që më rrethon, kurse ai brenda saj unë vizatoj, ai fotografon. Unë kam lindur në një epokë piktoreske e poetike dhe isha idealist, ai ka lindur në një epokë materialiste dhe është realist.
*****
Një ditë një admirues i të jatit e pyeti Dymain (biri) se cili ishte sekreti i artit tërheqës të romancierit të madh.
-Ja, – u përgjigj Dyma (biri) – një herë, vajta në shtëpinë e tim eti.
Shërbëtori më tha se nuk mund ta takoja sepse ishte duke punuar.
Meqenëse kisha një punë me rëndësi e duhej ta takoja patjetër, u ul ta pres në një dhomë afër studios së tij. Papritur dëgjoj një të qeshur të madhe. Nga e qeshura kuptova se babai nuk ishte vetëm dhe se nuk ishte e vërtetë që punonte. Hyra në dhomën e tij të punës dhe për çudinë time e gjeta vetëm dhe të dhënë krejt pas punës. Atëherë e pyeta përse kishte qeshur. Ai më dha një copë letër të shkruar dhe më tha se pasi ta lexoja, do të kuptoja arsyen e të qeshurës.
-Ja sekreti i babait tim, – përfundoi Dyma (biri). – Për të kënaqur të tjerët, më parë shkrimtari duhet të kënaqë veten e tij.
*****
Aleksandër Dymai për dymbëdhjetë vjet me rradhë ushqeu falas një njeri, që e mbante veten si shkrimtar dhe nuk kishte as bukë për të ngrënë. Ky e pa se po e tepronte dhe s'i vinte mirë që po hante kot bukën e shkrimtarit të shquar. Një ditë Dymai i tha:
– Nuk ka gjë, mos u shqetëso, madje unë mund të të vë në punë të justifikosh ushqimin që ha. Ti mund të më bësh një shërbim të madh, të shkosh çdo ditë tek Ura e Re për të parë temperaturën në termometrin e madh që ndodhet atje. Kjo do të më shërbejë që në bazë të temperaturës, të gjykoj se sa shikues do të venë në teatër për të parë dramat e mia.
*****
Aleksandër Dymai ishte i partisë demokratike dhe nuk luftoi asnjëherë në barrikada. Kur në Paris, më 1832, shpërthyen demonstratat, u përhap lajmi se romancieri i shquar ishte arrestuar, sepse ishte në krye të demonstruesve dhe ishte pushkatuar. Sharl Nodiel, një nga miqtë e tij më besnikë, shkroi këto rradhë: "Thuhet se ju jeni arrestuar dhe jeni pushkatuar. Nëse lajmi nuk është i vërtetë, hajde sonte për darkë tek unë, por dhe po qe se je pushkatuar, prapë hajde se të pres".
*****
Një mbrëmje, kur po shkonte për të ngrënë darkë, Dymai u kujtua se nuk kishte para në xhep. E ndali karrocën pranë shtëpisë së një mikut të tij për t'i kërkuar dy luigje. Miku i tij, që sapo ishte kthyer nga gjuetia, i dha një lepur kamarieres që t'ia çonte në karrocë. Dymai falenderoi vajzën, që ishte shumë e hijshme dhe i la në dorë dy luigjet që mori hua. Nuk dihet se me çfarë e pagoi karrocierin shkrimtari i shquar.
*****
Një mëngjes Dyma (babai), takoi mikun e tij, bankierin Salvador.
-I dashur mik, – i tha, – po më ndjekin ftuesit e gjyqit dhe në qoftë se nuk paguaj gjysmën e një kambiali, do të më sekuestrojnë gjithë ç'kam. Të lutem më ndihmo.
Bankieri i dha dymijë franga.
-Faleminderit, – i tha Dymai, – dhe tashti po mundët më shoqëroni deri te zyra e ftuesit të gjyqit. Po më parë, më duhet të ndalem pak në shtëpinë e një zonje të hijshme që banon në rrugën Vivienë.
Të dy miqtë u nisën bashkë. Për një çast Dymai u ndal, pa në vitrinën e një dyqani një statujë të bukur dhe pyeti sa kushtonte. Statuja e vogël kushtonte njëqind franga. Dymai i dha një monedhë prej dyqind frangash dhe dyqanxhiu i tha:
– Zoti Dyma, nuk po ju kthej kusur, sepse ju më keni dyqind franga borxh, kështu që lahemi bashkë.
– Shumë mirë, – ia bëri Dymai, – mua nuk më kujtohet, po me siguri duhet të jetë ashtu si thoni ju.
Pastaj karroca vazhdoi rrugën dhe ndali para shtëpisë së zonjës. Kur Dymai doli nga shtëpia e saj nuk e kishte në dorë statujën, sepse zonjës i kishte pëlqyer shumë dhe ai ia kishte dhënë menjëherë. Nuk mund të bënte ndryshe. Në të dalë të shtëpisë takoi një mik. Dymai ngriti duart përpjetë dhe miku diç i tha në vesh shpejt e shpejt. Pastaj Dymai futi duart në xhep, nxori portofolin dhe ia dha mikut në dorë.
– Dhe tani, – tha Dymai duke hipur në karrocë, – më çoni në shtëpinë time.
– Po ftuesit e gjyqit? – i tha bankieri.
Për ata nuk kam as edhe një qindarkë. Shpresoj të më jepni ju edhe dymijë franga të tjera, se ndryshe nuk kam si shpëtoj nga gjyqi.
*****
Kur doli "Marion Delorm" e Viktor Hygosë, të cilin Dymai e admironte shumë, tha me ofshamë:
– Do të jepja gjithë pjesët e mia teatrale për të shkruar një "Marion Delorm"!
*****
Në provën e përgjithshme të një drame të tij, kishte parë që gjatë dy akteve të para, helmeta e një zjarrfikësi nuk kishte lëvizur. Ndërsa gjatë aktit të tretë helmeta dhe zjarrfikësi ishin zhdukur. Dymai e kërkoi dhe kur e gjeti të ulur në një kënd të teatrit e pyeti:
– Po përse u largove?
– Sepse nuk kënaqesha më, – iu përgjigj zjarrfikësi. Dymai doli në këmishë, vrapoi te kabineti i drejtorit, mori aktin e tretë e bëri copa- copa dhe e hodhi në zjarr. Kur drejtori protestoi, Dymai u përgjigj:
– E di mirë se çfarë bëj, nuk e patë që zjarrfikësi u mërzit?
– Pastaj shkroi me shpejtësi të jashtëzakonshme një variant tjetër të aktit të tretë.
*****
Dymai e akuzuan se i shkruante romanet e tij me bashkëpunëtorë të tjerë. Një miku i tij gjyqtar e pyeti për një roman, që kishte dalë ato ditë, nëse ishte miell nga thesi i tij. Dymai, që gjeti rastin të tallej me ata që shpifnin për të iu përgjigj:
– O zoti im! Po atë që botova vitin e kaluar dhe që pati aq sukses ma shkroi kamarieri im. Mirëpo ai faqeziu, kur mori vesh sukesin e madh të librit më kërkoi ngritje – page saqë u detyrova ta përzë. Kështu këtë roman të ri, mjerisht më është dashur ta shkruaj vetë.
*****
I kërkuan Aleksandër Dymait (babi) njëzet e pesë franga për të varrosur një të varfër që kishte vdekur nga mjerimi. Dymai, që kishte luftuar gjithë jetën e tij kundër ftuesve të gjyqit, të cilët i shkonin në shtëpi për t'i sekuestruar plaçkat e shtëpisë. Ai nxori nga portofoli një monedhë njëqindfrangëshe.
– Nuk kam tjetër monedhë, prandaj harxhoni për të disa franga dhe me të tjerat varrosni edhe nja tre të tjerë.
* Balzaku dhe Dymai e vizitonin shpesh njeri- tjetrin. Një ditë u takuan rastësisht në shtëpinë e një miku. Balzaku iu afrua Dymait dhe i tha me zë të lartë:
– Kur të matufepsem, do të shkruaj edhe unë për teatrin.
– Atëherë fillo shpejt, – ia priti Dymai.
*****
Dymai (babai) takoi një ditë në Paris, në shtëpinë e një mikut të tij një djalë të ri të cilin e kishte njohur pak kohë më parë. Për të treguar në sytë e të pranishmëve se ishte shumë i afërt me romancierin e shquar djali thirri me zë të lartë:
– Tungjatjeta i dashur Dyma, si jeni?
Dhe Dymai me të njëjtin ton ia ktheu:
– Tungjatjeta i dashur, si ju quajnë?