Nga Albert Vataj
Një tjetër prurje e vlertë në traditën tonë të këngës, është ajo që risjell në një bashkëkremtim vokal dhe artistik, poetik dhe muzikor, Alban Skenderaj & Miriam Cani, jo vetëm si dy këngëtarë dhe krijues, por si dy personalitete, vepra e të cilëve është realja e një zëshmërie që merr roli i këngës, në të tashmen e një kaosi, në të sotmen e një rebusi pa zgjidhje, të këtushmen e një pështjellimi, ku arti, ai që duhet të ngrihet si dritë nga besimi, të shndrisi udhën, ndoshta jo në një përpjekje për ta zhbërë terrin, se sa për ta dëbuar atë nga vështrimi ynë plot ëndje për te jetuar dhe ndjerë.
Sot, kush e ka përgjegjësinë që arti po shpërdorohet në mënyrën më kriminale, nën një ethe të përbindshme pasurimi dhe narcizmi. Deri ku ka uzurpuar kjo ububushmërie toksike, ky vulg masakrues vlerash, kjo tashmërie mizore zkonshmërie, e dim, por se deri ku janë skajet e këtij sundimit, kjo është në përcaktueshmërinë e kohës dhe perceptueshmërinë e shqisave përjetuese.
Por ka gjithnjë shpresë për gjërat e bukura, për davaritje të mjegullës së hutimit dhe çorientimit. Është ndoshta dikush që kërkon ta vendosi muzikën, poezinë, këngën, fuqinë krijuese dhe virtuozitetin mëtues, në kryeradhë të ribërjes së gjërave, të zgjimit të shpirtërores dhe emocionueses, të përgjigjes së mendimit dhe idesë, unë i përkas kësaj specie.
Një këngë të bën të ndihesh një mendim, një zgjim i atyshëm dhe mëkim i ambroztë. “Zemër përmbi Zemër” e Alban Skenderaj & Miriam Cani nuk është thjeshtë një këngë. Në këtë kremtim artistik, fjalët ju bëjnë të mendoni, muzika ju bën të ndjeheni, zërat ju thërrasin në një përjetim të përkorë, klipi ju tregon mishërimin e gjithë këtyre komponentëve, të këtij ceremonial solemn. Noton nëpër një det të trazuar kjo anije në kërkim të brigjeve, atje ku zemra kërkon një zemër dhe magjikja e ndjenjave i mëkon atë me një fuqi që poezia i’a blaton përjetimit.
Zemër përmbi zemër
Eja fli me mua
Në kohë të mira e të vështira
Un do të dua
…
Frymën e fundit dua ta marr un në krahët e tua.
A nuk është ky një betim i shenjtë, një zëshmëri që zemrave u del zëzjarr, sydritshëm e shpirtje, përulur në altarin e asaj lartësie, ku na ngjit ndjenja, duke e shndërruar dashurinë në një shpërthim drite, që vezullon e yllëzuar në sytë që shquajnë, sytë që thonë dhe ndjenjë shumë më shumë se sa shohin. Dhe s’është e lehtë që “Frymën e fundit dua ta marr unë në krahët e tua”. Barra e viteve, por më shumë se ajo, gjithçka që sendërton si një ngjizje e mundimshme tashmëri në çdo kohëikje, është pesha që duhet të bartin zemrat rrugëtimit kah kërkohen qasje dhe shkasje përsosjeje. Është jeta që rëndon dhe dashuria, njerëzorja, hyjnorja e toksores së çdonjërit nga ne, mbetet ajo që i bën qëndresë.
Dhe kur thinjat do të mbulojnë rrudhat në ballë,
Do të dua njësoj si ditën e parë,
Si veten, si jetën,
E nëse bota do të të ketë kthyer shpinën
Do të dua si ditën e parë.
Imagjinojeni se çfarë solemniteti mendues dhe përjetues e sjell poezinë, vargun, ritmin, muzikalitetin, sytë dhe zëshmërinë, në këtë ceremonial, ku zemrat e shenjtëruara në një besim të kulluar, e shndërrojnë artin në altar. Secili nga ne mund të ndihet i përgjëruar në këtë lutje, dhe i përulur në këtë zë që i jep çfarë është me lartë dhe më sfiduese, dashurisë.
Thirret kjo dashuri në mëkimin e një fuqie, që i kundërvihet zakonshmërisë dhe tundimit, ritualit ngasës dhe shkasjeve imponuese të modernitetit, por përmbi krejt, të statusit të artistit. Atij i duhet të kacafytet shumëçkaje, më shumë se vulgut, kotësive dhe veljes, të ndeshet me çfarë ka zgjedhur të jetë, si sfidë e asaj çfarë një mori rregullash të pashkruara, lypin ta imponojnë si kod çdoditshmërie dhe tjetërsimi.
Dhe kjo peshë e artistit, personave publik, asaj zakonshmërie njerëzish, që kërkojnë t’i shkëpusin përdhunshëm nga njerëzorja, kjo trysni mund dhe arrihet me modesti dhe çlirimin, përmes lirisë së të qenit tokësor në eterin që end pendët e fluturimit fama.
Jemi s’jemi kopja ideale,
Jemi s’jemi nuk duam medalje,
Duam jetë normale,
Pa njëmijë skandale,
Pa shtirje sociale,
Dashuri reale.
…
Më shumë se vargje që mëtojnë një mendim të çliruar nga kontraktime të gjithfarshme, shkasur nga domosdoja e një bindjeje që i tjetërson njerëzit, kryesisht ata që janë pjesë e zgjedhur e mundësisë dhe fatit, talentit dhe suksesit, këto vargje, kjo kolovitje e zëshme e idesë dhe mendimit, është e mbrujtur në një gjendjeje denoncimi. Realisht ajo, ndaj së cilës duhet të kryengrihet një artist, një VIP është ajo vetvete që ka lënë peng i disa normave, të cilat kërkojnë ta ndajnë atë nga jetësorja, pemën nga rrënjët, duke e trandur ashtu flakurimshëm në boshin e asgjësë, që mbushet gjithnjë me një vezullim fals dhe një madhështi të shtirur.
Këto vargje, ky ngulm komunikimi, nuk është rastësorja e një zëri poetik dhe vokal, është grushti i fuqishëm që ngrihet të godasë zbrazëtinë që po i përpin ata që rreken të mbushin çastet tona me më të mirën e talentit të tyre, me më të dlirën e shpirtit që mbrujtur janë.
Ata nuk janë ideal, por ajo çfarë ata zgjedhin të përfaqësohen, është ajo që i vendos ata ne vendin ku u takon, ashtu si kandili, i cili kudo që e vendos ai u jep sy njerëzve të shohin.
Ata nuk duan medalje, sepse kurrë vlerat e njëmendta krijuese, nuk janë përcaktuar nga trofetë.
Ata duan një jetë normale, pa njëmijë skandale, pa shtirje sociale, duan dashuri reale. Ja se si poezia e ngre peshë tabanin ku qëndrojmë, dhe i jep mundësi rrënjëve të pleksen pas dheut, të cilit i përkasin. Jeta e një artisti, është dhe duhet të jetë jeta që do ai të jetojë, dhe kurrsesi jo, jeta që imponon standardi, shkëputja nga e zakonta, arratisja nga njerëzorja, nga ajo butësi dhe brishtësi që na ka mësuar të ndjejmë dhe të duam, ajo thjeshtësi dhe mirësi, që na ka përzgjedhur dhe na shpërblen me bujarinë e gjërave që shkëlqejnë në sy dhe drithërojnë në zemër.
“Zemër përmbi Zemër” ka sjellë dy personalitetet e njëmendta të artit dhe këngës shqiptare, Alban Skenderaj & Miriam Cani, si një mision krijimi për të guxuar në një përpjekje zemrash dhe dashurie dhe triumfuar në një përmbushje, e cila simbolikisht arrihet me plotësimin e një pazulli.
Të flasësh për një këngë, nuk është ngulmi për të qëndruar pendëmprehtë e ligjërues pas një tralalaje, duhet sqimë dhe shpirtje përjetuese, thellësi mendimi dhe tejdukshmërie e gjëshmërisë që merr trajtë kumti.
Nuk preferova të ndaloj te kjo këngë si një fan, por si një vëmendje deshifrimi i asaj që kodifikon arti krijues në këtë komunikim të Mirim Canit dhe Alban Skënderajt. Të promovosh një klip, një këngë, një shkas estetik, sot ndoshta matet me klikime, me pëlqime, me “K” e “M”, një logjikë kjo më e ftohtë se zjarri i ligjërimit tim, por mua më pëlqen të jem i ngrohur nga ai diell që ndjej, nga ajo dritë që sheh përreth dhe brenda nesh, nga ajo që del nga zemra të bardha dhe formësohet me fuqi krijuese si një ngjarje që del nga shpirti, t’i përkasë artit.
Albert Vataj