Nga Albert Vataj
Andrey Aranyshev është një piktor filozof. Ai mbart një bindje të rrallë në ndërthurjen e metodave të krijimit të dekorueshmërisë së kushtëzuar, sipërfaqes së ngjyrave dhe realitetit figurural-hapësinor.
Objektet e tij janë të ndritshme dhe delikate. Imazhet që ai sjell nuk janë prej mishi por prej emocion, atyre shpërthimeve të fuqishme të shpirtit, asaj ndërthurje të idesë dhe sendërtimit të figurës, ai pështjellim i ndijimeve dhe kallzimit në dukshmëri. Artisti nuk krijon fantazma antropomorfe, por lind nga thellësia e mitrës së shtjellave përpirëse një akt përmes një dëftimi. “Karakteret” e tij aktuale janë energji e dritës, ngjyrës, një vijë e hollë dhe harmoni e përbërjes.
Lindur në Yaroslavl, Andrey Aranyshev është një piktor i njohur jo vetëm në Rusi, por edhe në shumë vende të botës.
Stërgjyshi i tij – Dmitry Mitrofanovich Kucherenko – ishte një violinist i famshëm dhe hapi shkollën e parë muzikore në Yaroslavl. Vëllai i gjyshes së madhe – Grigory Vasilevich Sarenko – ishte arkitekti që projektoi shumë ndërtesa të famshme Yaroslavl, përfshirë një ndërtesë të ish- hotel ” Bristol ” dhe depozitën e zjarrit në Sheshin e Kuq. Punimet e artistit janë të jashtëzakonshme për format e tyre interesante, për harmoninë e shkallës kromatike dhe një larmi pamjesh, veçanërisht portreteve.
Piktura e Andrey Aranyshev është një manifestim i forcës së mendimit, i shprehur me kaq origjinalitet përmes lojës së ngjyrave dhe dritës, trajtesës së objektit dhe ndërthurjes së metaforës. Lexueshmëria e pikturave të këtij mjeshtri është sa e vështirë aq dhe joshëse. Ai të josh me ngjyrën që duket sikur përshkon lëndën në të cilën hedh bojën dhe trajton objektin. Mendon dhe vepron me të njëjtën zhdërvjelltësi në tablo dhe në shprehshmëri. Natyra e punëve që zgjedh piktori të ndërtojë marrëdhënien me artdashësin është, bota e tij e brendshme është realiteti i çdonjërit nga ne, ajo e sotme me të cilën ne shihemi dhe nuk e njohim pa e parë të pasqyruar përmes kësaj shprehie që ky piktor mëton përmes kolorit, penelatave, dritëhijes, trajtave dhe forcës shpërthyese emocionale që grish.
Ai është i njohur, edhe pse ne e njohim fare pak ose aspak.
Albert Vataj