Fridrih Niçe besonte se zilia zë një pjesë të konsiderueshme të jetës sonë. Ai doli në këtë përfundim, kohë më parë se interneti do të diktonte me një diktaturë mizore, duke dominuar dhe shpesh përcaktuar cilësinë e jetës sonë emocionale. Për secilin nga ne, kjo është lehtësisht e perceptueshme, mjafton të jemi vetdijësisht të kthjellët, në atë që na ngas si një pasion i shpenguar në pranishmërinë e çdoditshmërisë në rrjetet sociale. Megjithëse, normat e rrepta të moralit na kanë mësuar që të ndihemi të turpëruar për ndjenjat tona të lakmisë, gjithçka që nuk është e jona, rrok një lloj zjarri padurimi për ta patur, duke e paguar me zemërplasje ose me poshtërim. Pra, sipas Niçes, zilia duket sikur është një tregues i së ligës, papajtueshmërisë me parimet tona qytetare, të cilat shpesh ndodhen nën një kërcënim asgjësues, rrezik që vë në sprovë më shumë se moralin, karakterin. Fatkeqësisht pak kanë arritur të ngadhënjejnë mbi këtë gjelat të paqes së përditshmërisë dhe mëvetësisë së secilit nga ne, i cili i gjendur para një domosdoshmërie, vë veten përballë një kërcënimi. Kësisoj, zilia ka marrë në duar fatin tonë dhe është ajo që përcakton dhe klauzolat e kompromisit të marrëveshjeve për “armëpushim”, nëse ka dhe nëse është e volitshme. Gjithsesi, sedra jonë e ka të vështirë ta pranojë se sa lehtësisht prania dhe përfshirja, janë manipuluar, kështu që, shpesh ua fshehim këtë molepsje të epokës së rrjeteve sociale, vetvetes dhe të tjerëve, aq shumë dhe aq me këmbëngulje, sa ka syresh që thonë, me sinqeritet të plotë, se nuk kanë zili askënd. Thua se ky pohim ka njëjtësisht peshë specifike me shfajësimin, të cilin edhe pse u mungon guximi ta pranojnë, thellë e ndjejnë se si kjo peshë sa vjen e zë përfundi. Pavarësisht se si e kuptojmë zilinë, se sa ajo na lëndon dhe se si ajo ka prirje të ndërtojë një terren të thyer komunikimi në marrëdhëniet tona me të tjerët, ajo nuk përjashtohet. Kjo është logjikisht e pamundur, këmbëngulte Niçe, sidomos nëse jetojmë në botën moderne, e aq më tepër në këtë të tashme, të cilën ai as që mund ta imagjinonte. Ne jemi vetë kuptimi i themeltë i zilisë, kësaj parehatie që na bën të vuajmë, aq sa ky shtërngim dhe trazim të jetë zgjedhja që ne kemi bërë vullnetlirë në një përballje që nderi nuk na lejon të bishtnojmë, edhe pse përballjet kanë faturë të kushtueshme.Në sytë e Niçes, demokracia e masave dhe fundi i epokës së vjetër feudalo-aristokratike, kishte krijuar një terren të përsosur pjellor për ndjenjat e lakmisë. Kjo për arsye se tashmë të gjithë ndiheshin të nxitur nga nevoja e të qenit si të barabartë me gjithë të tjerët, pavarësisht mundësive. Në kohët feudale, së cilës Niçe i referohet në krahasim, askush nuk do të kish guxuar të ndiente zili për princin. Por tani, të gjithë ngasin të krahasojnë vetveten me gjithkënd tjetër dhe si pasojë, nuk je i mbrojtur nga kërcënimi ndaj një përzierje të paqëndrueshme ambicieje dhe pamjaftueshmërie.Megjithatë, nuk ka asgjë të gabuar me zilinë, thoshte filozofi edhe pse në vetvete është një përpjekje për të shpëtuar nga përndjekja e pamjaftueshmërisë për të fituar, në një luftë ku të gjithë dalin të mundur. Ajo që ka rëndësi sipas Niçe është mënyra si e administrojmë atë, shpesh kjo aftësi kuptohet si kapitullim. Madhështia vjen prej aftësisë sonë për të mësuar prej krizave të zilisë, të cilat në kohën e sotme, shpesh, jo vetëm kanë cenuar paqen tonë të mjaftueshmërisë, por kanë ekspozuar para rreziqeve integritetin. Niçe mendonte për zilinë, si një shenjë konfuze, por e rëndësishme, që vjen prej thellësisë së vetvetes sonë, në lidhje me atë që duam.Çdo gjë, sipas tij, që na shkakton zili është një fragment i potencialit tonë të vërtetë, të cilin ne “e mohojmë” për riskun tonë. Zilia të cilën nuk e pranojmë dhe nuk e marrim nën kontroll, do të përfundojë duke lëshuar atë që Niçe e quante “aromë sulfuri”. Hidhësia është zili që nuk e kupton vetveten. Nuk është se Niçe mendonte që ne gjithmonë përfundojmë duke marrë atë që duam, këtë ia kishte mësuar mirë vetë jeta e tij. Ai thjeshtë këmbëngulte se duhet të bëhemi të vetëdijshëm për potencialin tonë të vërtetë, të luftojmë heroikisht për ta nderuar atë dhe vetëm pas kësaj të vajtojmë për dështimin me një ndershmëri dinjitoze.
Albert Vataj