Dom Ndre Mjedja i mbylli sytë në Shkodër, më 1 gusht 1937, pas një veprimtarie të palodhur fetare, kulturore e atdhetare. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte nismëtar për formimin e Komisisë letrare, themeloi shoqërinë kulturore “Agimi”, punoi shumë për gjuhën shqipe, shkroi poezitë e përmbledhura në “Juvenilja”, ndërmjet të cilave shkëlqejnë poemthat “Andrra e jetës”, “Vaji i bylbylit”, “Liria”, “Lisus”, “Skodra”…
Mё 1 gusht, kujtojmё pёrvjetorin e vdekjes sё meshtarit e poetit shqiptar, dom Ndré Mjedjёs., i cili cilësohet si “mjeshtër i fjalës poetike” dhe “poet me një konceptim poetik të mirëfilltë, që solli risi në vargun e poezisë shqipe”.
Dom Ndré Mjedj lindi në Shkodër në një familje të varfër, të ardhur nga fshati Mjedë. Mësimet e para i ndoqi në Shkodër dhe më pas vazhdoi studimet e mesme dhe të larta teologjike në disa vende të Evropës. Kur u kthye në Atdhe, Ndre Mjeda u emërua famullitar në disa fshatra dhe u lidh me lëvizjen patriotike. Në vitin 1901, bashkë me të vëllain, themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti.
Për veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Në vitin 1908, në Kongresin e Manastirit, u zgjodh anëtar i komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes. Në periudhën e Lëvizjes Demokratike Ndre Mjedja mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratik u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Në vitet e fundit të jetës ishte mësues i gjuhës shqipe në Shkodër, ku dhe ndërroi jetë më 1 gusht të vitit 1937.
Veprimtarinë poetike dom Ndré Mjedja e nisi që herët. Poema romantike e njohur “Vaji i bylbylit” u shkrua më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi. Vepra përmbyllet me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917, kur pa dritën e botimit “Juvenilja”, Ndre Mjeda shkroi, por nuk botoi gati asgjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike “I tretuni”, në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit, vjersha “Shtegtari”, “Malli për atdhe”, “Gjuha shqype”, “Bashkonju” etj. Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike si “Liria”, ku gjeti pasqyrim demokratizimi, që, bashkë me patriotizmin, përbën anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij.
Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjedës, e cila nisi pas Luftës së Parë Botërore, i përkasin poemat “Scodra” dhe “Lissus”, ku përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë dhe sidomos periudha e ilirëve. Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës zënë vend edhe vjershat për fëmijë, disa shqipërime të goditura etj, ku tregoi mjeshtëri të rrallë poetike.
Veprimtaria e dom Ndré Mjedës është shumë e njohur. Ai nuk bën pjesë në të mohuarit, por në të keqinterpretuarit e Letërsisë shqipe. Në veprën “Jezuitët Martirë në Shqipëri” botuar vjet më parë nën kujdesin e jezuitit italian Atë Armando Guidetti, me të drejtë shkruhet: “Po të ishte gjallë Mjedja do të shkumbëzonte nga përçmimi kundër atyre që kanë guxuar të vënë në dyshim ortodoksinë e tij katolike e tomistike, teologjike e filozofike”. (“Gesuiti Martiri in Albania”, Cusano Milanino, Febbraio, 1966, fq. 45) Prandaj kur flitet per te, duhet përmendur edhe veprat e tij më pak të njohura, ato fetare.
E ndër veprat fetare të Dom Ndreut mund të përmendim: “Jeta e Shęjtit Shë Njon Berkmansit” që e përshtati prej italishtes më 1888, kur ishte vetëm 22 vjeç; “Të Pergiámit e Zojës së Bekueme”, përshtatur prej spanjishtes më 1892, e ribotuar më 1927; “Lumnít e Zojës” përshtatur prej italishtes, botuar më 1929; “Devocioni i Zemrës së Jezu Krishtit”, përshtatur prej frëngjishtes më 1931; “Katekizmi i Madh” përshtatur prej italishtes. Ribotoi edhe 14 Ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull: “Jeta e së Lumes Virgjin Mërí ‘ nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum”.
Pas këtyre përkthimeve, shkroi veprën origjinale “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i pergjithtë i moshës së rë”. Në XXI kapituj tregohet jeta e vepra e Shenjtit që u shpall nga Papa Pio XI “Pajtor i rinisë”, ndërsa në kapitullin e XXII e të fundit botohet Letra Apostolike që Papa Piu XI i drejtoi Eprorit Gjeneral të Shoqërisë së Jezuitëve, të asaj kohe, me rastin e kremtimeve të dyqind vjetorit të shenjtërimit të Shën Luigjit, përmes së cilës, siç thotë ai vetë, ka për qëllim t’i flasë mbarë moshës së re. Një nga veprat e munguara të Mjedjës, me vlera të mëdha studimore në lëmin e gjuhës shqipe e sidomos të terminologjisë fetare, është oficja “Vizari Shpirtënuer”, punuar nga poeti-meshtar në bashkëpunim me fratin françeskan, Atë Benedikt Dema, pa kujtuar këtu letërshkëmbim tepër të pasur të priftit-poet e gjuhëtar.
Dom Ndré Mjedja dha ndihmën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua edhe në gramatikë, leksikologji, filologji, duke dhënë ndihmesë të shquar në lëvrimin e gjuhës letrare. Dom Ndré Mjedja është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e Pjetër Bogdanit dhe të Pjetër Budit, shkroi për dialektin shqiptar të Istries dhe për Perikopenë e Ungjillit të shek. XIV.
Në përvjetorin e vdekjes së tij, dom Ndre Mjedja na flet përsëri për veprën e tij të palodhur në dobi të fesë e të kombit, me të cilën është marrë plot përkushtim individual studiuesi Mentor Quku, i cili botoi vëllime të reja mbi gjithçka ka lidhje me emrin e madh të Ndré Mjedës. Po dom Ndré Mjedja qe i madh në të gjitha fushat e dijes, posaçërisht në fushën e gjuhës shqipe, siç dëshmon edhe shkrimtari prof. Ernest Koliqi (Dom Ndre Mjedja, Cika, v.2, nr. 28-29, fq. 202, Shkodër, 5 shtator 1937.):
“Po t’ishte qénë Dom Ndreu vetëm nji erudit mbledhës citatash klasike apo vetëm nji ligjerues i hollë mbi systemet e ndryshme filozofike, vepra e tij sigurisht do të kishte humbun me tê. Nji tjetër gjâ e bâni të Madh e të padekëshëm: dashunija e stërfuqishme për gjuhë shqipe. Ai njoftës i rrallë i gjuhve të vjetra, ai qi shkruente mjeshtrisht pesë gjuhë të mëdhaja europjane dhe lexonte e kuptonte njâ tri a katër tjera, dashunonte me nji dashuní të njomë e luftarake kët gjuhë të palavrueme t’onë. E dashunonte si Dijetar e si Atdhetar, e dashunonte edhe si Poet. Shkrimtarët e moçem gegë e toskë dhe italo-shqiptarë i studjonte pajadá dhe dinte këthelltas historín e çdo fjale të shqipes. Ai i vetmi ndër ne, po të kishte dashun, mund të përpilonte nji fjaluer historik të gjuhës, sepse përveç përdorimit të saj në popull dhe ndër tekste letrare njifte mirfilli edhe burimin ethimologjik. Ndoq përherë me vërejtje studjimet e albanologve dhe mbajti letër-shkembim të vazhdueshëm me Pedersenin, Joklin, Tagliavinin. Qe në riní dishepull i Gustav Mayerit. Mjerisht shum pak prej vërejtjeve të shumta, qi ai përmblodhi në këto studjime të parreshtuna, Dom Ndreu botoi. Ai shpërndante dijen e vet në gjuhësí ndër këshille miqve, nxânësvet, kujdo qi i siellej. Auktorë fjalorësh e shkrimtarë të vjetër e të rij (ndër të cilët edhe unë) i detyrohen ndihmës së tij zêmër-bardhë për spjegime, ndriçime, qortime e shllime. Ai epte landen e vet të grumbullueme me vishtirsí, i knaqun kur dikuj i hinte në punë për naltësim të shqipes e të Shqipnís”.
R.SH. – Vatikan