Alexandre Dymas ishte jo vetëm mjeshtër i romaneve historike dhe aventureske, por dhe qefli i madh të ngrënash dhe kuzhinier i shkëlqyer. Dyma ka lënë qindra vepra, por, ka shumë mundësi, që ai të cilësonte si majën më të lartë të krijimtarisë së vet veprën “Fjalori i madh i artit të gatimit” (“Le grand dictionnaire de cuisine”). Ky libër doli në dritë vetëm në vitin 1873, tashmë pas largimit të shkrimtarit i cili ndërroi jetë më 5 dhjetor të vitit 1870 , kur Parisi u rrethua nga prusianët.
Praktikisht gjithçka e ngrënshme ka gjetur pasqyrim në faqet e këtij fjalori. Që nga vaji i bambusë e deri tek delfinët dhe bile elefantët. Vërtet, Dyma ka përshkruar në këtë vepër të vetën edhe receta gatimi të mishit të elefantit. Në librin “Fjalori i madh i artit të gatimit” (“Le grand dictionnaire de cuisine”) të shkrimtarit Aleksandër Dyma anekdotat historike nga jeta e anëtarëve të familjeve mbretërore alternohen me recetat e gatimeve si dhe me përsiatjet e argumentimet teorike të shkrimtarit mbi oreksin dhe urinë.
“Nuk ka gjë më interesante se sa studimi i librave të ndryshëm të artit të gatimit dhe fantazive mrekullisht të habitshme të mjeshtrave të njohur të kuzhinës, të cilëve u shkon nëpër mend të përdorin salcë, të bëjnë rosto apo të pjekin në hell njerëzit tanë të mëdhenj”, – shprehej me shaka Dyma në lidhje me modën për ti quajtur gatimet për nder të personazheve të ndryshme historike. Por në analet e artit botëror të gatimit ekziston edhe sallata “a la Dyma”. Dhe Aleksandër Dyma krenohej vërtet me sallatën e tij, recetën e së cilës e shpiku vetë. Në të përveç salcës speciale dhe zhardhokëve të kërpudhave (tartufo apo truffe) hyjnë edhe zarzavate të tilla si panxhari i kuq, selinoja dhe patetet e ziera.
“Ai e ka me pasion të madh gatimin në kuzhinë dhe, thonë, se është mjeshtër i madh i kësaj pune”, – raportonte mbi shkrimtarin francez shefi i xhandarmërisë së qarkut të dytë të Moskës në vitin 1858. Po atë vit, pra në 1858, Dyma u nis me një udhëtim të gjatë nëpër Perandorinë Ruse. Ai vizitoi Shën Peterburgun, Moskën, Nizhnij Novgorod-in, Kazan-in, Baku-në, Tiflisi-in. Në Astrahan Dyma pati mundësinë të vlerësojë sipas meritës shalqinjtë e atjeshëm. Në Kaukauz ai provoi shishqebapin, kurse në Kalmyki hëngri mishin e kërriçit. Ndërsa kuzhina ruse nuk i pëlqeu fort shkrimtarit. Uha-në (supë peshku) me sterlet (peshk i familjes së bli-rit) ai e kritikoi në mënyrë të pamëshirshme, ndërkohë që në Moskë i pëlqeu bli-ri yjor (sturgeon) i zier dhe i servirur i ftohtë e me rrikë, “Zëri i Rusisë”.
Nga Albert Vataj
Aktgjykimi i mysafirit francez përkatësisht kuzhinës ruse doli shumë i rreptë: “Në Rusi nuk lindin mjeshtra të kuzhinës. Ne diskutuam në lidhje me çdo gatim që na u servir në këtë vend”, – shkruante Dyma në shënimet e veta kushtuar udhëtimit në Rusi. Buka e zezë i ngjallte krupë shkrimtarit, kastravecat turshi iu dukën të tmerrshëm. Por edhe shtypi rus nuk ia la mangut atij qëndrimin përbuzës ndaj kuzhinës ruse, duke ia paguar me të njëjtën monedhë klasikut francez.
Në faqet e shtypit u vu në lojë pasioni i tij gati maniakal ndaj studimeve në fushën e artit të gatimit. Me kalimin e njëfarë kohe, pasi Aleksandër Dyma u largua nga Rusia, në një nga botimet e atëhershme u duk anekdota mbi atë, se si tek autori i romanit “Tre mosketierët” në Peterburg erdhi një delegacion i tërë – i përbërë prej nja 200 vetash, të gjithë të veshur me frak të zi, me kollare e xhaketa të bardha.
Dyma fillimisht kujtoi se atij erdhi ti urojë mirëseardhjen aristokracia më e lartë e Peterburgut, ndërsa më pas mendoi se ata janë kolegët e tij letrarë, të cilët kanë ardhur për ti dhënë hakun, për të njohur meritat e tij. Mysafirëve iu propozua shampanjë dhe u lidh biseda. Ndërsa më tej puna arriti deri tek prezantimi. Doli se tek ai erdhën kuzhinierët e aristokratëve rusë, të cilët shprehën dëshirën të mësojnë nga Dyma artin e tij të të gatuarit. “Unë jam kuzhinieri i kontit T… dhe do ta konsideroja për nder të madh e do të isha tejet i lumtur sikur Shkëlqesia Juaj të pranonte të më mësonte mua se si gatuhet spinaqi, sipas recetës suaj të famshme”. Megjithëse kjo nuk është e vërtetë, duhet pranuar se është trilluar jo keq, me ndjenjë humori.