Është e vështirë të panoramosh në letërsinë shqipe. Guvëzimet historike e bëjnë të mundimshëm ndriçimin e plotë të fenomenit letrar. Po ashtu totalitarizmi deri në vitet ’90 krijoi errësime, jo vetëm nëpërmjet dogmatizmit ideologjik, por edhe nëpërmjet persekutimit dhe denigrimit të figurave letrare historike apo bashkëkohore.
Shqipëria është një vend i lashtë siç dëshmohet, me një tipologji unikale dhe fat të pakuptimtë. Shkollat letrare, më shumë se sa ndërgjegje e përpunuar, kanë vepruar si forma analoge me realitetin. Mund të dallohet romantizmi, me poetët De Rada dhe Naim Frashëri, një lloj klasicizmi i përzier me realizëm kritik përfaqësuar me poetin dhe dramaturgun Anton Zako Çajupi, pas kësaj një realizëm mirëfilli patetik, me poetin e shquar Migjeni, në konotacion me të cilin vendoset Fishta e Konica (të dyja këto figura të sapozbuluara nga groposja gjysmëshekullore që u bëri shkolla e realizmit socialist si institucion), Lasgushi, si liriku më i madh, në ciklimet e shpirtërores.
Vitet e shoqërisë që eksperimentoi socializmin krijuan diferencën midis psikikës dhe shprehjes, sipas strukturës bazë mbi të cilën zhvillohej shkolla e realizmit socialist, ku qëllimi i paraprin ndjeshmërisë, jo si qëllim individual së paku, por si qëllim kolektiv dhe…i direktivizuar.
Ashtu si rendi qëndronte mbi njeriun pa qenë natyrshëm shprehja reale e tij, mund të themi se dhe ideologjia qëndronte mbi shkrimtarin si trysni dhe fushë inkuadrimi e detyrueshme. Por, do të ishte spekulim, të përmblidhje emrat më të shquar të kësaj periudhe letrare në, dhe vetëm në, shkollën letrare të realizmit socialist. Parabolisht kjo ishte një shkollë e përmbyllur, ku rregullat estetike ishin zëvendësuar me kritere ideologjike dhe morale, që nuk puqeshin kurrkund me modelimin estetik të realitetit dhe imagjinatës. Kështu letërsia si dhe gjithë veprimtaria shpirtërore zhvillohej si mbijetesë në luftë dhe konkurrim sfilitës me mediokritetin abstrakt që përmbushte projektimet e udhëheqjes. Të burgosurit ideologjikë do të mbeten martirët e atij suprimimi shpirtëror që shoqëria shqiptare kreu me vite, për të shkuar mundimshëm drejt demokracisë, midis të cilëve pati shkrimtarë, si: Kasëm Trebeshina, Kapllan Resuli; Mehmet Myftiu etj.
Përveç rezistencës konstitutive të individualiteteve të asaj periudhe, mund të kuptohet dhe përfshihet brenda po atij realiteti letrar ngjethës, edhe rezistenca stilistike ose intuitive, një tjetër formë e të mbijetuarit. Shembull tipik për këtë është Ismail Kadare, shkrimtar i cili famërisht i kaloi pragjet e atdheut që në atë periudhë, e që, me siguri, mbijetesa dhe forma e kësaj mbijetese është pjesë e stilit të tij dhe e dramacitetit që e shoqëron edhe sot e kësaj dite.
Ka alternime mendore nga më të çuditshmet për vlerësimin e kësaj mbijetese, në veçanti të spikatura nga një padurueshmëri smire e përzier me cinizëm, dhe për habi nga individualitete që me gjithë frymën nihile sot, për vite me radhë, ndoshta dhe dekada, ushqyen një përunjësi përgjëruese për artin dhe thimthën e autorit.
Pavarësisht tyre, Ismail Kadare ka fatin të ketë lëvruar konceptuimin dhe sistemin e tij logjik në gjuhën e saponjësuar letrare shqipe dhe t’i ketë dhënë asaj, nga pikëpamja e nocionimit, frymë dhe performim individual. Kështu ekzistenca e tij si formë e ndërgjegjes së pavarur është krejt e dukshme në sistemin tradicional të vlerës që e bën shqipen gjuhë dhe Shqipërinë komb, dhe kjo është arsyeja e reduktuar që ky autor kryen interferim të dukshëm në vlerat ndërqarkulluese të artit pa kufij. Më së fundi duhet kuptuar se ruajtja e vazhdimësisë së takimit me lexuesin dhe në kohë, e veprës së këtij shkrimtari, duke ravguar midis realizmit dhe simbolizmit, mbetet pjesë e gjenisë së tij dhe jo thjesht një rastësi apo mungesë.
Është njësoj e mundshme vërejtja për një oaz në shkretëtirë. Një formë e përplotë e mbijetesës, universale, në të cilën si princip jeta dhe arti është e njëjta gjë, ose: arti është forma, është individualiteti Trebeshina.
Takimi i veprës së tij letrare me lexuesin është kryer dhe vazhdon të kryhet nëpërmjet peripecish. Por ai kishte të pamundur shkëputjen nga uniteti me vetveten, me gjithë dënimet, ridënimet e vazhdueshme, deri në fund të viteve tetëdhjetë dhe, padyshim, mbetet modeli virtuoz i idealizmit dhe përkorjes.
Vepra e tij me strukturë të theksuar lirike, përmes një tragjizmi ngashënjyes, vegullon ndjeshmëri, për fatin tragjik të shpirtit, nga absurditeti me të cilin e kanë rrethuar, në udhëtimin e tij të përjetshëm. Është i pari shkrimtar që në vuri në diskutim dhe dyshim kriteret e metodologjisë së realizmit socialist, moralin e revolucionit socialist, pakuptimshmërinë e luftës së klasave dhe irracionalizmin e çdo lloj lufte në përgjithësi, megalomaninë e idealit politik dhe të huajzimin e shumëfishtë civil.
Kasëm Trebeshina është shkrimtari eternal.
Vitet tetëdhjetë parakuptojnë ndjesisht fundin e diktaturës. Poezia shqipe grumbullon freskinë e një breznie të re letrare dhe auditori përcjell e kërkon mesazhe aluduese, nxitëse për një të nesërme të re. Si asnjëherë tjetër midis krijuesit dhe lexuesit vëmendja kreative është e tendosur për të kryer shndërrimin social, riorganizimin e marrëdhënieve. Perifrazë e kësaj është poezia e Preç Zogajt.
Vitet nëntëdhjetë hyjnë furishëm në letërsinë shqipe. Ndryshimi radikal i artit është publiku. Aftësia receptive është e çliruar nga censura, gjë që kupton aftësimin e kreativitetit në përgjithësi. Zvogëlimi i një morie përshtypjesh dhe përkujdesjesh të kodifikuara, i lë fushë vepruese ndjeshmërisë refleksive, përfytyrimeve dhe asocimeve, zhduk limitet dhe rendin e fjalëve, duke e cilësuar në barasvlerë çdo thërrime të gjuhës. E papritura stilistike shumëfishohet në shprehje, rritet vlera hedonistike, dhe në mënyrë të shëndetshme arti shkëputet nga format e tjera të ndërgjegjes shoqërore, të cilat përdhunisht e kthenin dikur në prozë (në kuptimin më prozaik).
Në tërësi arti, si frymë tendencioze, si akt i një grupimi kundër një tjetri, apo qoftë dhe si aspiratë sociale, për të përmbushur një qëllim si interes, jo si natyrë, nuk gjen më shprehje. Zhvillimet mendore shpërpjestojnë me shpejtësi ndaj përpjesëtimeve të realitetit, duke krijuar abstragisht momente ekuilibri, një prirje kjo që vjen nga brenda… (Jashtë vazhdon zhurma dhe e përkohshmja.)
Sensi i qenies kërkon ndërlidhjen e anëve, jo më si kundërshti, por si ndërvarje produktive, duke shkuar drejt pajtimit të ekstremiteteve. Kjo ka lidhje me mbarimin e ekzistencës si kusht mendor, me presupozimin e saj si diçka tashmë të kryer nga intelekti, me idenë bazuese se njeriu mirëfilli fillon kur ka përmbushur interesat si kushtëzim, ose, të paktën, kur i presupozon të tilla.
Duket pretencioze, por arti nuk është më simetria e realitetit, por realiteti i simetrisë (ekuilibër si tendencë). Predominon gjendja pajtuese, interferimi, jashtë sensualizmit posesiv. Lufta dhe hierarkia kuptohen si maniera ekuivalente me agnosticizmin; njerëzit nuk mund të jenë më kusht për njëri-tjetrin, por pohim i ndërsjellë; fakti apo ngjarja nuk mund të përbëjë argument letrar, kusht logjik, përkundrazi, logjika dhe argumenti letrar i nënshtron ato, i kthen në pretekst, duke zëvendësuar nevojën si kushtëzim, me nevojën si kuriozitet; në hapësirë gjithçka është e barasvlershme etj…
Publicistë aktivë, tashmë të mirënjohur, si Edi Rama, Fatos Lubonja, Ardian Klosi, etj paraqiten si shprehje praktike, trajnojnë bazën e këtyre ideve, pavarësisht se, në parim, nuk mund të dimë me saktësi nëse janë dakord me to apo jo, por, duke filluar që nga viti 1990, me shkrimet dhe artikujt e tyre, venë në diskutim mundësitë civile të shoqërisë shqiptare, politikën, shtetin, konstituimin ligjor, supremacinë e liderit, moralin mendësues e të pandreqshëm autokton, frymën orientalo-socialiste të trashëguar, sëmundjet e migrimit me komizmin mjerues klandestin, spekulatrinë historike në traditë dhe në figura, shpeshherë të gjitha këto, përmes një afshi frenetik mllefues, ku metodat krahasimtare çalltisin drejt nihilizmit pa fre, ku dashuria përfundon me urrejtje të tërbuar, ku elokuenca e frazës së ndriçuar zëvendësohet nga zhargoni më banal i rrugës, ku qëllimi i analizës shndërrohet në analizë të qëllimit, ku shpresa e ribërjes modelon shpërbërje, ku gjuha si mjet përdor të gjitha mjetet vetëm për gjuhë, ku drama e inspiruar nga të tjerët është vetëm një cohë e pavlerë që maskon dramën shpirtërore pa anë e mbarim të jetës së tyre, ku vetë Shqipëria me shqiptarët s’është vetëm se një pretekst i gjorë për pakënaqësinë universale ndaj gjithë njerëzve dhe njerëzimit dhe, po t’i shtosh kësaj anarrshinë e shoqërisë së viteve të fundit, çmendurinë e një revolucioni imagjinar që ky popull asnjëherë nuk e bëri dot ndryshe, kushtëzimin gjeopolitik, funksionimin e një kapitalizmi sharlatan që gjezdis me pare në dorë për të blerë e shitur, izolimin si shprehje e reduktuar e të gjithave, duket qartë se bazat kostituitive civile të këtij kombi janë drejt asgjësimit, dhe është ky i vetmi konotacion kombëtar i dukshëm, që paradoksalisht bëhet truall i jashtëzakonshëm për të arti, i gjetur dhe i përgatitur, ku gjithçka mund të abstragohet ndjeshmërisht dhe jo nëpërmjet ndjeshmërizimit të abstragimeve si institucione të së drejtës morale mendore.
Në një pasaportë identiteti shqiptare, të dalë nga qarkullimi, të cilën e ka kthyer në defter shënimesh, në kohën e “kurbetit” dhe pastaj të “luftës” dhe e ka riemërtuar: PATENTE, brenda një kolazhi fotosh, pullash, vizatimesh, diku nga fletët e fundit, Ervin Hatibi shkruan:
“Njeriu qenka prej mishi a peshku, se në konservën e firmës ATDHEU u qelbka fare muhabeti. Sidomos kur e di se aty ku duhet të ishte Atdheu, tani është “lufta e ndyrë”, ajo cic-mice me të vrarë tinëz, me vjedhje, pa ideale, me ushtarë të huaj (u çmenda kur pashë ushtarë të huaj afër VOGLIAS), me thashetheme. Ideja ime është: “Shqiptarë të të gjitha vendeve, shpërndahuni”. Vetëm kështu, duke imituar hebrenjtë, apo duke u kthyer në një sekt a mafie do të formojmë në mërgim nën “fyerjet e të bardhëve” ndërgjegjen kombëtare, dhe veç atëherë, po lindi nevoja, të krijojmë një Shqipëri, s’ka rëndësi ku, e pasi që tani që e kemi po tallemi, e na kanë vënë përposh. Por s’ke ç’i bën, je shqiptar, kjo është sida jote…
Në kushte të tilla artisti nuk përfaqëson, por përmban. Kjo nuk do të thotë të zgjidhë përfundimisht dhe as të gjejë të vërtetën (kjo e fundit është nonsens për të). Të përmbash do të thotë të zhvillosh dhe, ajo që mbetet, natyrshëm zhvishet nga ajo që bie.
Shkrimtari që përfaqëson ka si qëllim diçka që i nevojitet qëllimit, jo atij vetë, megjithëse mund ta arrijë qëllimin. Shkrimtari parakupton në tërësi, duke kapur sensin gjatë anticipimit. Ai pohon.
Tipikë të kësaj shkolle (nëse do mund ta quajmë) janë poetët Rudian Zekthi dhe Ervin Hatibi. Në një korrespondencë të shkurtër, Ervin Hatibi do të më shkruante: » Me pak fjalë, si pasojë e pseudoedukimit pseudoklasik që kam marrë në shkolla, më është krijuar në kokë arketipi i Don Kishotit dhe arketipi Homerik, dhe kjo më është kthyer në kontekst për gjithë ç’quhet ART. Këtu unë kam teorinë time, sipas së cilës çdo vepër artistike është Kali i Trojës dhe çdo lexonjës është Don Kishoti.
Vërtet ashtu si paganët ti e pranon kalin, se është i drunjtë dhe i bukur, por detyrohesh ta hash nga greku që është (fshehur!!!) brenda, si arra në llokum. Lexonjësi Don Kishot, i nisur për mirë, duke e kuptuar apo jo, ka marrë arratinë hipur mbi kalin me rrota, midis personazheve dhe ideve që e përplasin poshtë e përpjetë nëpër arat me hendeqe, duke u përpjekur (i shkreti) të verë paqe midis Botës së brendshme (të kalit) dhe Botës së jashtme.
Pra, lexim pas leximi, kalërim pas kalërimi, ekuilibri midis asaj që ke në kokë (kushtëzuar nga arti) dhe asaj që është në tokë (kushtëzuar e krijuar nga Zoti) nuk vendoset dot më, dhe pastaj Don Kishoti kthehet në Djaloshin Verter apo në Djaloshin Narcis…
Deklaroj se ma shpifin dhuratat prej druri në formë kali. Pranoj si të vetmen shfaqe te kali atë që ecën e merr frymë, që ka qenë a është, e që më lejon të dëshmoj për Krijimin. Gjej ekuilibër duke paqtuar atë çka kam në kokë me atë çka është në qiej a tokë. Nga të gjitha censurat më e keqja është arti (prej kali druri), pastaj vjen autocensura.”
Në poezinë e Rudian Zekthit, mund të themi se për së pari shfaqet modelimi i hapësirës në formë johistorike. Kronologjia dhe fakti (në unitet me njëri-tjetrin), kjo formë narrative-historike, për këtë arsye dhe agresive, arrin të eliminohet në vargjet e Zekthit, duke krijuar hapësirën njësuese, ku faktet, figurat, kujtesa, ekzistojë vetëm në një kohë, një herë e përgjithmonë. Shkatërrimi i psiqikës narrative i lë mundësinë rrahjes së mendimit në të gjitha drejtimet, pa ndonjë qëllim linear të paracaktuar. “Fatkeqësitë ndodhin në të shkuarën thotë diku poeti, që mund të perifrazohet’ se: kuptimi si “e shkuar” presupozon fatkeqësinë, ose se fatkeqësia mund t’i ndodhë mendjes së ndërtuar me kohë të copëzuar, me të shkuar, të ardhme etj.
Në një tjetër poezi, ai thotë se “Do të kishte qenë mirë për një vajzë të më dashuronte vjet./ Vjet, këtë vit, e kisha fëmininë në pëllëmbë të dorës, segmente-segmente./ Vjet do ta festonim fëmijërinë dhe dashurinë njëherësh./ “Tani unë gjithmonë jetoj vjet… Vëreni lojën e fjalëve e cila zhduk fraksionin kronologjik të faktit, duke iu shmangur dhimbjes, cilësi e hapësirës së njësuar. Është evidente në letërsinë e sotme shqipe, në prirjet më të freskëta, krijimi i një hapësire të pakushtëzuar, të një hapësire agravitale, të paqendërzuar, ku injorohet dhimbja si motiv kreativ, madje si çfarëdo motivi.
Natyrisht, kjo nuk është punë e lehtë, madje nuk është punë. Ky kreativitet, në rastet më të sforcuara, merr trajta ekzibicive. Por gjithmonë parapëlqen t’i shmanget mekanikës mendore. Dhe të vetmet dhimbje të tij janë ato të modelimit të shmangies, drejt burimit. Prirje të tilla letrare substantojnë ndikueshmërinë e kulturave dhe interferimin si natyrë e pazëvendësueshme dhe e panënshtrueshme e artit. Ato janë prirje integruese e kulturës sonë dhe ky është cilësimi kryesor “kombëtar” që sot mbajnë.
Në një mënyrë ose në një tjetër ndihet që e gjithë bota civile vuan mungesë mjaftueshmërie komunikimi. E gjithë lufta dhe përpjekja njerëzore mund të reduktohet në përpjekje për komunikim. Vetë identiteti njerëzor mund të kuptohet si njësia masë e komunikimit.
Në gjithanshmëri, anormaliteti i Shqipërisë paraqitet si shpërthim i izolimit: të izolimit nga kulturat e huaja, të izolimit nga kultura historike dhe e traditës së vet, të izolimit gjeografik civil, të një izolimi psikik më në fund, që krijon aftësinë irritive. Cilësia e re e kulturës shqiptare, veçanërisht si shprehje e ndërrimit të formave mendore dhe e shpejtësisë së riorganizimit social, jep tregues të qartë se aventura shqiptare këto dy vitet e fundit nuk ka të bëjë me ndjenja nacinal-kategorike, por është çështje rivlerësimi të të drejtave të njeriut dhe integrimi, të një pjesëmarrjeje me të drejtë të barabartë në unitetin e kombësive drejt shkrirjes. Mund të kujtoj fjalët e një refreni të grupit “Djemtë e detit”: Zgjo hapësira në mëngjes/ kohë që izolimi vdes.
Nga Mimoza Ahmeti
Koha Jonë
21 qershor 1998