Nga Moikom Zeqo
Në një ese të pazakontë, epigramatike, madje të hatashme botuar në 1929, Eqrem Çabej ka shkruar ketë rresht, që është shumë më tepër se sa një varg poetik apokaliptik, entuziast, jo pa paradoks të shumëkuptuar: “Djalëri shqiptare, lexo Lasgush Poradecin dhe pastaj vdis!”
Kjo është si përgjigjet delfike, ose si ato të sibilave paravirgjiliane, sibilave misterioze dhe kapriçioze të Bogdanit të mahnitshëm.
E pra, jemi mbledhur sot jo për të vdekur por për t’u ringjallur, sui generis, ndonëse dituria e pamëshirshme latine na përcillet në shekuj, apo në kohën jashtë kohës së fjalës “Hoc este simplicisimushomo iste statum qurtum materiae invenit”. “Kjo është tepër e thjeshtë, njeriu ka gjetur gjendjen e gurtë të materies”. Sepse Lasgushi është tërësisht materie, si zjarri i gjallë heraklitian, është dhe nuk është, hesht dhe na flet, s’shikon më dhe na depërton tërësisht enigmat e ndërlikuara të shpirtit, marrëzitë tona të pafundme, por edhe mbijetesën tonë të sfilitur, si një Nòstradamus – ka diçka vizuale me fytyrën e këtij alkimisti poet me tiparet e Lasgushit, një vëllazëri dioskure të pavërtetuar dhe fatale sepse profecitë e Lasgushit nuk mund të shmangen as të injorohen – vështirësia jonë mëkatare e purgatoriane është të kuptuarit, të interteksit, ose të metagjuhës poetike të madhërishme lasgushiane.
Ne mund ta nderojmë poetin vetëm, duke e kuptuar, përtej tërë keqkuptimeve, të tjetërsimit dhe vulgritetit llaharisht të përhapur, që zotëron sot indet e jetës kombëtare.
Midis tragjedisë së çmendur Lasgushi është një yll, ose një vetëtimë, që siç thoshte një filozof i qëmotshëm është timoni i ndryshimit të klimës dhe hapësirave të statukuosë butaforike. Emri i përkorë, trillim metaforik, origjinal, i vetmi në universin tonë ka zëvendësuar emrin e stërlashtë biblik Llazar, po ndoshta jo të ringjalljes së tij, daljes nga shpella edhe tani mbas dhjetë vjetëve kalendarike, që mbase në botën e përtejme ajnshtajne janë vetëm dhjetë sekonda.
Në këtë tubim modest, si mbi tryezat rrethore të romakëve të kahmotshëm, si mediume le të bëjmë me emrin e Lasgushit një seancë spiritizmi poetik: ja, thirrjes sonë të thekshme i përgjigjen shpirti i madh i Buzukut, trupi i zhvarrosur si Skënderbeu i Bogdanit, apo Budi pa varr midis këmishës magjike prej centauri të lumit Drin i përrallshëm, ky aks, ose meridian bashkues dhe ndarës i Shqipërisë, makth kolosal i historisë së padrejtë, prokustiane, të kombit, të çarë në mes. Lasgushi nuk shkroi Urën Mirabo si Gijom Apolineri shqiptarofil i mrekullueshëm, por shkroi për këtë Drin, dyaortash, i zemrës së secilit shqiptar në tërë kohërat.
Ja, dhe shpirti i De Radës, Ai i Serembes, i Mjedës, i Nolit dhe Migjenit – këta shpirtra shtojnë ozonin jetëdhënës dhe të pazëvendësueshëm të mushkërive të kombit të asfiksuar.
Mbase shpirti i Lasgushit përbën një ozon të ozonit, një cilësi të veçantë. Poradeci është një poet i përmasave të mëdha, por kjo nuk duhet kuptuar në hapësirë se sa një dendësi e pazakontë, si ajo e yjeve xhuxhë të kozmosit, veçse si dendësi e kohës dhe jo aq e materies. Dy librat e tij emblematikë, që në të vërtetë janë libra diskurë, mbase një qenie e vetme, e dyfishtë, që në vitet 30, përbëjnë kulmin e lirizmit shqiptar. Ajo, që vijoi më tej është një artikulim, por magjia ishte shpallur, zbulesa ishte bërë e njohur, vetëm rrezatimi shtohet, përhapet, por burimi inkandeshent ishte, ai që ka qenë.
Lasgushi, është ai liriku i mahnitshëm, i cili megjithë dimensionin prej poligloti të gjuhëve të gjalla dhe të vdekura, që njihte, u përcaktua fatalisht dhe pafundësisht në gjuhën shqipe. Ky ishte fati i tij, nyja e tij gordiane, e pazbërthyeshme nga askush. Nëse do kishte frëngjisht, do të ishte një Bodler, ose një Malarme. Lasgushi pranoi në një modesti të frikshme, po edhe me një krenari apologjike fatin e gjuhës shqipe, vetminë e saj të pashembullt, gjuhë e mrekullueshme, por e një populli të vogël, për më tepër një gjuhë pafundësisht e vetmuar, pa familje gjuhësh, një degë prej një metali, që ndoshta ka ekzistuar në Antlantidën e thellësive, që nuk ngrihen më në sipërfaqe, një gjuhë me një strukturë kryeneçe, po edhe me një pafundësi estetike, që nuk mbaron kurrë. Pra, është një gjuhë e infinitit për nga pasuria e brendshme, por e kufizuar si asnjë gjuhë tjetër për nga pikëpamja e konvertimit me gjuhët e mëdha të botës. Askush nuk mund ta përkthejë poezinë magjike të Lasgushit pa humbur kjo magji shumë mbase në çdo lloj gjuhe tjetër të kultivuar dhe universale. Teoria utopike dhe fëmijërore e gjuhës shqipe si gjuha mëmë, koncepti japetik i gjuhës parababilonike, që ka krijuar tërë gjuhët e tjera me sa duket është vetëm një metaforë e trishtuar, ndonëse madhështore.
Lasgush Poradeci e dinte këtë të vërtetë të thekshme, mbase të egër, pa alternativë dhe si pakkush vendosi të kultivonte gjuhën shqipe, sepse qytetërimi gjuhësor është një qytetërim i pazakontë, mbase i vetmi qytetërim unik i një kombi, sepse qytetërimi gjuhësor është një apogje, shndërrimi i tij në një estetikë gjuhësore të një zeniti të paarritshëm është më shumë se sa një mrekulli, ndonëse nuk është një mistikë e artë, mbase asnjë truk prej alkimisti të marrë.
Lasgushi e arriti këtë lartësi të estetikës së gjuhës shqipe jo për të krijuar një gjuhë sibiline e ezoterike, por në maksimum ndërmjetësimi të një lloji të ri, sfidues dhe çudibërës komunikimi, sepse ai u bë magu i madh, që lidhi hyjnitë me njerëzit, ai donte që Civitas Dei dhe Civitas Solis të kthehej në Civitas Poeziae. Ja, një sfidë elegante prej dinaku të madh e të sigurtë ndaj utopistit të pandreqshëm dhe hyjnor Platonit, i cili në Republikën e tij, së ardhmes i përjashtonte për çudi të çudive, poetët.
Lasgushi guxoi më tepër se kaq. Ai e dinte, që fjala është kufiri që ngihet mbi zoologjinë, artikulimi është vetë njeriu, po Lasgushi kërkonte, që të arrinte dhe të kapërcente atë kufi tekanjoz dhe gjenial, që shndërron fjalën në muzikë. Alkimia e zanoreve të Rembosë, përmban një simbolikë të vështirë dhe befasuese, kurse sonoriteti i çuditshëm i poezive lasgushiane ka arritur një muzikalitet të papërsëritshëm absolutisht nga askush.
Bashkëkohës i disa poetëve, që u bënë nobelistëve si Seferis dhe Elitis, bashkëkohës të një qarku poetik, të jashtëzakonshëm siç e ka vënë në dukje sipas konceptit krahasimtar prej dijetarit Eqerem Çabej, që vendos emra të tillë në konstelacion, si Rilke, Stefan George, Pol Valeri, D’Anucio e Paskoli, Sergej Esenin etj., Lasgush Poradeci nuk e ka fituar famën botërore si ata, famë, që ai e meriton plotësisht, mbase kjo është një padrejtësi fatale që do ta shmangë e ardhmja.
Është e vërtetë, që shkrimtarët dhe poetët shqiptarë janë kaq të pangjashëm me njeri-tjetrin sa duket sikur kanë shkruar dhe jetuar në mënyrë robinsonike në planete të ndryshëm dhe jo në një bashkësi gjuhësore të njëjtë. Kjo është e vërtetë, ndonëse e mundimshme për t’u shpjeguar. Le të kujtojmë këtu Nolin, Mjedën e mahnitshëm, që është një Lasgush verior, Lasgushi i cili nuk mund të quhet plotësisht një Mjedë jugor, apo Migjenin prometeik. Këta janë emra gjigantë. Secili prej tyre e ka shkëndijën e gjeniut dhe janë elementët kozmogonikë të kulturës moderne të shekullit XX.
Lasgush Poradeci i pangjashëm, përveçse me vetveten krijoi atë, që duhet të krijonte, pohoi atë, që nuk mund të mohohet, jetoi një jetë të çuditshme prej patriarku, ndonëse shëndeti i lig, sëmundjet e rënda, që në fillim prometonin një vdekje të parakohshme, madje, shumë më të parakohshme se sa Migjenit. I kuruar në një nga sanatoriumet, që mban emrin e Sofia Shlimanit, gruas së zbuluesit të famshëm të Trojës, disa herë Lasgushi përjetoi në shtyp shpalljen e bujshme të vdekjes së tij të parakohshme. Ai është i vetmi poet në botë, që mbante një parzmore metalike në trup, pa të cilën kockat dhe eshtrat nuk do ta mbanin dot trupin, një parzmore, që nuk e kanë ëndërruar heronjtë homerikë, por, që çuditërisht kjo parzmore, që i bëri të mundur jetëgjatësinë, që në një farë mënyre pjesa e tij prej centauri, apo grifoni, ai ishte gjysmë mish e gjysmë hekur, mbase kjo parzmore qe një tjetërsim i lirikës dhe pavdekësisë së tij. Kjo është e tejkalon mjerueshëm kuriozitetin tonë dhe të gjeneratave, që do të vijnë.
Lirika e Lasgushit është lirikë e një dashurie midis krijesave njerëzore, vasha e tij është një Rinë e dytë e një Milosao i Ri, jo më deradian. Trimi i dashuruar, është ai njeri, për të cilin Borgesi ka thënë është vetë njerëzimi. Njëherë Franc Kafka ka thënë “se gjithësia është mbushur plot shenja të pakuptueshme”.
Vetë Lasgushi, duke folur për lirikë në një ese të tij për Gjergj Fishtën ka shkruar: “Lirika qëndron shumë lart dhe shumë thellë… një vepër, që ka frymëzi, që ka tronditje shpirtërore është lirike vetvetiu. Esenca e poezisë lirike është muzika shpirtërore dhe muzikën shpirtërore e bën toni shpirtëror dhe tonin shpirtëror e bën dridhma shpirtërore, lëkundja, tronditja shpirtërore”. Dhe më poshtë ai shton: “Ata duan të shikojnë shenjat, por nuk i kuptojnë. Shenjat janë dhe duhen kuptuar”, duke perifrazuar kështu një pasazh të Shën Palit. Por ndoshta vërejtja më interesante për lirikën e Lasgushit, është bërë nga Çabej, i cili, gati në mënyrë heretike thotë se: “… Ky nuk është poet lirik në kuptimin e vërtetë të fjalës … më shpesh, vjershat e tij janë drama, dhe shumë prej syresh tragjedi të vogla, shquan prologun, aktin e parë të dramës, kulmin e dramës etj”.
Çabej, thotë se Lasgush Poradeci na hap portën e një jete të re në poezinë shqiptare, një “frisson neuf” siç pat thënë Hygoi për vjershat e Bodlerit” ndaj për Çabein, Lasgushi është shkrimtari, që Shqipëria do t’ia falë njëherë botës. Nëse Poezia është Hirushja, që gjeti këpucën e artë të princit, Lasgushi është nga prindërit e çuditshëm të poezisë. Zogu i tij i qiejve, nuk është Albatrosi i Bodlerit, as lejleku legjendar i Mjedës, që lan pendët në Drin, por as ndonjë trumcak filozof, që vetëvriten si në skicën gjeniale të Migjenit. Ky zog i qiejve nuk është gjë tjetër veçse Nositi, apo duke cituar Buzukun “u bash si pelikani në shkretëti…” varg ky solomonik, që ashtu si dikur çmendi Alfred De Mysenë, e tronditi dhe Lasgushin, sepse dihet që pelikani, kur zogjtë e tij kanë uri, shqyen me sqep gjoksin dhe u jep mishin e vet për ushqim zogjve të uritur. Kjo është eukaristia e artit, simboli më kolosal i Krishtit.
Dikur princi mesjetar Muzaka në shek. XVI ribën një legjendë krejt të ndryshme nga legjenda biblike për tri magët kalorës, që vijnë nga Lindja, duke ndjekur yllin shkëlqimtar të Behtlemit. Muzaka shkruan, se princërit bashkëkohës të tij, Balshajt e kanë origjinën nga këta tri magë, por jo nga Lindja, por nga një vend në Europë, e pikërisht në Shqipëri. Ky paradoks i legjendës në kuptimin poetik na bën të mendojmë, se yllin e Betlemit të kombit shqiptar e kanë ndjekur magë të tillë të mëdhenj, duke filluar, që nga Buzuku, Lasgush Poradeci dhe sot nga shkrimtarët aktuale të mëdhenj të Shqipëri.
I mrekullueshëm De Rada, tek traktati i tij “Parimet e estetikës”, ka thënë se, “Fillimi dhe mbarimi i çdo diturie është gjuha”. Lasgush Poradeci ka koncentruar mahnitshëm gjuhën shqipe.
Gëzuash Lasgush, fëmijë i porsalindur në bregun e liqenit, ku dikur Kadmi i madh i mitologjisë u bë mbreti i Enkelejve dhe lindi birin e tij, Ilirin, që u bë eponim i stërgjyshërve tanë dhe i një Sage, që i mungoi Homeri! Kadmi është shpikësi i shkronjave, dhe jo rastësisht, Lasgushi lindi në këtë trevë magjike kadmike.
Gëzuash Lasgush, o princ plebe, i varfër dhe më i pasuri shpirtërisht, që i fale Shqipërisë një gjerdan diamantesh të çuditshme.
Gëzuash o i vdekuri i madh, që vazhdon të udhëheqësh të gjallët, sepse vetmia e vdekjes ty të bezdis, të nervozon dhe ti vetëm mund ta shpërfillësh vdekjen, madje ta poshtërosh atë. Ne e përkujtojmë Lasgushin një ditë para një zie kombëtare, për të vdekurit tragjikë të Otrantos. Leopardi, që shfaqet si një simbol i pakuptueshëm në Këngën e Parë të Ferrit të Dantes nuk është gjë tjetër, veçse vetëdija e njerëzimit, për këta të vdekur të pafajshëm. Lasgushi, që i ka kënduar Vlorës do të rivajtonte si askush: Ajme, është tepër shumë, më shumë se ç’duhet, kjo dhimbje! Lasgushi me qenin e tij Cucin – më të bukurin nga emrat qëndore në botë, i ngjan Shën Jeronimit, që me luanin rrinte në shpellën e Betlemit.
Lasgush Poradeci është krenaria dhe kombi i personalizuar, që na e bën më të kuptueshëm kolektivitetin tonë, ringjalljen dhe shpresën.
Dhe së fundi doja të sillja këtu përpara jush një shprehje të çuditshme të Borgesit, që i përshtatet fare mirë Lasgush Poradecit, mbase edhe secilit nga ne: “Fjalët që unë po i shqiptoj tani, mbase vetë ju jeni duke i shpikur!”
Moikom Zeqo
“Koha Jonë” 14 Nëntor 1997
Në 10-vjetorin e vdekjes së lirikut të mahnitshëm