“Ali Pasha, krime fatkeqe” është romani historik i francezit të shquar Alexandre Dumas, për Ali Pashë Tepelenë. Në këtë kryevepër shpaloset nga ky penëmprehtë me një tablo e plotë e Shqipërisë së fillimshekullit XIX, përmes jetës së një shqiptari, i cili arriti të depërtonte në zemër të perandorisë otomane, me dinakërinë dhe zgjuarsinë e lindur… Si e shtiu në dorë Janinën dhe ekzekutimet që e çuan drejt pushtetit…
Në Napolin e vitit 1860, të përfshirë nga revolucioni i “këmishave të kuqe”, në mbrëmjet plot biseda që kalonte me Giuseppe Garibaldi-n, Alexandre Dumas, një nga shkrimtarët më të njohur francezë, do të dëgjonte për herë të parë për Ali Pashë Tepelenën, shqiptari që kishte jetuar në brigjet tej Jonit dhe Adriatikut. Dumas ishte një nga miqtë e afërt të Garibaldi-t dhe e ndihmoi atë jo vetëm me armë, por dhe përmes penës së tij, duke u bërë jehonë përpjekjeve të heroit italian për bashkimin e Italisë. Historitë e treguara nga Garibaldi, për aftësinë e tij për t’ia dalë ballë çdo situate, duke pushtuar Janinën, dhe për të depërtuar në zemër të Perandorisë Otomane, do të grishnin tek Dumas pasionin e tij për historinë. Ai filloi të interesohej jo vetëm për fatin tragjik të Aliut, por dhe për historinë heroike të suljotëve, shqiptarëve të Jugut, apo fatin e vetë Shqipërisë, për të cilën, ai ishte gati të vihej në luftë. Dumas do të hulumtonte një sërë dokumentesh, letra dhe korrespodenca që lidheshin me Shqipërinë, shënimet e konsullit francez në Janinë, François Pouqueville, apo kujtimet e Félicien Mallefille për t’u frymëzuar për një nga biografitë më të mira të shkruara për Pashain shqiptar. “Ali Pasha, krime fatkeqe”, do të botohej për herë të parë në vitin 1862 fillimisht në gazetën “L’Indipendente” (që botohej në gjuhën italiane dhe franceze), për t’u botuar më pas në Francë në një libër. Ky roman ka qenë pikënisja e parë mbi të cilën u zhvilluan më pas ngjarjet në romanin e njohur të Dumas, “Konti i Monte Kristos”. Portrait of Ali Pasha I përkthyer në shumë gjuhë, libri ka qarkulluar si një manual në Parisin e pas viteve 1900, dhe rekomandohej si një libër leximi për të gjithë ata që donin suksesin. I nisur të bënte një biografi të pashait shqiptar, Dumas nuk i është shmangur dot shkrimtarit. Libri është një prozë ku ndërthuret letërsia me historinë, imagjinata me faktet, për të dhënë një përshkrim deri në detajet më të vogla të arsyeve që e bënë Ali Pashën, mizor dhe të pamëshirshëm. “Ali Pasha, krime fatkeqe”, tashmë mund të lexohet edhe në gjuhën shqipe. Shtëpia botuese “Saras” prej pak ditësh ka nxjerrë në treg romanin, i cili vjen si një këndvështrim tjetër i historisë sonë në fillimshekullin XIX, përmes jetës së një personazhi shpesh kontradiktor. Botimi i këtij libri në shqip është një kontribut në fushën e historisë, për vetë koherencën që ky roman ka për kohët që përshkruan. Nuk kishte kaluar 40 vjet nga vdekja fatale e Ali Pashës, kur ky francez nisi të shkruante një histori për të. Ky libër është një zë i munguar në lëmin e botimeve për Ali Pashën, figura e të cilit përgjatë 50 viteve ka qenë pak e njohur, shpesh kontradiktore. Hapja e arkivave pas viteve ’90 kanë sjellë dokumente e shënime të cilat kanë zbuluar por dhe kanë hedhur mjegull mbi shumë ngjarje të shekullit të XIIX. Dumas e quan Aliun një tiran, duke e krahasuar me Tibere, Kaligula apo Neron i Epirit, edhe pse, nga ana tjetër, e sheh si një figurë çlirimtare kur shkruan se pa e kuptuar, Ali Pasha i shërbeu zgjimit dhe çlirimit të Greqisë. “Duke mos besuar në Zot, duke përçmuar njerëzit, duke dashuruar vetëm vetveten, duke ëndërruar vetëm për vetveten, duke dyshuar te të gjithë rreth tij, i guximshëm në ide i patundur në vendosmëri, i paepur në veprim, i pamëshirshëm në hakmarrje, herë pas here i pacipë, i përulur, i dhunshëm ose i zhdërvjellët, në varësi të rrethanave, gjithmonë dhe plotësisht i logjikshëm në egoizmin e tij, ai është Çezar Borxhia, i rilindur mysliman, ai është modeli ideal i mishërimit të politikës fiorentinase, princi italian i konvertuar në satrap”, shkruan Dumas në libër. Duke bërë një përshkrim të historisë shqiptare dhe të historisë familjare të Ali Pashës, historive të Hormovës dhe Kardhiqit, Pargët dhe veçanërisht të suljotëve si dhe fundit tragjik të Ali Pashës, Dumas flet me një simpati të veçantë për shqiptarët si popull. “Hakmarrja dhe dashuria janë pasionet thelbësore të shqiptarëve. Për ligj ata kanë ligjin e shpagimit. Gratë janë të bukura e pjellore, por pas martesës, ato bëhen pothuajse skllave dhe vihen në punë të rënda, pasi gjithë prodhimet e tokës janë fryt i punës së tyre. Si dhe zviceranët, shqiptarët janë njerëz të gëzuar dhe ashtu si ata, janë besnikë gjer në vdekje. Në kohën e Henri IV, Franca mori në ushtrinë e saj shqiptarët, ashtu si Charles III, mbreti i Napolit, kishte një regjiment mbretëror të Maqedonisë të përbërë nga shqiptarët e ikur në Kalabri pas vdekjes së Skënderbeut”, shkruan Dumas. Duke e parë Aliun si një personazh letrar, Dumas futet thellë në psikologjinë e tij duke bërë një kronologji të pemës familjare, duke nisur nga paraardhësit. Të gjithë mizorinë e Aliut, ai ia dedikon një gruaje. Ajo ishte Hankoja, nëna e tij. Në libër përshkruhet se si ajo dhe e bija Shanishaja u morën dhe u përdhunuan 30 ditë nga banorët e dy krahinave Hormova dhe Kardhiqi. Hankoja e rriti të birin me idenë e pushtetit, dhe për të mos besuar tek askush. Ali Pasha (2)Për shumë kohë, ajo kishte vuajtur nga kanceri në mitër, rezultat i një jete të shthurur. Duke e ndier se po i vinte fundi, ajo dërgonte tek i biri lajmëtar pas lajmëtari, me qëllim që ai ta takonte përpara se ajo të ndërronte jetë. Kur gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua, ai u nis drejt Tepelenës, por arriti shumë vonë. Atje gjeti të motrën, Shanishanë, duke vajtuar mbi trupin e pajetë të nënës së tyre, e cila kishte dhënë grahmën e fundit para një ore. E pushtuar nga tërbimi dhe duke vjellë vrer kundër Perëndisë, Hankoja u kishte lënë amanet fëmijëve të saj, duke rënkuar nga dhimbjet e duke mallkuar për fatkeqësitë që i kishin ndodhur në jetë, t’i plotësonin një për një dëshirat e saj të fundit. Pasi i bënë nderimet e rastit, mes hidhërimit të vdekjes së nënës së tyre, Aliu dhe Shanishaja lexuan bashkërisht letrën ku përshkruhej amaneti i Hankos së ndjerë. Ajo kërkonte që të kryheshin disa vrasje të veçanta dhe përmendte fshatra të ndryshme, të cilat, një ditë, duhej të shkrumboheshin, dhe urdhëronte që sa më shpejt të ishte e mundur të shfaroseshin nga faqja e dheut banorët e Hormovës e Kardhiqit, të cilët i kishin shkaktuar tmerret më të padurueshme në jetë. Ky amanet i Hankos do të vihej në jetë shumë shpejt nga i biri, i cili duke përdorur pabesinë, arrin të hyjë në këto krahina, duke ofruar paqe dhe besë, e duke e shkelur atë mbrëmjeve, duke bërë masakër. Dumas përshkruan me aftësinë e një psikanalisti dhe raportin e tij me të shoqen, Eminenë. Shumë pak është folur për këtë grua dhe rolin që ajo ka pasur në jetën e Ali Pashës, duke u parë më shumë Vasiliqia si gruaja që të sjell në kujtesë Pashain. Për Dumas, ishte Emine, gruaja që i copëtoi zemrën Pashait, i cili iu dorëzua një jete të shthurur duke futur në harem vajza e djem të bukur pas vdekjes së saj. E bija e Kapllan Pashës, nëna e Myftarit dhe Veliut, e cila, e dënuar të jetonte mes ligësisë, mbeti sa ishte gjallë zemërgjerë dhe e virtytshme. Ali Pasha nuk mundi ta harronte asnjëherë atë, të vetmen që mundte të sillte pak butësi në gjithë egërsinë që e shoqëronte… Dashuria e tij me Vasiliqinë ishte e një lloji tjetër. Ai u njoh me të kur ishte 60 vjeç. Vetë fjalët që u dha rojave të tij teksa u pre në besë nga otomanët, teksa po jepte shpirt që “mbysni Vasiliqinë, mos e lini të bjerë në duart e tyre”, tregon lidhjen që pati me këtë grua.
Libri i Dumas është një histori tjetër e Ali Pashës. Një e vërtetë e shkruar me stilin e një shkrimtari, veprat e të cilit vazhdojnë të lexohen kudo ende sot. Një histori për historinë tonë, atë që vazhdojmë ta kërkojmë me ngulm arkivave, apo shënimeve që të huajt kanë thënë për ne. Ato të vërteta që historia jonë shpesh e mbrapshtë më shumë na i ka larguar… Ky është një libër për Aliun, këtë shqiptar që ka brenda tij gjithë helmet e historisë, që me karakterin e gjenit të kësaj race ka hartuar në mendjen e tij i pari autonominë e këtij vendi, duke shfrytëzuar situatën e vështirë të perandorisë osmane në periudhën e luftërave të Napoleon Bonapartit, zgjeroi pushtetin e vet duke marrë toka që nga gjiri i Prevezës deri në lumin Shkumbin. Ai jetoi si një tiran, dhe vdiq i tradhtuar…
Alda Bardhyli/Saras