Në vitin 1903, Mari Kyri u bë gruaja e parë që fitoi çmimin Nobel. Së bashku me të shoqin, ajo mori Nobelin në Fizikë për kërkimet e tyre mbi radioaktivitetin. Më 19 prill 1906, Kyri mbeti vejushë, pasi i shoqi ndërroi jetë për shkak të një aksidenti në rrugët parisiene. Mari ra në dëshpërim për vite, derisa në vitin 1910 gjeti ngushëllim te njëri nga nxënësit e të shoqit, një fizikan i ri, Pol Langevin, i ndarë nga gruaja, e cila e dhunonte fizikisht.
Kur mësoi për lidhjen e tyre, e tërbuar, ish-gruaja e tij punësoi dikë që të hynte me forcë në apartamentin ku ata takoheshin, në të cilin vodhi letrat e dashurisë që Mari shkëmbente me Langevin. Këto letra, gruaja xheloze i shpërndau në shtypin e atëhershëm, që nuk nguroi ta kryqëzonte shkencëtaren e njohur, duke e quajtur “familjeprishëse”.
Në atë kohë, Mari takoi në Bruksel Ajnshtajnin, i cili admironte inteligjencën e saj dhe e konsideronte një njeri të ndershëm. Ajnshtajn u indinjua nga mënyra se si shtypi po e trajtonte fizikanen, duke bërë çdo gjë për t’i shkatërruar reputacionin.
I prekur, ai i shkroi një letër asaj që e konsideronte të vetmen që nuk ishte korruptuar nga fama.
“E shumënderuara zonja Kyri,
Mos qesh me mua për këtë që po të shkruar, pa pasur brenda këtyre fjalëve asgjë të ndjeshme për të thënë. Unë jam i tërbuar nga mënyra se si publiku dhe shtypi po përpiqet të denigrojë punën dhe arritjen tuaj të jashtëzkonshme. Megjithatë, unë jam i bindur se ju e përçmoni këtë qëndrim të vulgut, edhe pse ai në pamundësi për të vlerësuar me bujari dhe respekt punën tuaj po përpiqet të përmbush epshet e saja me sensacion!
Unë nuk jam aspak i nxituar të dëshmoj hapur admirimin tim për intelektin, punën dhe ndershmërinë tuaj. Dhe e konsideroj veten të privilegjuar që kam qenë unë ai që ka bërë njohje tuaj personale në Bruksel.
Çdokush duhet të jetë i lumtur që ju kemi mes nesh, ju dhe Langevin gjithashtu, njerëz realë, në praninë e të cilëve ndihesh i privilegjuar.
Nëse vulgu vazhdon të merret sërish me ju, atëherë juve u duhet thjesht të mos i lexoni gazetat, ta injoroni shtypin, duke e lënë ata të hiqen zvarrë në baltë që e ka krijuar!
Me shumë konsideratë për ju dhe
Langevin,
Ajnshtajn”.
Pak kohë pas skandalit, Kyri mori çmimin e dytë Nobel, kësaj radhe në kimi, për zbulimet e saj mbi elementet radium dhe polonium. Deri sot, është e vetmja që ka marrë dy çmime Nobel në dy shkenca të ndryshme.